Mustafa Nano: Të bëhemi si Europa? Ne nuk arrijmë dot as Malin e Zi

Mustafa Nano ka bërë një krahësim mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ai thotë se Shqipëria është shumë prapa këtij vendi, dhe për këtë jep disa shembuj nga një udhëtim që ka pasur këtë fundjavë drejt Malit të Zi.

Mund të jetë e vërtetë që për sa i takon GDP-së/për capita diferencat janë të vogla (malazezët e kanë gati 8 mijë dollarë amerikanë, ne e kemi gati 5 mijë), por treguesit ekonomikë nuk janë më të rëndësishmit në këtë mes.

Ka tregues të tjerë të fushave të tjera, që rëndom janë të pamatshëm, që e bëjnë një vend më ndjellës e më interesant sesa një tjetër. Një nga këto fusha është ajo e shërbimeve, ku ne shqiptarët, pavarësisht përparimeve që kemi bërë vitet e fundit, jemi dramatikisht pas Malit të Zi (dhe te shërbimet fus taksitë, transportin urban, energjinë elektrike, spitalet, shitësit, kamerierët, policin rrugor dhe atë të rendit, një nëpunës të doganës apo një nëpunës të administratës, me të cilin të bie të kesh punë etj., etj.). Një fushë tjetër është mjedisi urban e publik. Saranda, fjala vjen, është një qytet më i madh e më i gjallë sesa Budva, e megjithatë, në këtë stinë të vitit, qyteti ynë i jugut sillet si një ofertë turistike më e varfër sesa qyteti i Budvës.

Në këtë të fundit, njeriu ka më shumë frymëmarrje, mjediset publike janë më të kuruara e më të mirëmbajtura, ka më shumë gjelbërim, ka më shumë rend e siguri (s’ka gjë se policë nuk të sheh syri), trafiku është më i disiplinuar, në lokalet e mjediset publike, sidozot bar-restorantet, parqet etj., ka më shumë familje, dhe femra, që dalin në shëtitje, e nuk të sheh syri sjellje të dhunshme apo njerëz të fortë (këtej kufirit janë të fortët që të fanepsen në çdo hap e që sundojnë gjithë territorin e hapësirat).

Në Shqipëri ti mund të dalësh vetëm, a me familjen, për të drekuar/darkuar diku në qytetin tënd, apo për të kaluar një natë në një qytet tjetër, e do jesh i përndjekur gjithë kohën nga frika se do të dalë diçka se s’bën që do të ta prishë ditën, drekën/darkën a udhëtimin. Dhe kjo diçka mund të jetë qoftë një polic që të ndalon kot më kot në rrugë, qoftë një qen që e kanë shtypur me makinë në mes të rrugës (të ndodh edhe që, në vend të qenit, të shohësh një njeri), qoftë makina që të parakalojnë me shpejtësi mu sikur parakalimi të jetë i detyrueshëm, e jo optional, qoftë një kamerier që të shërben hundë e buzë, a thua se i ke ndonjë borxh, qoftë një kazan plehrash i përmbysur në mes të rrugës, qoftë një pikë karburanti që shet benzinë e naftë të holluar me ujë (meqë ra fjala, para se të niseshim për në Budva, morëm naftë aq sa na duhej për të arritur në kufi, ngaqë kështu do të mund të bënim një furnizim të plotë me të hyrë në Mal të Zi, ku nafta është e një cilësie shumë më të mirë), qoftë dikush që nxjerr dorën nga dritarja e makinës së vet e hedh përjashta një qese të mbushur me mbeturina ushqimesh, qoftë një makinë policie që ecën nëpër rrugë me idenë se rregullat e trafikut vlejnë për të tjerët, dhe se ai që është caktuar të ndjekë zbatimin e këtyre rregullave edhe mund t’i shkelë ato, qoftë një territor i shqyer prej ndërtimeve me e pa leje, qoftë një lumë i shqyer prej vjedhësve të zhavorrit në të dyja anët e tij etj., etj”, shkruan ai për “Shqip”.

Dhe në fund e mbyll me ironinë, që shqiptarët vdesin të shohin lajme gjithë ditën, madje edhe në lokale:

“Erdha pak rreth Budvës, dhe nëpër lokale nuk më zuri syri televizorë të hapur te kanalet me informacion të titruara 24 orë non stop dhe rrjedhimisht as njerëz që pinë kafe me sytë e ngulur në ekranin e televizorit, a thua se po ndjekin live fundin e botës”.

SHKARKO APP