Nacionalisti britanik trajnon serbët për ‘luftën online’

Kur militantit të krishterë Jim Dowson i qe ndaluar hyrja në Hungari në prill të vitit 2017 për shkak se paraqiste “rrezik për sigurinë kombëtare”, ai qe në gjendje të protestojë për pafajësinë- madje edhe duke bërë apel për fonde për mbrojtjen ligjore- nëpër një rrjet të gjerë të sajteve dhe faqeve të mediave sociale të cilat sfidojnë shumë media dhe parti politike.

Hetimi i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), që bashkëpunoi me BBC-në për këtë hulumtim, ka gjetur se në qendër të këtij rrjeti fitimprurës të sajteve patriotike është portali Knights Templar International (KTI), i emërtuar sipas kryqtarëve të famshëm mesjetarë të krishterë dhe që është i lidhur ngushtë me Dowson, edhe pse ai mohon të ketë ndonjë rol në organizatë.

Ilustrimet argëtuese, videot patriotike dhe materiali i ekstremistëve të djathtë shpërndahen çdo ditë në 14 faqet e Facebook-ut që kanë marrë 2.5 milionë ‘pëlqime’ nga përdoruesit e rrjeteve sociale- përfshirë edhe tre deputetë britanikë, ka zbuluar ky hulumtim.

KTI insiston se nuk është organizatë raciste, por BIRN ka zbuluar gjuhën ndezëse që kanë përdorur në platformat e veta mediale- komuniteteve myslimane në Europën Perëndimore u referohen si “biruca të minjve” ndërsa romët damkosen si “kastë e llumit kriminal”.
Me Dowson-in të cilit i është ndaluar hyrja në Hungari, qendra e dikurshme e rrjetit, ai dhe KTI po e kthejnë gjithnjë e më shumë përqendrimin në Beograd për aktivitetet e tyre mediale, ka zbuluar BIRN.

Kjo përfshin xhirimin e ‘lajmeve’ nga kryeqyteti, ndihmën në lançimin e ueb-sajteve dhe trajnimin e aktivistëve të ekstremit të djathtë, disa me lidhje dhe të kaluar të dyshimtë, se si të fitohet një ‘luftë online’.

Krahas trajnimit medial, KTI, të cilën Dowson e përshkruan si “rend militant kristian”, është duke u përgatitur për atë që e beson si luftë të pashmangshme ndërmjet islamit dhe krishterimit duke ndërtuar një rrjet të grupeve të cilët do të bëhen ‘milicia’ kur të fillojnë luftimet, ka shpjeguar Dowson në një intervistë për radio-programin e të djathtës ekstreme “The Trump Phenomenon” me James Kelso në janar.

Kjo mbështetje ka përfshirë ofrimin e jelekëve taktikë (parzmore mbrojtëse) dhe pajisje komunikimi për grupe të paemërtuara serbe në zonën e ndezur të veriut të Kosovës.

Dowson refuzoi të përgjigjet në shumicën e pyetjeve të BIRN, por mohoi fuqishëm të ketë ndonjë lidhje me neo-nazistët.

‘Aktivisti më me ndikim i të djathtës ekstreme në Britani’
Dowson është një skocez protestant i cili u rrit në hijen e dhunës në Irlandën e Veriut. Ai thotë se luftoi dhe qe plagosur si luftëtar kundër Armatës Republikane Irlandeze, IRA, një grup paramilitar i cili ndërmori një fushatë bombardimesh nëpër Britaninë e Madhe në përpjekje për ta bashkuar Irlandën.

Pasi punoi në lëvizjen kundër aborteve, Dowson ndihmoi Partinë nacionale Britanike, parti e ekstremit të djathtë, që të mbledhë shuma të mëdha parash duke punuar me Nick Griffin, liderin e partisë, i cili dikur shërbeu si anëtar i Parlamentit Europian dhe tani shpesh punon me Dowson-in në Serbi.

Dowson më pas themeloi grupin nacionalist Britain First (Së Pari Britania) në vitin 2010 para se ta braktiste atë në vitin 2014.

