Murgjit Tibetianë / Ana tjetër e fesë më paqësore të botës
Marcialë
Norbu dhe kundërshtarët e tij ishin Dob Dob, murgj luftëtarë që ndaj doktrinës paqësore dhe jo të dhunshme të budizmit preferonin një jetë kënaqësish dhe pa rregulla, dhe që nuk druheshin të ngjyenin duart me gjak. Një paradoks ky, i toleruar megjithatë për më shumë se pesë shekuj në zemrën e fesë më paqësore të botës. Eshtë fakt që murgjit kishin nevojë për këto lidhje të cuditshme. Të gjithë ne imagjinojmë manastirët tibetianë si ngrehina të vetmuara mes majave të Himalajeve, të banuar nga njerëz mistikë që e kalojnë jetën duke praktikuar doktrinën budiste dhe meditimin për të arritur gjendjet më të epërme të vetëdijes. E vërtetë. Por ekziston një anë tjetër e medaljes. Formimi i sistemit monastik tibetian kushtoi shekuj të tërë luftëra. Përplasjet, vrasjet dhe intrigat, përvec etheve dhe mosmarrëveshjeve doktrinale, shenjuan historinë e fesë tibetiane. Edhe në 1947 murgjit e manastirëve të Seras dhe të Reting morën pjesë masivisht në një revoltë kundër qeverisë, që në 1941 kishte shkarkuar Thupten Jampei Yieshe Cyantsen, regjent i Tibetit.
Pastaj, manastirët ishin qendra të rëndësishme politike dhe ekonomike. Kishin prona të mëdha, kontrollonin aktivitetet tregtarë, kishin artizanët e tyre dhe mbanin një personel administrativ. Të gjithë persona që jo gjithmonë dominoheshin prej butësisë budiste. Kështu, diku rreth shekullit XV pra kur u themeluan komunitetet e mëdhenj të murgjve, Dob Dob-ët panë dritën e diellit.
Policë
Murgjit luftëtarë ishin të organizuar në vëllazëri në brendësi të urdhërave të ndryshëm. Merrnin votat, zgjidhnin vetë udhëheqësit dhe anëtarët e tyre, me një prirje të vecantë për ata më të fortët, më të bëshmit fizikisht. Atyre u përkisnin pjesa më e madhe e punëve të dorës, përvec funksioneve të policisë gjatë ceremonive të mëdha dhe procesioneve fetarë. Shërbenin si shoqërues të klerikëve të lartë dhe funksionarëve të mbretërisë tibetiane, por edhe tregtarëve dhe fisnikëve kur këtyre u duhej të kryenin udhëtime në zona të largëta e të rrezikshme, të mbushura me banditë dhe grabitës. Në distriktin e Lhasas, me një prani prej më shumë se 20 mijë murgjish, Dob Dob përbënin 10 përqind të popullsisë së murgjve: një forcë ushtarake të cilën nuk mund të mos e llogarisje në një mbretëri me rëndësi strategjike për pozicionin e saj, që megjithatë nuk kishte asnjë milici të rregullt. “Nëse do të donim të gjenim një ekuivalent të largët të Dob Dobëve në hapësirën e krishterë mund të mendojmë për urdhërin e murgjve të Kalorësve Spitalorë”, thotë Erberto Lo Bue, tibetolog i Universitetit të Bolonjës.
Të frikshëm
Dob Dobët njiheshin menjëherë, sepse visheshin ndryshe nga murgjit e tjerë. Nuk e rruanin kokën, por i mblidhnin në një bisht prapa secilit vesh, duke i bërë të dukeshin si brirë të përkulur. Për t’u shfaqur më të egër, në luftime dhe në duele e lyenin pjesën poshtë syve me një substancë të zezë , që bëhej duke përzierë mbetjet e gjalpit në fundin e enëve (caji tibetian përgatitet me gjalpë) dhe blozën e depozituar nën tenxhere. Lëviznin të armatosur me thika të gjata, por në luftime nuk kishte asnjë rregull për armët që përdoreshin. Një tjetër karakteristikë që dallonte Dob Dobët nga murgjit normalë ishte pasioni për kompeticionet sportivë: ushtroheshin në një lloj kërcim së gjati, në peshëngritje dhe peshëhedhje, në gara dhe natyrisht në luftime. Stërvitja sportive arrinte kulmin në garat mes grupeve të manastirëve të ndryshëm.
Në shkollë
Po si mund të bëheshe murg luftëtar? E shpejgon antropologu amerikan Melvyn Goldstein, studiues i kostumeve antikë tibetianë që ka rindërtuar historinë e Norbu, prej ku nisi ky artikull. Në moshën 9 vjec Norbu u dërgua nga prindërit në manastirin Sera, që në atë kohë numëronte më shumë se 5 mijë murgj dhe i ngjante një qyteze të vogël. Manastiri i përkiste urdhërit fetar të Gelupas, “Virtuozët”, ai që kishte dominimin në Tibet, dhe ku dalai lama ishte autoritet suprem.
