“Muzgu i perëndive të stepës”, The Guardian shkrim për Kadarenë

Jane Housham

E përditshmja britanike “The Guardian” ka publikuar së fundmi një shkrim të Jane Housham, lidhur me romanin e shkrimtarit Ismail Kadare, “Muzgu i perëndive të stepës”…
Ky roman, i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, është përkthyer në anglisht nga David Bellos, dhe bazohet në dy vitet që shkrimtari, në atë kohë student, kaloi në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, që prej vitit 1958. Shqipëria ishte një shtet-klient i Bashkimit Sovjetik, por qëndrimi i Kadaresë në Moskë u ndërpre gjatë periudhës së Hrushovit, në një kohë kur Shqipëria u distancua prej aleatit politik të saj; udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, nuk i aprovoi reformat liberale të Hrushovit.

Libri fokusohet te “budallenjtë e mërzitshëm”, studentët-shkrimtarë që mbushnin hollet e institutit; shkrimtarë, të cilët shkruanin letërsi që i thurte lavde komunizmit, e që, gjithashtu, dukeshin paranojakë dhe të pakënaqur. Përvoja i forcoi shkrimtarit Ismail Kadare pikëpamjet disidente, të cilat ai i fshihte mjeshtërisht pas metaforave dhe legjendave. Në këtë roman, legjenda e Kostandinit dhe e Doruntinës mishëron mbajtjen e fjalës pas vdekjes, gjë që e mbrun edhe protagonisti, i cili endet rrugëve të zymta të Moskës protagonisti mishërohet në Kostandin, ndërsa e dashura në Doruntinë.

Shteti ndërmerr fushata shpifjesh kundër shkrimtarit Boris Pasternak, sidomos pas marrjes së çmimit Nobel për letërsi [ngjarje në të cilën ka asistuar edhe shkrimtari ynë.

Romani përshkruan një jetë me shumë gjallëri, ku protagonisti është me një vajzë (është i interesuar pas saj). Dëshira e tij seksuale shkëlqen kundrejt plogështisë së shurdhër të Luftës së Ftohtë, ka shkruar “The Guardian”.
Muzgu i perëndive të stepës, edhe pse është botuar në vitin 1978, në përmbledhjen “Ura me Tri Harqe”: triptik me një intermexo, nga “Naim Frashëri”; në anglisht është përkthyer vonë, një vit më parë, nga shtëpitë botuese “Canongate Books”, Edinburgh (7 gusht 2014) dhe “Grove Press”, New York (4 nëntor 2014). Në shtypin prestigjioz ndërkombëtar ka pasur disa shkrime lidhur me këtë roman në anglisht, ndër të cilët do të përmendnim: Shkrimi i Oliver Moody në “The Times”, më 02.08.2014; shkrimi i Jonathan Gibbs, në “The Indipendent”, më 03.09.2014; shkrimi i Christian Lorentzen në “The New York Times, Sunday Book Review”, më 26.11.2014; shkrimi i Peter Finn, në “Washington post”, më 04.12.2014; shkrimi i Holly Smith në “Washington Indipendent Review of Books”; shkrimi i David Hancock Turner në “Los Angeles Review of Books”, më 16.12.2014 etj. (Përgatiti: Dr. Jorina Kryeziu)

SHKARKO APP