MUSA KRAJA – PERSONALITET I SHQUAR I PEDAGOGJISË DHE I ARSIMIT SHQIPTAR*
Prof. dr. Hajrullah Koliqi,
Prishtinë, 15. 06. 2017
Me dhembje të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tonë të nderuar, prof. dr. Musa Kraja, të këtij pedagogu dhe veprimtari të respektuar të arsimit, i cili tërë jetën dhe punën e tij ia dedikoi pedagogjisë dhe arsimit shqiptar. Vepra pedagogjike e tij është e pasur, shumëdimensionale, e njohur dhe e çmuar në mbarë gjeografinë shqiptare dhe zë një vend shumë të rëndësishëm në pasurinë diturore të arsimit dhe të mendimit tonë pedagogjik. Ai është vazhdues i veprës pedagogjike të pedagogëve të mëdhenj të kombit tonë: Aleksandër Xhuvani, Hamit Beqja, Bedri Dedja, Jashar Rexhepagiqi etj.
Profesor Musa Kraja lindi më 1938 në Shkodër, ku mori edhe edukimin familjar, arsimin fillor dhe arsimin e mesëm pedagogjik. Po në Shkodër, përkatësisht në Institutin e Lartë Pedagogjik, i kreu edhe studimet e larta për gjuhë-letërsi (1966) dhe për histori-gjeografi (1968), kurse studimet universitare për histori-gjeografi i kreu në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës (1970). Në vitin 1978 mbaroi studimet pasuniversitare për filozofi, pasuar nga gradat shkencore: kandidat i shkencave (1984), docent (1986), doktor i shkencave pedagogjike (1993), asistent profesor (1994), profesor universiteti (2000). Për qëllime studimi qëndroi edhe jashtë vendit, në Zvicër, Turqi etj.
Gjithë jetën dhe punën e tij, prof. dr. Musa Kraja ua kushtoi arsimit dhe pedagogjisë. Gjashtë vitet e para të karrierës së tij ishte mësues në zona të thella malore të rrethit të Shkodrës, në rrethana tejet të vështira. Vazhdoi drejtor shkolle në shkolla të Velipojës, mësimdhënës dhe drejtor shkolle në Shkodër, mësimdhënës dhe zëvendësdrejtor në shkollën pedagogjike të Shkodrës, këshilltar i arsimit dhe mësimdhënës në Filialin e Universitetit të Tiranës në Shkodër, mësimdhënës dhe titullar i lëndës së Pedagogjisë në Universitetin e Tiranës (26 vjet), zyrtar i lartë në Ministrinë e Arsimit, drejtor gjimnazi në Tiranë, themelues dhe drejtues i shkollës parauniversitare jopublike “Mësonjëtorja XXI” në Tiranë, punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Pedagogjike (1998-2001), kryetar i Shoqatës së Mësuesve dhe Pedagogëve Shqiptarë, rektor i Akademisë Pedagogjike të Tiranës, nismëtar dhe kryetar i shoqatës gjithëshqiptare “Akademia e Shkencave të Edukimit” me seli në Tiranë etj.
Krahas punës didaktike dhe organizative mësimore, Musa Kraja u mor edhe me veprimtari kërkimore shkencore, kryesisht në fushën e arsimit dhe të historisë së tij, për çka dëshmojnë reth tridhjetë vepra shkencore dhe tekste universitare nga fusha e pedagogjisë së përgjithshme, didaktikës, pedagogjisë rurale, të aplikuar, etika e arsimtarit, historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar dhe botëror etj. Botimet e tij mund të ndahen në dy grupe të mëdha: a) me karakter aktual dhe b) me karakter historik. Në grupin e parë bën pjesë vepra “Pedagogjia” (1998, ribotuar disa herë), tekst universitar i pedagogjisë së përgjithshme, i cili u shfrytëzua dhe shfrytëzohet si tekst themelor në studimet e pedagogjisë (edukimit) në mbarë hapësirën shqiptare. Të kësaj natyre janë edhe disa vepra të tjera të tij si, “Për forcimin cilësor të shkollës” (1981); “Probleme të forcimit të punës edukative në shkollë” (1981); “Vizione pedagogjike rurale” (2003), e cila është vepra e parë nga pedagogjia rurale në gjuhën shqipe; “Pedagogjia e zbatuar” (2008)”, në të cilën autori paraqet përvojën e tij në shkollën paraniversitare; “Personaliteti i mësuesit dhe i pedagogut: Etika profesionale” (2012), një vepër madhore shumë e vëllimshme për etikën e mësimdhënësit, shoqëruar me portrete etike mësuesish dhe pedagogësh të ndryshëm.
Në veprimtarinë kërkimore-shkencore të prof. dr. Musa Krajës, vend të rëndësishëm zënë veprat (botimet) nga fusha e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar e botëror, ndër të cilat veçojmë: “Portrete mësuesish dëshmorë” (1967), ku autori përjetësoi figura të ndritura mësuesish dhe veprimtarësh të arsimit e të shkollës shqipe, që ranë në fushën e betejës për liri dhe pavarësi gjatë Luftës së Dytë Botërore; “Migjeni mësues” (1973, ribotuar disa herë), monografi shkencore-letrare për punën e Migjenit si mësues; “Ndrec Ndue Gjoka…” (1974), e cila ka të bëjë me jetën dhe punën heroike të mësuesit mirditor në krye të luftës për arsimin dhe shkollimimin e fëmijëve të Mirëditës; “Mësuesit e epokës së Pratisë” (1986), vepër kjo ku autori përshkruan entuziazmin, punën dhe sakrificën e mësuesve për ndërtimin e sistemit arsimor në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore; “Mati Logoreci” (1987, ribotuar më 2001), monografi shkencore për punën arsimore dhe patriotike të rilindësit të shquar, Mësuesit të Popullit, Mati Logoreci, nga Shkodra, i cili kontribuoi shumë për arsimin dhe shkollën shqipe në Prizren, përkatësisht në Kosovë; “Nexhip Alpan dhe mendimi pedagogjik i tij” (1992), studim monografik për pedagogun dhe publicistin shqiptaro-turk Nexhip Alpan, me origjinë nga Gjirokastra; “Mësuesit për kombin shqiptar” (1993), një vepër e vëllimshme enciklopedike, e cila ngërthen me qindra mësues dhe veprimtarë të arsimit, nga lashtësia deri në kohën tonë, të cilët kontribuan shumë për formimin dhe zhvillimin e kombit shqiptar, si dhe vepra të tjera historike e historiko-pedagogjike.
Prof. dr. Musa Kraja ishte bashkautor i disa veprave të tjera, siç janë: “Jonuz Emre, poet dhe edukator i madh” (1999); “Idetë dhe pedagogjia e Harry Fultzit në Shqipëri” (2000), si dhe një varg veprash e studimesh të tjera për Pestalocin, Herbartin dhe herbartianët etj.
Prof. Musa Kraja organizoi dhe mori pjesë aktive në shumë takime shkencore-profesionale në Shqipëri dhe jashtë saj. Me shkrimet dhe intervistat e tij ishte i pranishëm në media të ndryshme. U përpoq për përafrimin dhe integrimin e sistemit të arsimit shqiptar në shkallë mbarëkombëtare, gjë për të cilën, me nismën e tij, u themelua edhe shoqatata mbarëkombëtare “Akademia e Shkencave të Edukimit” (Tiranë, 2011), kryetar i së cilës ai u zgjodh njëzëri. Prof. dr. Musa Kraja u shqua jo vetëm si profesionist i spikatur, profesor model, studiues i pasionuar dhe intelektual i dalluar, Mësues i Merituar, por njëkohësisht, ai u shqua si një personalitet dhe qytetar me vlera e tipare të larta njerëzore, gjë për të cilën ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin të bashkëpunojnë dhe të komunikojnë me të, duke përfshirë këtu edhe studentët e kolegët e tij të shumtë. Vepra dhe personaliteti i profesorit Musa Kraja rrojnë dhe frymëzojnë. Ndaj, me respektin më të madh i falemi kujtimit dhe veprës së tij të përjetshme.
*(Me rastin e vdekjes së tij më 13 qershor 2017, në Tiranë)