Organizata anti-fashiste me seli në Londër “Hope not Hate” thotë se Dowson ndihmoi “Britain First” të sigurojë më shumë se 1 milion ndjekës në Facebook duke kombinuar “meme-t emotive” me “material goditës djathtist dhe konservativ për shoqërinë”, duke e shndërruar atë në një forcë të madhe online, edhe pse nuk kishte fort sukses në kutitë e votimit.

Lëvizja e vendosur kundër emigracionit erdhi në qendër të vëmendjes së botës në dhjetor të vitit 2017 kur Trump e bëri retweet dy video kontroverse të postuara nga njëri prej liderëve të grupit.

“Britain First” u largua nga Facebook në mars, pasi rrjeti social tha se grupi “në mënyrë të vazhdueshme ka postuar përmbajtje që synon nxitjen e animozitetit dhe urrejtjes kundër grupeve minoritare”.

“Hope not Hate” thotë në raportin e vet të shkurtit të vitit 2017 se pas largimit të tij nga “Britain First”, Dowson përdori Budapestin si bazë për ta drejtuar një rrjet të sajteve “patriotike” dhe për ta vendosur një qendër për ndërmarrjen e tij të re, KTI. Gjetje të njëjta ishin dokumentuar edhe nga Raporti Ndërkombëtar mbi Fanatizmin dhe Fashizmin.

Në të njëjtin raport, “Hope not Hate” e përmendi Dowson-in si “aktivistin më me ndikim të të djathtës ekstreme në Britani”.

“Aftësitë e tij në media sociale kanë rritur profilin e tij në të djathtën ekstreme europiane dhe i kanë hapur derën për një marrëdhënie të re politike e profesionale”, thonë aktivistët anti-fashistë. “The Times of London” e quajti Dowson-in një “organizator të marketingut ekstremist”.

Dowson është mburrur në videot e postuara në rrjetin e KTI-së për drejtimin e “një prej kompanive më të mëdha të mediave në botë” dhe “duke u kredituar me rezultatin e Brexit-it dhe për ndihmën në zgjedhjen e presidentit Trump”- një pretendim që pasqyron atë që është bërë në raportet vjetore të KTI-së.

Në janar, ai dha një intervistë njëorëshe për emisionin në radio “The Trump Phenomenon”.
Radio tregoi rreth punës së KTI-së. Në të, Dowson u prezantua si “drejtor ose konsulent kryesor për Knights Templar”.

Jim Dowson

Gjatë intervistës, ai mburrej për arritjen që kishin bërë mediat sociale të KTI-së.
“Një nga gjërat që bëjmë si një mënyrë moderne është që ne drejtojmë faqet e mëdha të mediave sociale në të gjithë botën”, tha ai. “Ne kemi pasur rreth 30 djem, 30 europianë të rinj, hungarezë, serbë, britanikë, irlandezë gjatë fushatës zgjedhore të Trump. Ne ishim ata që i nxirrnim të gjitha emocionet në pah”.

“Ne po prodhonim mijëra prej tyre në javë. Ne arritëm në një moment 70 milionë amerikanë në javë”, tha ai.

Ai nuk përmendi faqet e mediave sociale, por BIRN ka identifikuar 14 faqe në Facebook, përmbajtja e të cilave vjen kryesisht nga KTI ose faqet e internetit të lidhura me të. Që nga 25 janari, faqja e anëtarësimit të KTI-së është shpërndarë 500 herë nëpër 11 nga këto faqe në Facebook.

Faqet e Facebook-ut emërohen për të thirrur në seksione të ndryshme të audiencës së rrjetit social, siç është “Newschicken”, “Unë e vendos lulëkuqen me krenari” dhe “Presidenti Trump – Bëni Amerikën të madhe përsëri”, tha Andrej Petrovski, një specialist ligjor i kibernetikës nga Beogradi që punoi me BIRN në këtë hetim.

“Ata [KTI] po përdorin mundësitë e ofruara nga mediat sociale për të mikro-targetuar njerëzit nga sferat e ndryshme të jetës, nga huliganët tek infermieret tek deputetët, duke u shërbyer atyre me përmbajtje që i bën thirrje një grupi të caktuar”, shpjegoi Petrovski.