Në moshën 18 vjec erdhi për Norbunë momenti të zgjidhte të ardhmen. Kishte tre mundësi: të braktiste tunikën, të vazhdonte instruktimin duke iu kushtuar studimit të traktateve dhe praktikave fetare më komplekse, apo të qëndronte në manastir në një tjetër rol. Jeta si rishtar nuk i kish pëlqyer fare: nuk kish ndërmend të kalonte pjesën tjetër të jetës duke studiuar tekste fetarë, të lutej, meditonte, nuk arrinte të respektonte rregullat e pafundëm të manastirit, nuk kish ndërmend të hiqte dorë nga kënaqësitë e jetës, ishte agresiv dhe intolerant, ndonjëherë i dhunshëm, dhe shpesh herë dënohej dhe ndëshkohej rëndë nga eprorët. Nga ana tjetër, qëndrimi murg kishte shumë avantazhe, duke qenë se mund të nxirrte përfitime të mëdhenj socialë dhe ekonomikë: fetarët gëzonin shumë prestigj në Tibet. Kështu që, Norbu vendosi të bëhet Dob Dob me qëllim që të ruante votat dhe njëkohësisht të kënaqte dëshirat e tij mondane.
Koka të nxehta
Pra, përmes murgjve luftëtarë, institucionet fetarë arrinin një tjetër qëllim, përvec atij të mbrojtjes: “normalizonin” të rinjtë “devijues” si Norbu, duke u dhënë atyre një rol. Falë këtij sistemi, manastirët ishin në gjendje të transformonin elementë potencialë antifetarë në njerëz shumë besnikë në shërbim të tyre. Aq e vërtetë është kjo sa, pas 40 vjetësh, Dob Dobët ishin riintegruar në manastir si funksionarë administrativë apo murgj të ngarkuar me ruajtjen e disiplinës.
Kjo nuk i pengoi shumë prej tyre që të fitonin një famë të diskutueshme. Të përshkruar si të egër, agresivë, të rindshëm, të papërpunuar dhe të dhunshëm, Dob Dobët kishin edhe namin si homoseksualë. Thuhej se rrëmbenin djem të vegjël për të kënaqur dëshirat e tyre seksuale. Ata vetë e përshkruanin kështu vetveten: “Edhe nëse Buddha do të shfaqej në qiell, ne Dob Dobët nuk do të dinim si të kishim besim; edhe nëse të brendshmet e një qenieje të ndjeshme do të dilnin jashtë, ne Dob Dobët nuk do të dinim si të kishim dhembshuri”.
Një fyerje nga ndonjë individ apo një pjesëtar i një tjetër vëllazërie kishte pothuajse gjithmonë si pasojë përleshje dhe duele. Zakonisht luftimet ndodhnin mes vëllazërive të manastirëve të ndryshëm, mes të cilëve rivaliteti qe i fortë. Por ndodhte që të përlesheshin edhe pjesëtarë të të njëjtit manastir. Normalisht nuk kish një armiqësi të vecantë apo urrejtje të vërtetë mes sfiduesve. Të paktën në këtë pikë, Dob Dobët ishin besnikë të frymës budiste. Ndodhte që të mblidheshin bashkë në vendin e parazgjedhur (zakonisht i fshehur mirë), duke folur si miq të vjetër. Në përballje mund të merrnin pjesë dëshmitarë, me kushtin që të mbanin gojën mbyllur: duelët ishin në fakt zyrtarisht të ndaluar dhe të ndëshkueshëm me forcë. Por ishin edhe të pashmangshëm. Sapo një Dob Dob bëhej i famshëm për forcën dhe aftësinë e tij në luftim, murgjit e vëllazërive të tjera vendosnin ta vinin në provë, si në një garë, duke e sfiduar në duel.
Një sistem shumë në modë ishte të dërgohej një vullnetar që t’i bënte një lloj prite duke u përpjekur ta provokonte. Nëse Dob Dobi viktimë e provokimit shfaqej në lartësinë e reputacionit të tij, nuk kish nevojë të bëhej gjë tjetër: dueli me kampionin e manastirit që bënte provokimin ishte i sigurtë. Këta ndërluftime kishin shpesh herë vetëm qëllimin për të vendosur kush ishte më i forti. Pasi fillonte, dyluftimi vazhdonte deri kur njëri prej të dyve pranonte superioritetin e tjetrit apo mbetej i plagosur rëndë dhe nuk mund të vazhdonte të luftonte.
Cuditërisht, asnjë tibetian nuk i pati ndonëjëherë zët Dob Dobët e këqinj. Përkundrazi. Shumë prej tyre vlerësoheshin nga popullsia duke qenë se ishin shpesh herë të vetmit që ndërhynin në ndhmë të më të dobtëve. Vec kësaj, konsideroheshin më të sinqertë se sa murgjit e tjerë. Uandu, një prej Dob Dobëve më të famshëm, që ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, e kish zakon që t’ua jepte të gjithë paratë e tij lypësve të Lhasës. Por nga ana tjetër, i pëlqente të bënte të fortin nëpër lokalet e zonës, ku hante e pinte pa paguar asnjëherë. Askush nuk guxonte t’i thoshte një fjalë. /Focus/
PERSHTATI: BOTA.AL