Nata që ndryshoi Europën
Ndoshta nata e Krishtlindjeve të vitit 800, sic lajmëronin shumë kronikanë të kohës, ka qenë vërtetë ngjarja më e rëndësishme e perëndimit mesjetar. Papa Leoni III, në kishën kryesorë të krishtërimit, Shën pjetër, vendosi mbi kryet e Karlit të Madh kurorën perandorake, duke recituar tre herë formulën e kurorëzimit: “Karl augustit, i kurorëzuar nga Zoti, perandor i madh dhe paqësor i romakëve, Jetë dhe Fitore!”
Ndonëse kohët e fundit disa historianë janë përpjekur të vënë në dukje limitet e një kurorëzimi të tillë dhe duke mos i theksuar shumë pasojat, nuk mund të nënvlerësohet shtrirja ideologjike dhe kulturore që pati një ngjarje e tillë. Një perandor i ri i romanëve shpallej në perëndim në një distancë kohore prej 300 vjetësh nga kurorëzimi i fundit, dhe Papa i Romës ishte prifti solemn të cilit i ishte besuar celebrimi i një riti të tillë.
Për Karlin, mbret i frankëve, pasardhës i luftëtarëve gjermanikë, ishte realizimi i një ëndrre që për popullin e tij kish zgjatur disa shekuj. Por edhe për Romën ajo ceremoni shenjonte një ndryshim gjigand: ishte rikthimi i saj në skenën e botës, në cilësinë e kryeqytetit të rigjetur të perandorisë.Mentaliteti mesjetar, aq i ndjeshëm ndaj simboleve dhe liturgjisë e perceptoi ceremoninë e asaj nate Krishtlindjesh si fillimin e një kursi të ri në histori, që do të kish shfaqur efektet e tij për mijëvjecarë të tërë. Dhe pikërisht kjo ndodhi.
Një fillim i ri
Megjithatë, tani është e nevojshme të bëhet një hap pas dhe të ngrihet pyetja se kush ishte perandori i ri. Duke filluar nga 768, Karli ishte bërë mbret i frankëve, popullsia gjermanike që në fund të shekullit V ishte poseduar tashmë prej Galisë së lashtë. Në kohën e pushtimit, pjesa më e madhe e këtyre njerëzve ishin të krishterë dhe të devotshëm ndaj papës së Romës. Klodoveu, themeluesi i mbretërisë, ishte konvertuar në kristianizëm dhe që atëherë popullsia romake dhe luftëtarët frankë ishin bashkuar, duke i dhënë kështu jetë një prej mbretërive më solide romako-barbare, atë të Francës primitive. Në bazë të një konstruksioni të tillë politik ishte aleanca e fortë fetare: mbreti i Francës konsiderohej mbrojtësi i parë i fesë së romakëve.
Por mbretëria e themeluar nga Klodoveu, e lindur nga bashkëpunimi mes aristokratëve latinë dhe ushtarakëve frankë, njohu turbullira të mëdha, të cilat kishin mbi të gjitha shkaqe dinastikë. Këto motivoheshin edhe nga prapambetja e të drejtës franke, në bazë të të cilës ishte parimi i ligjit Salik – i frankëve Salii – sipas të cilit pasuria duhej ndarë mes të gjithë bijve meshkuj, dhe nuk i përkiste vetëm djalit më të madh. Për këtë arsye, dinastia merovingiane (pasardhësit e Klodoveut) mbretëroi shpesh herë dobësisht mbi një bashkësi krerësh që grindeshin mes tyre.
Në vitin 751, Pipino i Shkurtër, mësues i pallatit (një detyrë e krahasueshme me atë të një ministri të lartë) i mbretit merovingian Kilderiki III, detyroi këtë të fundit që të tërhiqet në një manastir, dhe hipi në fronin frank në vendin e tij. Po krijohej një dinasti e re.
Megjithatë, bota, në krahasim me kohët që kishin parë trumfin e mbretërive romako-gjermanike mbi perandorinë e perëndimit që po shuhej, tashmë kish ndryshuar shumë. Në Mesdhe po përhapej fuqia arabe, të cilës i ishte kundërvënë perandoria bizantine që, ndonëse vetëshpallej pasardhëse e perandorisë romake, nuk kishte më pothuajse asgjë për të ndarë me të.
Gjithnjë e më greke për nga kultura dhe tradita, në orbitë për nevojë në zonën ballkanike dh etë Lindjes së Afërme, ajo ushtronte një tutelë gjithnjë e më imponuese e jo tolerante ndaj papës së Romës dhe qytetit të Romës. Kjo e fundit kishte rënë në rangun e një qendre monumentale të provincës, me fshatrat e saj gjithnjë e më të kërcënuara nga longobadrdët, për t’u mbrojtur nga të cilët Papa kishte kërkuar mbrojtjen bizantine. Longobardët, në fakt, ndonëse ishin konvertuar në kristianizmin e riteve romakë, synonin që të mbysnin qendrën papnore, e cila paraqiste një pengesë të pakapërcyeshme për planet e tyre të bashkimit të Italisë nën dominimin e tyre.
Pjesa tjetër e Europës ishte e ndarë mes popullsive ende të lidhura me traditën fisnore – si Saksonët, por edhe avarët dhe sllavët – dhe njerëz që kishin përthithur traditën juridike dhe kulturore romake, duke rielaboruar përmbajtjen dhe vlerat e saj me shkallë të ndryshme ndjeshmërie.
Dhe këta ishin, kryesisht, anglosaksonët në Britani, Visigotët në Spanjë (të angazhuar në një luftë shumë të fortë dhe të humbur me arabët) dhe frankët në Francë.
Duke ëndërruar perandorinë
Me ngjitjen e Pipinos, mbretëria e frankëve gjeti një stabilitet të ri si dhe i dha jetë një “politike të jashtme” të re. Në dekadat e fundit, frankët kishin rezultuar vendimtarë në ndalimin e përparimit të arabëve që nga Spanja kërcënonin tashmë zemrën e Francës. Beteja e poitiers e vitit 732, kishte parë si protagonistë Karl Martelon, babai i Pipino i Shkurtri, dhe kish qenë një prej episodeve me sukses më të madh për vendësit.
Pipino, i këshiluar nga peshkopët e tij, u përpoq edhe të rindërtojë lidhjen e ngushtë që mbretërit frankë kishin patur një herë e një kohë me qendrën papnore. Papati – tashmë në grindje me bizantinët edhe për shkak të kontrasteve të fortë teologjikë, i kërcënuar nga arabët që tashmë kishin rrethuar Sicilinë, i shtrënguar nga Longobardët që synonin të brenin autonominë e Romës – hodhi nga mbreti i ri i frankëve një vështrim lutës. Po cfarë mund të ofronte ndonjëherë Roma me udhëheqjen e saj të paarmatosur – papën – mbretërisë së re që, si një ledh mbrojtës, shfaqej në qendër të Europës? Mund të ofronte traditën e madhe romake, trashëgiminë mijëvjecare administrative dhe juridiketë kulturës klasike dhe, mbi të gjitha, ëndrrën perandorake. Ky imazh magjepsës dhe prestigjoz, si një frymë, nuk kishte pushuar asnjëherë së ndezuri zemrën e gjermanikëve, që nga faza e përgjakshme e pushtimeve.
Edhe në momentet më dramatikë, këta popuj të shfaqur nga pyjet e përtej kufijve kishin aspiruar gjithmonë për një integrim të pamundur me botën romake, të cilën e urrenin por edhe aq shumë e donin njëkohësisht. Edhe pasardhësit e këtyre pushtuesve – si frankët e Pipinos – nuk mundeshin të mos dëshironin të pranoheshin në hullinë e traditës romake dhe të ngjiteshin në rang drejt ndërtimit më prestigjoz që kishte prodhuar ndonjëherë Perëndimi, perandorisë romake të Augustit. Vetëm papa i Romës mund të projektohej si pasardhësi i tij shpirtëror, si për shkak të vazhdimësisë territoriale mes qendrës së perandorisë dhe qendrës papnore, edhe për shkak se papa mund të fliste me një zë të vetëm – zëri i pasardhësit të Pjetrit – kur u drejtohej mbretërive të krishtera-katolike që shtriheshin nga Skocia deri në Pyjet e Zinj, nga Afrika Veriore deri në Dalmaci.
Kisha e Romës, megjithatë, jetonte një situatë dobësie ekstreme për shkak të situatës së braktisjes që ishte krijuar në Gadishull pas humbjes së perandorisë së Perëndimit dhe tërheqjes progresive bizantine. Në një situatë të tillë u vendos një lidhje e pazgjidhshme mes mbretërisë së frankëve, që dëshironte aq shumë të hynte në shtratin e traditës romake, dhe qendrës papnore, e rrethuar nga Longobardët. Një lidhje ajo, mes frankëve dhe Kishës së Romës, që u ruajt deri në 1870, kur humbja e Napoleonit III përballë prusianëve lejoi trupat italiane t’i jepnin fund pavarësisë mijëvjecare të Romës papnore.
Konvertohu ose vdis
Në vitin 754, me kërkesë të Papës, Pipino zbriti në Itali dhe zhvilloi një ekspeditë të parë kundër Longobardëve. Ndërhyrja rezultoi themelore për të zbutur presionin e longobardëve mbi papatin dhe për të vendosur një aleancë mes frankëve dhe kishës, por shumë shpejt Pipino e largoi vëmendjen për shkak të luftërave të brendshme dhe nga ekspeditat në kufijtë e mbretërisë. Ishte djali i tij i madh Karli – Karli i Madh i ardhshëm – që hipi në fron në vitin 768 si trashëgimtar i vetëm, që e vazhdoi me më shumë vendosmëri dhe energji politikën e zgjerimit dhe forcimit që kishte nisur tashmë i ati.
Shtypja e revoltave u bë shumë më e vendosur dhe politika e jashtme më ambicioze. E gjithë Franca e jugut dhe rajonet jugorë të Renit u stabilizuan dhe aneksuan në mbretërinë franke. Dukati bavarez ra në orbitën franke, ashtu si të gjithë territoret e Hungarisë së sotme, të banuar nga avarët, me prejardhje mongolike. Edhe cekët dhe bohemët, popullsi sllave, u aneksuan nga mbretëria.
Në veri u dërguan ekspeditat më të ashpra. Saksonët ishin një popullsi luftëdashëse dhe ende pagane, dhe nismat ushtarake të Karlit u ngjyrosën shpesh me motivacione fetarë: në fund, saksonëve iu imponua zgjedhja e frikshme: të konvertoheshin në kristianizëm ose të vdisnin.
Brenda disa dekadave, mbretëria e re franke përvetësoi territore të mëdha në Europënq endrore. Por një vëmendje e ngjashme iu kushtua edhe jugut. Arabët u dëbuan nga brigjet jugore të Francës së sotme dhe u detyruan të braktisin skajin jugor të Spanjës, deri në lumin Ebro. Ndërkohë, në vitin 773, Karli kishte kaliuar Alpet, i vendosur të shkatërronte fuqinë longobarde. Me pushtimin e Pavias, në 774, longobardët u nënshtruan – mbetën nën kontrollin e tyre vetëm disa territore të Longobardisë së Vogël, në Italinë qendrore – dhe mbreti frank mori edhe titullin rex Langobardorum.
Përfshirja e gjithë territoreve përtej Renit, pushtimi i të gjithë hapësirës së Europës qendrore deri në Danub dhe aneksimi i mbretërisë longobarde në Itali sollën një unifikim substancial të Europës. Hapi tjetër ishte të shkëputej lidhja tashmë e dobësuar me perandorinë bizantine, trashëgimtare formale e perandorisë romake. Kjo coi, në natën e Krishtlindjeve të vitit 800, në shpalljen e Karlit Perandor i Romakëve. Ishte rikthimi i Perandorisë romake në territoret e perëndimit, një ditë që pritej prej shekujsh. Sikur të mos kish patur asnjë frakturë kohore, Karli u bë perandor i romakëve, në linjë vazhdimësie me Augustin (megjithatë, këtu duhet kujtuar se termi me të cilin perandoria e Karlit është përmendur shpesh “Perandoria e Shenjtë Romake”, i duhet atribuar në realitet perandorisë së inauguruar, në gjysmën e shekullit pasardhës, nga Ottoni I, i pari perandor me prejardhje saksone).
Në mbrojtje të Papës
Kurorëzimi perandorak fshihte, megjithatë, një vullnet të dyfishtë dhe divergjent. Papati romak shihte tek perandori jo vetëm një mbrojtës të institucionit papnor, por edhe personin që do u siguronte territore të mëdhenj në Italinë qendrore, në kohën e vet të premtuar edhe nga mbretërit e fundit longobardë, por që ende nuk kishin kaluar në kontrollin e drejtpërdrejtë të Papës. Dhënia Romës e territoreve të mëdhenj ish bizantinë dhe longobardë të Umbrias dhe Romanjës, shënoi fillimin e “Shtetit të përkohshëm” të Kishës.
Dhe pikërisht falë ceremonialit të kurorëzimit në Vatikan, papa konsiderohej edhe ofruesi formal i kreshmës perandorake. Jo më kot, sipas disa burimeve franke, Karli kishte pranuar me një si ndjenjë bezdie që kurora t’i vendosej nga papa.
Për Karlin, marrja e perandorisë nënkuptonte mundësinë që të paraqitej në nivel simbolik si bashkues i Europës së krishterë, të merrte rolin prestigjoz si mbrojtës i papatit dhe, mbi të gjitha, të dilte nga detyra e ngushtë e kreut të popullit të një territori të provincës dhe të barazohej me perandorin bizantin. Pavarësisht se qëllimi ishte i përbashkët, secili ndiqte rrugën e vet dhe një paqartësi e tillë u transformua në një faktor dobësie për institucionin e ri perandorak.
Gjatë mbretërimit të karlit të Madh aspekte të tillë nuk përbënin një problem real, por situata precipitoi pas vdekjes së tij. Kostandinopoja u ndie shumë shpejt se ia kishin hedhur dhe vetëm pas disa dekadash arriti të pranojë, me një irritim të thellë, praninë e një “perandori të ri të romakëve”.
Shpallja e perandorisë, megjithatë, nuk përfaqësoi vetëm një zhvillim institucional, por edhe një rilindje kulturore dhe ekonomike. Përreth vetes, oborri frank u përpoq të bashkojë intelektualë, administratorë dh eteknikë. Mes këshilltarëve të mbretit nuk ishin vetëm njerëz të edukuar me idenë që një ditë mund t’ia rikthenin perandorinë Europës kristiane, por edhe administratorë dhe teknikë me projektin më ambicioz të galvanizimit të një sipërmarrje komerciale, ekonomike dhe urbanistike.
Si në kohën e Augustit
Sic kishte ndodhur në kohën e Augustit me fundin e luftërave civile, shpresohej që bashkimi i provincave shumë të mëdha, përmes makinerisë shtetërore perandorake, mund të kishte efektin e ndezjes së motorrit të rimëkëmbjes së botës perëndimore pas disa shekujsh kriza dhe izolim.
Ndonëse ishte pothuajse analfabet, karli donte të rrethohej vetëm nga njerëz të ditur, të cilët rezultuan shumë të rëndësishëm për rishikimin e organizimit politik të perandorisë së sapolindur si dhe për t’i dhënë asaj një kulturë të vetën të referimit. Kështu, intelektualë të klasit të parë erdhën nga e gjithë Europa për të marrë pjesë në projektin e rithemelimit të perandorisë dhe hynë e u bënë pjesë e elitës prestigjoze. Vetë origjina dhe prejardhja e tyre përfaqësinin projektin universalistik që Karli u përpoq të vendosë në themelet e institucionit të ri. Mes tyre mund të përmenden Alkuini i Jorkut, longobardi Paolo Diacini, visigoti Teodolf i Orleansit, kronisti dhe biografi i ardhshëm i Karlit, Eginardi, si dhe Pjetri i Pizës. Përreth një grupi të tillë intelektualësh u organizua një shkollë e vërtetë, të cilës iu dha emri Schola Palatina.
Një seri reformash, të nxitura nga Karli dhe teknikët që e rrethonin, investuan Europën si një erë e fuqishme që sillte ajër të ri, e cila po trondiste nga themelet rendin e lashtë mesjetar.
U nis një reformë monetare që i dha parësinë monedhës së argjendit si dhe shënoi monopolin e dorës së shtetit. Që nga ai moment e deri në shfaqjen e monedhave të floririt në mesjetën e vonë, paraja e argjendtë do të bëhej monedha e vetme e ekonomisë së sapolindur europiane. Kjo gjë shkaktoi një frakturë – ose ishte shenja më evidente – me botën tregtare dhe ekonomike të Mesdheut, të cilës i kundërvihej monedha e florinjtë bizantine dhe islamike. Sic thotë historiani belg Henri Piren në librin e tij të famshëm “Muhamedi dhe Karli i Madh” (i botuar në vitin 1937) një carje e tillë e unitetit mesdhetar (tregtar, ekonomik dhe politik) përkoi me fundin e botës antike. Për Piren, një unitet i tillë nuk ishte prishur asnjëherë deri në atë kohë, as edhe me rënien e perandorisë romake të Perëndimit.
Një tjetër ndryshim themelor u arrit në fushën e shkrimeve. Në rajone të ndryshme të Europës, gjatë shekujve të Mesjetës së hershme, ishin zhvilluar shkrime kursivë të llojeve të ndryshëm që kishin zëvendësuar gërmat kapitale në përdorim nën perandorinë romake. Një fenomen i tillë kishte kontribuar në kalbjen e përgjithshme të alfabetizimit dhe, si pasojë, rafinimit të shkëmbimeve kulturorë.
Me iniciativë të Karlit, shkrimi u uniformizua, duke vendosur kështu një lloj të ri grafike të quajtur “carolina”, karakterizuar nga gërma të thjeshta si dhe lexim e riprodhim të lehtë të tyre. Qartësia ekstreme e gërmave e bëri që të ngrihet në epokat e mëvonshme në shkrimin bazë të shtypit që përdoret edhe sot e kësaj dite.
Një rilindje e re
Vëmendja ndaj nxitjes së një politike kulturore imperiale karakterizoi konstruksionin e ri të perandorisë së Karlit: u hapën shkolla në të gjithë qytetet e mëdhenj, dhe pati një rimëkëmbje totale të arkitekturës, të ndërtimeve dhe një tentative për të uniformizuar dhe bërë më efikase teknikat agrare. Një lëvizje e tille e përgjithshme reformuese e Europës perëndimore, u pagëzua nga viti 1839 me emrin “Rilindja Karolingiane” nga historiani Zhan Zhak Amper. Ndonëse një shprehje e tillë kundërshtohet sot nga shumë historianë, ajo sintetizon në mënyrë efikase impulsin që Karli diti t’i japë kulturës dhe shoqërisë perëndimore.
Sigurisht, efekti i disa reformave karolingiane ishte i kufizuar: duhet mbajtur parasysh që perandoria qeveriste mbi një territor shumë të madh, ku banorët jetonin të shpërndarë në hapësira shumë të mëdha bujqësore me një shumëllojshmëri të madhe etnish, besimesh, kulturash dhe traditash. Edhe për të kapërcyer dallime të tillë, jurisprudenca karolingiane u përpoq ta bëjë më uniforme bazën e të drejtës, që deri atëherë ishte ende e lidhur me një traditë të shumëllojshme etnike. Ekzistonte ende një e drejtë romake që zbatohej për romanët, një e drejtë franke që zbatohej për frankët, një longobarde për longobardët. Me Karlin e Madh humbi një fragmentim i tillë dhe ligji u uniformizua për të gjithë, me efekte që patën një shtrirje shumë të madhe, që nxitën lindjen e karaktereve të vërtetë nacionalë, jo më të bazuar në sfondin etnik.
Qeverisja e rajoneve kaq të mëdhenj, të lidhura mes tyre në mënyrë të përafërt, detyroi administratën karolingiane që t’ia linte drejtimin e disa territoreve, mbi të gjitha kufitarë, njerëzve të besuar të perandorit. Fillimisht toka u dhanë thjeshtë për menaxhim, por pastaj dalëngadalë u dhanë të drejta, fitime dhe privilegje përfundimtarë. Në këmbim, atyre që u jepeshin u ëkrkohej të administronin këto zona dhe mbi të gjitha t’i mbronin.
Njerëzit e zgjedhur ishin pjesë e rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të perandorit – comitatusi – dhe që më vonë nisën të njiheshin me termin “konte”. Nëse këto rajone ndodheshin në zona kufitare, ato merrnin emrin “marche”. Marche-të karakterizoheshin nga një emergjencë epërhershme ushtarake dhe për këtë arsye do të bëheshin me kalimin e kohës gjithnjë e më autonome.
Mekanizmi i dhënies së të drejtave të trashëgimisë mbi pjesë të territoreve të perandorisë solli në fakt fillimin e procesit të njohur si “feudalizëm”. Një proces i tillë – në epokën e Karlit – balancohej nga autoriteti qendror, që shprehej si me personalitetin e mbretit, ashtu edhe me mbledhje të përvitshme ku merreshin vendime të vlefshëm për të gjithë territorin.
Këta vendime respektoheshin në mënyrë të pakundërshtueshme nga të quajturit missi dominici, funksionarë, peshkopë apo fisnikë që shërbeheshin nga inspektorë për llogari të perandorit. Ata ngarkoheshin në funksionin e kontrollit dhe të rakordimit të funksionarëve publikë të shpërndarë në territoret e ndryshëm që përbënin perandorinë.
Me vdekjen e Karlit, në 814 dhe mbi të gjitha që nga gjysma e shekullit IX, për shkak të një serie përplasjesh mes pasardhësve, pushteti qendror humbi autoritetin dhe aristokracia feudale u bë gjithnjë e më agresive. Arriti në mënyrë progresive të shpronësonte të drejta dhe privilegje nga institucionet qendrorë dhe një proces i tillë shenjoi të gjithë historinë e Europës mesjetare, deri në afirmimin e lëvizjes komunale.
Vdekja e Karlit përcaktoi krizën e një pjese të konstruksionit imperial që ai e kishte organizuar me aq mund. Karlin e pasoi i biri, Ludoviku, i quajtur Piu, i cili megjithatë në kohën kur vdiq në vitin 840 e la perandorinë të ndarë mes tre bijve, të cilët u përballën me njëri-tjetrin në një luftë të ashpër për trashëgiminë. Ludoviku kishte tentuar, me anë të Ordinatio Imperii të 817, që të rregullonte cështjen e trashëgimisë duke i dhënë territore secilit prej fëmijëve meshkuj, por duke ia besuar njëkohësisht sovranitetin mbi të gjithë perandorinë, djalit më të madh. Pavarësisht kësaj, në vitet që pasuan në mbretërinë e tij pllakosën konflikte të njëpasnjëshëm mes pretendentëve.
Vetëm me traktatin e Verdunit, në 843, pasardhësit e Karlit gjetën një”sistemim” territorial. Megjithatë, kjo marrëveshje shënoi fundin e unitetit perandorak, me krijimin e mbretërive të dalluara: Franca perëndimore (Franca e mëvonshme), Franca lindore (Gjermania e ardhshme), ndërkohë që Italia qendrore dhe jugore iu dha perandorit bashkë me një sërë territoresh të Europës qendrore. Italia mbeti e lidhur me atë që mbetej nga institucioni perandorak dhe kjo pati pasoja të mëdha në të ardhmen e historisë së saj.
Fati i Europës
Kështu që, mund të thuhet se, natën e Krishtlindjeve të vitit 800 u vendos fati i Europës. Pikësëpari, për shkak të asaj ngjarjeje, perandoria bizantine pa t’i hiqej e drejta e trashëgimisë formale të perandorisë romake dhe doli kështu krejtësisht nga historia e Europës perëndimore. Franca nisi rrugën e historisë së saj kombëtare dhe u përpoq gjithmonë të ruante rolin si mbrojtëse e papatit romak. Italia, e ndarë mes veriut europian dhe jugut mesdhetar, pa të shfaqet në qendër të gadishullit të saj një territor i qeverisur direkt nga papa i Romës. Gjermania nisi një proces të unifikimit kulturor, liunguistik dhe ekonomik.
Kur, brenda një shekulli, kjo e fundit mori kurorën perandorake, erdhi e u krijua një lidhje gjithnjë e më e fortë, pornjëkohësisht e vështirë me qendrën në Romë. Në fakt, perandori qeverisi mbi Italinë dhe kërkoi që të dëgjohej zëri i tij gjatë zgjedhjeve për Papë. Në të njëjtën kohë, kishte nevojë për Papën për të bërë që të njihej funksioni i tij imperial. Një dikotomi e tillë u shndërrua në bazë të përplasjes së ardhshme mes papatit dhe perandorisë. Shkëmbimi reciprok mes Papës dhe perandorit, që ishte vendosur që me Karlin e Madh, i kish sjellë kishës mbrojtje ushtarake dhe koncesione territoriale. Po shumë shpejt rezultoi një shenjë paralajmëruese e rreziqeve të rinj, mbi të gjitha kur perandori u përpoq të imponohet në emërimin e peshkopëve e madje edhe zgjedhjen e papëve.
Si kompensim, fakti që zgjedhja e perandorit duhej të zyrtarizohej në fakt vetëm me ardhjen në Romë dhe kurorëzimin në Shën Pjetër, u kthye për shumë perandorë, mbi të gjitha për më të dobëtit, në një barrë të rëndë në avantazh të prestigjit papnor. Për një arsye të tillë aristokracia gjermanike mbeti, për shumë shekuj, thellësisht e lidhur me Italinë. Një varësi që më pas, mbi të gjitha në Mesjetën e vonë, u transformua në një marrëdhënie konfliktuale dhe komplekse. /Focus/