“Kjo ka rezultuar me më shumë se 2.5 milionë ndjekës nëpër disa faqe në Facebook, që është më shumë se ndjekësit e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar dhe Partisë Laburiste në Facebook së bashku. Ky numër do të thotë mjaft arritje substanciale, pasi rritja eksponenciale rritet me numrin e ndjekësve”, tha ai.

Petrovski shtoi se gjetja e tre deputetëve britanikë, si dhe qindra punëtorëve shëndetësorë dhe shërbyesve civilë britanikë midis atyre që i pëlqejnë faqet, ishte shqetësuese. “Me shërbyesit civil që i pëlqejnë këto faqe, gjasat që njerëzit e tjerë që bëjnë të njëjtën gjë janë më të larta, prandaj figurat publike duhet t’u kushtojnë vëmendje atyre që promovojnë nëpërmjet aktiviteteve të tyre në mediat sociale”, tha ai.

Roli i Dowsonit në KTI është megjithatë i errësuar nga këmbëngulja e tij se ai nuk është anëtar i organizatës. Ai më parë ka pranuar të ndihmojë KTI-në me “një ose dy projekte”, por gjithashtu tha se nuk kishte një “pozitë, titull apo autoritet”. Ai tha se aktualisht e ka paditur BIRN-in për një artikull të mëhershëm lidhur me aktivitetet e tij në Kosovë.

Dëshmitë e siguruara nga BIRN thonë megjithatë se ai është një lojtar i rëndësishëm për organizatën, edhe pse ai thotë se nuk mban ndonjë pozitë zyrtare. Dowson është një fytyrë e zakonshme publike e organizatës, duke u paraqitur në shumë nga videot e saj, duke folur me mediat si përfaqësues i grupit dhe duke dhënë fjalime në ngjarjet e KTI-së.

Ai është përshkruar në faqen e internetit të KTI-së si “vëlla”, “zëdhënës” dhe “këshilltar i çmuar dhe i besueshëm” i KTI-së, megjithëse KTI ka hequr kohët e fundit shumë nga këto faqe.

Kompania me seli në Irlandën e Veriut është e listuar në faqen e internetit si pranuese e tarifës së anëtarësisë, Knights Templar International Novus Ordo Militiae Limited, është në pronësi të kunatës së Dowson-it, Marion Thomas, e cila ka punuar me të në Partinë Kombëtare Britanike dhe ishte drejtoreshë e një prej firmave të tij të hershme.

Dowson është pronar i ‘The Rosslyn Portal Limited’ e cila operon faqen e internetit rosslynportal.com, duke shitur relike identike në faqen e internetit të KTI-së, dhe është mbajtur në të njëjtën IP si knightstemplarinternational.com. Deri kohët e fundit, një tjetër faqe interneti, thelifeleague.com, u mbajt gjithashtu në atë IP adresë dhe u regjistrua personalisht nga Dowson.

Kontaktet e tij në Serbi, përfshirë Dejan Damnjanoviqin nga “Urdhri I Dragoit”, dhe Filip Miliniçin, lider i “Generation Identity”, identifikuan Dowson-in si figurë e lartë e KTI-së.

Një fillim i ri në Serbi
Dowson u ndalua nga Hungaria në prill të vitit 2017, sepse përbënte një “rrezik për sigurinë kombëtare”, diçka që ai e mohon me zell. Aktualisht është duke e apeluar vendimin përmes gjykatave në Budapest dhe KTI kishte kërkuar donacione për shpenzimet ligjore përmes një ankese në faqen e internetit.

Në Serbi, megjithatë, Dowson dhe Griffin, të cilit i është ndaluar hyrja në Hungari dhe ka apeluar vendimin, duket se kanë gjetur një bazë të re mikpritëse për të ndjekur disa nga aktivitetet e tyre.

Që nga marsi i vitit të kaluar, më shumë se një duzinë raportesh të lajmeve të KTI-së janë ngarkuar në kanale të ndryshme në YouTube, duke përfshirë ‘Templar News’ dhe ‘Knights Templar International’ dhe faqet e internetit në rrjet dhe janë shpërndarë në mediat sociale.

