NATO: Asnjë kërcënim për Rusinë
Nato ka hedhur poshtë premisat e ripunuara të doktrinës ushtarake ruse. Në këtë doktrinë Aleanca paraqitet si kërcënim themelor..
"Nato nuk paraqet kërcënim as për Rusinë dhe as për ndonjë komb tjetër", deklaroi zëdhënësja e Aleancës perëndimore, Oana Lungescu në Bruksel lidhur me doktrinën e re ushtarake të Rusisë. Të gjitha masat që janë marrë për të mbrojtur partnerët e Aleancës janë qartësisht të një natyre mbrojtëse, të përshtatshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. "Shumë më tepër është qendrimi dhe veprimet e Rusisë që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe vënë në pikëpyetje sigurinë në Evropë", theksoi Lungescu.
Kjo vlen edhe për sjelljen aktuale ruse në konfliktin me Ukrainën. Nato megjithatë do të përpiqet të ketë edhe më tej një marrëdhënie konstruktive me Moskën. Kjo është sidoqoftë vetëm atëherë e mundur kur qeveria atje respekton të drejtën ndërkombëtare dhe parimet ndërkombëtare, tha Lungescu.
"Kërcënim themelor"
Në doktrinën e re ushtarake ruse Nato cilësohet një kërcënim themelor. Aleanca e Atlantikut Verior i ka forcuar "kapacitetet e saj sulmuese" në kufijtë me Rusinë dhe po instalon një "sistem mbrojtjeje antiraketor mbarëbotëror" thuhet në dokumentin e publikuar në Moskë. Në karakterin bazë mbrojtjës të doktrinës, sipas fjalëve të Presidentit Vladimir Putin nuk ndryshon asgjë. Shefi i Kremlinit e miratoi dokumentin në një mbledhje të Këshillit kombëtar të Sigurisë në Moskë. Kohët e fundit Putin kishte theksuar vazhdimisht se Rusia nuk është "agresor". Një sulm preventiv bërthamor nuk e parashikon as ky version i ri i doktrinës, theksuan komentuesit në Moskë.
Edhe Ukraina "një rrezik"
Këshilli kombëtar i Sigurisë publikoi në faqen e tij të internetit një njoftim për ndryshimet me një koment, i cili e cilëson Ukrainën si rrezik për Rusinë. Në të thuhet ndër të tjera se doktrina e përpunuar reagon ndaj situatës në veri të Afrikës, në Siri, në Irak dhe në Afganistan. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, dhe politikanë të tjerë të lartë në Moskë kanë ditë që paralajmërojnë se kursi drejt Nato-s i Ukrainës do të lëkundë arkitekturën evropiane të sigurisë.
Parlamenti i ish-republikës sovjetike miratoi të martën (23.12.) një ligj për dhënien fund neutralitetit. Kështu Ukraina synon të hapë rrugën për një anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore.