“Muzgu i perëndive të stepës”
Protagonisti ynë pa emër është një student i huaj nga Shqipëria, por që mund ta identifikojmë pa mëdyshje si Ismail Kadare, autorin, i cili kaloi dy vite në punishten e shkrimtarëve. Disa e kanë të vështirë ta kujtojnë tani, por Moska më parë ishte kryeqyteti i një ideje të madhe dhe tërhiqte admirues nga e gjithë bota. Megjithatë, shpeshherë, këtyre vizitorëve të veriut të ftohtë, Bashkimi Sovjetik u dukej i zymtë dhe i rremë, dhe ky është subjekti i rrëfimit të Kadaresë,” me zhgënjimin e dikurshëm që kisha provuar, kur kisha parë për herë të parë muret e shtrira, të kuqërremta të Kremlinit.
“Muzgu i perëndive të stepës” po vjen me vonesë në botën anglisht-folëse. Në Shqipëri doli në vitin 1978 dhe tre vite më vonë në Francë. Në anglisht po botohet tani, marrë nga versioni frëngjisht permes një përkthimi të përkryer nga David Bellos, i cili gjithashtu ka shkruar edhe një introduktë të nevojshme.
Përgojimi i Boris Pasternakut pasi iu dha çmimi Nobel në vitin 1958, çmim të cilin Kremlini e mori si një provokim anti-Sovjetik, përmbledh pjesën kryesore të rrëfimit të Kadaresë. Instituti Gorki u ngrit për të dënuar Pasternakun e moshuar, si një kukull të perëndimit dhe tradhëtar, dhe kjo ishte pjesë e një fushate mbarëkombëtare në të cilën “shkrimtari renegat po spërkatej me helm.” Kritikët e tërbuar, siç Kadare vëren sjelljen e paaftë të propagandës sovjetike, ishin nga radha e “shpuesve të naftës, studentëve të artit dramatik, kishës ortodokse, balerinave të reja të Bolshoit, alpinistëve, shkencëtarëve atomistë, bletërritësve, punonjësve të kriporeve të detit Kaspik, ish-mistikëve të penduar, shurdhmemecëve etj., etj.” ,” të cilët u përkushtoheshin gjërave pa rëndësi, për librin tronditës “Doktor Zhivago,” të cilin, sigurisht, asnjë nuk e kishte lexuar.
Instituti Gorki popullohej nga “kritikët letrarë, dramaturgët puthadorës, zbukuruesit e jetës. .. skematikët, lajkatarët, sllavofilët….shpifësit, denonciatorët.” Të furnizuar me sasi të shumta vodke, dhe vërtetë duke garuar me të vjella, këta shkrimtarë, të paktën ata më të ndershmit prej tyre, vërtiten nëpër korridore duke i treguar njëri tjetrit subjektet e librave që nuk do t’i shkruajnë kurrë. “Vjellje subjektesh! Ja si e quajnë,” dhe këto histori të padukshme shfaqen në “Në to kishte sekretarë partie çalamanë, që vidhnin derrkucët e kolkozeve, ministra gënjeshtarë, gjeneralë të trashë e të zvetënuar, anëtarë të Presidiumit, të Byrosë Politike, që ishin besëtytë, spiunonin njëri-tjetrin dhe fshihnin një pjesë të rrogës nën dhé, nën izba, për ta pasur në ditë të këqija. Në novela përshkruheshin daçat luksoze të funksionarëve të lartë, dehjet, orgjitë dhe kërcimet lakuriq të fëmijëve të tyre. Të tjerë përmendnin ca si rebelime, në mos kryengritje të vërteta në krahina të ndryshme të vendit, flitej për masakra të shurdhra, për sekte fetare të shtuara si asnjëherë tjetër, për internime, burgje dhe krime, për ndryshimet e përbindshme të pagave midis punëtorëve “zotër të vendit” dhe të kuadrove të lartë të partisë e të shtetit, “shërbëtorë të popullit”.
Në seriozitet të plotë, gjithçka do të pësojë metamorfozë me aktivistët altruistë të partive, duke kthyer përmbys tokën djerrë dhe duke shpallur revolucion botëror.
Ironia e përbuzjes së Kadaresë është se më parë, disa kritikë e kanë akuzuar se nuk ishte aktiv kundër regjimit të çmendur e të egër të Enver Hoxhës. Sidomos u theksua kjo kur Kadare fitoi çmimin e parë Man Booker International në vitin 2005. Kjo ishte e padrejtë. “Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës,” tha Kadare atëherë, “ishte thjesht e pamundur. Disidenca ishte një pozicion të cilin askush nuk mund ta mbante, qoftë për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, librat e mi vetvetiu përmbajnë një formë tejet të dukshme rezistence.”
“Muzgu i perëndive të stepës” është komik dhe zemërak, dhe Kadare, ndryshe nga shokët e tij në institut, është një shkrimtar i sinqertë dhe që nuk fal, me një prirje të bukur për krahasimet. Kupolat e Katedrales së Shën Vasilit në Sheshin e Kuq “u ngjanin herë çallmave myslimane, herë flluskave të shumëngjyrta, të fryra nga bulçinjtë e një goje gjigante.”
Ajo çfarë i mungon këtij romani të shkurtër është rrjedha e ngjarjes. Bellos, në hyrjen e tij thotë, “Muzgu i perëndive të stepës” është shkruar në fragmente gjatë 15 viteve, dhe duket vërtet si përmbledhje spontane kujtimesh. Ka lidhje me vajza ruse, vërdallisje nëpër qytet, fushata kundër Pastërnakut, gara pirjesh, shpërthimi i lisë, parashikime të prishjes së marrëdhënieve midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, dhe – hop– kaq ishte.
Por romani është një dokument mahnitës, si një arratisje drejt një vendi të çuditshëm, gati të harruar. “ “Ishte një herë, shkruan Kadare, një shtet i madh, që quhej BRSS…”.,”
Finn është redaktori i problemeve të sigurisë kombëtare në gazetën The Washington Post dhe bashkëautor i librit “Çështja Zhivago: Kremlini, CIA dhe lufta për një libër të ndaluar.”
4 dhjetor 2014