Prezantuesja e këtyre raporteve, zbuloi BIRN, është Marina Milenov, një serbe e re që lexon materiale të ekstremit të djathtë para një panorame të mbivendosur të kryeqytetit serb, Beograd.

Numri i shikimeve në YouTube varion nga qindra në mijëra, por ndikimi i tyre përforcohet nga ripostimet në Facebook dhe faqet e internetit të lidhura me të. Një video e postuar në llogarinë Facebook të ‘Knights Templar International’ u pa 40,000 herë deri në kohën e botimit të këtij artikulli.

Në një klip, të ngarkuar në YouTube, për ‘Zëvendësimin e Madh’, teoria që europianët e bardhë po zëvendësohen nga emigrantët, Milenov shpjegon se të huajt janë “njerëz që duan të shkatërrojnë gjithçka që ju e doni” dhe cilët janë përgjegjës për “përdhunim të numrit të madh të grave tuaja”. Milenov pastaj thotë se KTI po bën thirrje për “rezistencë serioze” që të ndërtohet përpara “kryengritjes islame”.

Serbia nuk po ofron vetëm një bazë për videot, por është gjithashtu një “qendër e medias sociale” për KTI, sipas raportit vjetor të vitit 2017. Dowson dhe KTI nuk pranuan të elaboronin këtë pohim.

Por kur u pyet për aktivitetet e tij në Serbi nga BIRN vitin e kaluar, Dowson ishte modest. “Unë drejtoj një kompani të vogël të marketingut dhe marr pjesë në role nga shumë klientë dhe do të ishte një shkelje e rëndë e standardeve profesionale për të diskutuar këto role me ju ose dikë tjetër”, tha ai në një deklaratë me shkrim vitin e kaluar.
E kontaktuar përmes telefonit, Milenov refuzoi të komentojë.

Dowson ndihmoi gjithashtu të fillojë një uebsajt të ri nacionalist, Novigvozdenipuk.rs, për një grup pro-monarkisë me seli në Beograd. ‘Novi Gvozdeni Puk’ është një regjiment i Luftës së Parë Botërore në atë që atëherë ishte Mbretëria e Serbisë.

Faqja e internetit u krijua për monarkistët ‘Urdhri i Dragoit’ me seli në Beograd, i cili ka një numër lidhjesh me Dowson dhe KTI. Gazetarët zbuluan se ueb faqja e Novigvozdenipuk.rs ndan një ‘Google Analytics’ unik që lejon pronarin të ndjekë trafikun, me faqen e internetit Knights Templar International.

Lideri i ‘Urdhrit të Dragoit”, Dejan Damnjanoviq konfirmoi se ai kishte punuar me Dowson në faqen e internetit, e cila u lançua në internet verën e kaluar, por shpjegoi se më vonë ishte larguar. Faqja e lidhur me Facebook mbetet aktive.

Ueb faqet e rikthyera nga faqja tani e fshirë tregojnë se faqja e internetit është botuar nga TPS Media, e cila i dha të njëjtin adresë në Beogradin qendror si KTI. BIRN nuk ishte në gjendje të gjejë një kompani me këtë emër ose vendndodhjen e zyrës, por tpsmedia.eu është regjistruar në të njëjtën IP si ‘Knights Templar International’ dhe, deri vonë, thelifeleague.com, e cila u regjistrua personalisht nga Jim Dowson. “Është kompania e tij [Dowson],” tha Damnjanoviç për TPS Media.

Udhëheqja e një ‘lufte në internet’
Në intervistën e tij të janarit për programin amerikan “The Trump Phenomenon”, Dowson shpjegoi rëndësinë që kishte për KTI të ofrojë kurse falas për media në mënyrë që të sigurohet se “njerëzit tanë janë të trajnuar si duhet në mjetet moderne të komunikimit”.

Kjo përputhet me një porosi në Facebook të postuar në faqen e tij personale në janar. I shoqëruar me tri fotografi të asaj që duket të jetë trajnim i Dowson-it për grupin e burrave, ai shkroi: “Lufta moderne bëhet online… aktualisht”.

Një postim në Twitter nga ngjarja e njëjtë shpjegoi se ai po bënte “trajnim të mediave në Serbi”. Megjithëse nuk është e qartë nëse kjo ngjarje është e lidhur me KTI, një flamur i organizatës shihet qartë në një nga tavolinat në njërën fotografi.

Identiteti i grupit që po trajnohej nuk është zbuluar, por një organizatë e ekstremit të djathtë e cila pranon se merr këshilla për mediat sociale nga Dowson është dega në Beograd e “Generation Identity”, një lëvizje ndërkombëtare kundër emigracionit.

Filip Miliniç tha për BBC: “Jim [Dowson] ka një reputacion prej njeriu të aftë në media sociale. Ai ka ofruar këshilla dhe ato ishin të frytshme, sepse tani, për shembull, ne kemi 7 mijë ‘pëlqime’ në Facebook”.

“Ka qenë shumë e frytshme dhe shpresojmë se ai do të vijë prapë së shpejti”, shtoi ai. Miliniç më vonë mohoi se GI ka pranuar ndonjë “trajnim” nga Dowson kur u kontaktua dje për qartësim.

Një fotografi prej vitit 2016 tregon Miliniçin dhe aktivistin e ekstremit të djathtë Marko Gajinoviçin, në takim me Dowson-in, Griffin-in në Beograd në një ngjarje të organizuar nga një grup tjetër i ekstremit të djathtë, NFS, në të cilin foli Griffin.

Disa ditë më vonë, fotografitë janë postuar në faqen e Facebook-ut të KTI-së ku shihet Gajinoviç me figura tjera të mbuluar me rroga të Templarëve, përfshirë edhe Teglasy-n, duke mbajtur flamuj serbë dhe të templarëve.

Si Miliniç ashtu edhe Gajinoviç ndoqën një marsh të vogël në mars për ta përkujtuar kryeministrin e Serbisë së kohës së Luftës së Dytë Botërore, Milan Nediq, i cili drejtoi një qeveri kukull të nazistëve. Gajinoviç ishte fotografuar duke bërë përshëndetje naziste dhe për këtë tani po hetohet, tha prokuroria e Beogradit për BIRN.

Miliniç tha se ngjarja nuk ishte organizuar nga GI dhe se Gajinoviç nuk ishte anëtar i këtij grupi Gajinoviçi nuk u është përgjigjur kërkesave për koment, mirëpo me një statut në Twitter ai kishte mohuar ndonjë nga “Seil Heils” ishte në këtë ngjarje, duke thënë se fotografitë kanë treguar njerëzit duke bërë gjeste sikur të ishin në ndonjë ngjarje sportive.

Dowson tha se nuk ka bërë trajnime për “Generation Identity” në Serbi dhe se kishte luftuar gjithë jetën e tij kundër nazistëve.

Në një përgjigje me shkrim, ai tha: “Meqë kam shtatë raste ligjore në proces rreth akuzave false në media kundër jush dhe disa mediave kukull të mbështetura nga Soros/Perëndimi në gjykatat e Beogradit, jam i kufizuar në përgjigje”.

“Megjithatë, më lejoni të jem shumë i qartë: asnjëherë nuk kam furnizuar mediat ose IT-të ose ndonjë lloj tjetër trajnimi për grupet e përmendura, Generation Identity ose neonazistët në Serbi”.

Dowson dhe Griffin kanë ndërtuar gjithashtu një marrëdhënie të afërt me Misha Vaçiç, ish drejtuesin e grupit të huliganëve “1389”, i emërtuar sipas vitit kur u zhvillua “Beteja e Kosovës”, një gurthemel për nacionalistët serbë.
Vaçiç ka qenë për një kohë të shkurtër këshilltar i Marko Gjuriçit, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, në fillim të vitit 2017, dhe e kishte ftuar Dowson-in dhe Griffin-in në ndërtesën qeveritare.

Në vitin 2013, Vaçiç ishte dënuar me kusht për diskriminim kundër komunitetit LGBT.

Por kur Vaçiç formoi një parti të re të ekstremit të djathtë vitin e kaluar, E Djathta Serbe, një anëtar i lartë i partisë në pushtet në Serbi, Partia Progresive, ishte i pranishëm në ceremoni, duke ngritur pyetje tjera rreth lidhjeve të Vaçiçit me qeverinë pas punës që bëri si këshilltar.

Në tubimin e dytë të madh të partisë në muajin shkurt, Vaçiç e ftoi Dowson-in, Griffin-in dhe intelektualin rus Leonid Savin, i cili redakton sajtin e Konstantin Malofeev, që është sanksionuar nga SHBA-të për mbështetje të separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Dowson i tha audiencës se ata duhet të punojnë bashkë për ta kundërshtuar rrezikun nga emigracioni. “Perëndimi po vërshohet nga hordhitë e pushtuesve islamikë të lindjes, 60 milionë nga ta dhe po vijnë prapë”, tha ai.

Që nga atëherë, Dowson dhe Griffin kanë bërë një numër udhëtimesh në Beograd për ta trajnuar Të Djathtën Serbe në aftësitë për media sociale, sipas komunikatave për shtyp dhe postimeve në mediat sociale të bëra nga lëvizja.

“Miqtë tanë, Dowson dhe Griffin, janë mjeshtër të vërtetë të zanatit të tyre”, tha Vaçiç në një komunikatë për shtyp. “Përvoja e tyre është e paçmueshme për ne, dëshira e tyre është t’i bartin te ne teknikat dhe njohuritë me të cilat ne do të kemi mundësinë ta vazhdojmë luftën tonë politike”.

Vaçiç refuzoi të komentojë. Në përgjigje në pyetjet e BIRN rreth aktiviteteve të tyre në Serbi, Nick Griffin shkroi:
“Thuani çfarëdo gënjeshtre dhe përdredhje, çfarëdo të vërtete që doni, botës së korruptuar me qendër në Uashington për të cilën ju jeni prostitutë propaganduese po i vjen fundi. Europa do të jetë e lirë dhe të krishterët, dhe ‘Kosovo je Srbija’ [Kosova është Serbi”.

Marinika Tepiç, deputete e partisë majtiste Nova Stranka [partia e re], thotë se ajo gjithnjë ka qenë e kërcënuar dhe tallur online nga Vaçiç dhe anëtarë të “Generation identity” pasi e ngriti në parlament çështjen e aktiviteteve të Dowson dhe dërgesën e tij me pajisje për serbët e Kosovës.

Pas deklaratës së saj, grafitet që e sulmonin atë ishin vizatuar përgjatë qytetit dhe një gazetar nacionalist pritet të përballet me gjyqin në akuzat për kërcënim ndaj saj.

Tepiç tha se ishte informuar që disa grupe ekstremiste madje kishin filluar ta quanin atë “Jo”, në mesazhe private, si referencë në Jo Cox, deputeten britanike të vrarë në vitin 2016 nga ekstremistët djathtistë.

Nuk ka asgjë që e ndërlidh Dowson-in në ndonjë nga këto incidente, por Tepiç tha për BIRN se ajo beson që ai e sheh Serbinë se “cak të ri” të tij. “Fjalët e tij janë të rrezikshme”, shtoi ajo.

Në intervistën me “The Trump Phenomenon”, Dowson e përshkroi udhëtimin në Kosovë për të dërguar pajisje: “Ne morëm një ngarkesë të madhe të jelekëve antiplumb dhe pajisjeve taktike dhe pajisje komunikimi vetëm pak muaj më parë dhe i dërguam në Kosovë, e që ishte mjaft e rrezikshme, unë isha në atë udhëtim, pra isha në atë grup”.

“Kur i çuam ato dhe natyrisht mediat perëndimore donin që ne të arrestoheshim, e dini, ata tentuan të na implikonin në atë që ne po bënim furnizim me armë- shikoni, të çosh armë në Ballkan është sikur të çosh armë në Teksas, nuk ka nevojë”.

“Duhen pajisje të komunikimit dhe gjëra moderne të sofistikuara, por nuk është nevoja të marrim armë në Kosovë, më besoni”, tha ai.

Më vonë, në të njëjtën intervistë, ai shtoi: “Tash për tash nuk na duhen kallashnikovët, e kemi teknologjinë- kalashnikovët vijnë më vonë”.

BIRN

SHKARKO APP