Ndriçim Kulla: Një replikë me politikanin e ri Halim Kosova

Nga Ndriçim Kulla –
E quaj dr. Halim Kosovën si politikan të ri, pa ironi. Megjithëse është në moshën 67 vjeç, në politikë ka hyrë vetëm në 2013, në moshën 59 vjeç. Kur Sali Berisha që atëherë ishte kryeministër, e thirri për ta bërë ministër dhe deputet të sigurt në listë. Nuk ka asgjë të keqe që njeriu të hyjë në politikë në këtë moshë, madje edhe më vonë se me kalimin e moshës vjen pjekuria mendore, rritet përvoja, bagazhi intelektual etj. Problemi në rastin e dr. Halim Kosovës është se atë e kishin kërkuar edhe më parë në PD për të kontribuar, si kandidat për deputet, kandidat për kryetar bashkie të Tiranës, por nuk kishte pranuar duke thënë se do të ndiqte karrierën profesionale. Veçanërisht në zgjedhjet lokale të vitit 2000, kur PD ishte në vështirësi për shkak se sapo kishte dalë nga trauma e vitit 1997, anëtarësia e partisë e kërkoi dr. Halimin për të kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, por ai nuk e pranoi propozimin që iu bë madje edhe publikisht. Kjo gjë atëherë doli edhe në media. U mor vesh kjo punë, dr. Halimi i pranoka propozimet për karrierë politike kur e thërresin ta bëjnë direkt ministër dhe ta venë në vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë si në 2013.
Unë personalisht jam afërsisht moshatar me dr. Halimin dhe kam qenë gjithmonë pranë PD-së me mendimet, bindjet, artikujt e mi në shtyp ,me krikat , vlerësimet dhe votën time në këta 30 vjet. Por nuk kam hyrë në politikë aktive më parë , sepse nuk më kanë thirrur ndonjëherë për të kandiduar për deputet.Madje edhe jam refuzuar. Nuk kam ndonjë qefmbetje për këtë gjë megjithëse e ndjej veten të aftë për të kontribuar sa i përket politikës kulturore dhe arsimore , si specialist kulturolog që e mbaj veten në sajë të studimeve dhe botimeve të mia, si ato personale si autor me dhjetra të tilla , ashtu edhe të kolanës së madhe të botimit, promovimit dhe rivlerësimit të Mendimit Shqiptar . Por tash e pranoj ,se në profilin tim intelektual më mungon një dimension që është i domosdoshëm për një kandidat për deputet. Prandaj, si profesionist, ndonëse e ndjej veten të aftë për tu marrë me politik jo aktive , nuk e quaj më veten të aftë për të kërkuar ose pranuar më poste me zgjedhje , ofertë të cilën këtë vitë e kam refuzuar me arsyetim të qartë dhe mirëkuptues.
Më duket se i ngjashëm me mua është edhe dr. Halimi, ndonëse ai nuk e pranon dot këtë gjë. Një profesionist i nivelit të lartë në një fushë të shkencës nuk është e thënë që të jetë automatikisht edhe një njeri i aftë për të qenë politikan i aftë për të garuar si kandidat në poste që kërkojnë votën e publikut, siç është ai i deputetit apo kryetarit të bashkisë. Kjo për arsye se një profesionist dhe ekspert në një fushë të caktuar, kur hyn në një garë zgjedhore duhet të ketë edhe dimensione të tjera të profilit të tij veç profesionalizmit shkencor, siç janë aftësia divulgative dhe veçanërisht ajo propagandistike. Politika, në gara elektorale, le ta pranojmë hapur, ka edhe një dimension të rëndësishëm propagandistik. Dhe ky nuk është mashtrim elektoral. Është aftësi për ta bindur njeriun e thjeshtë se idetë e tua janë më të mira, më funksionale se ato të kundërshtarit.
Çfarëdo që të thotë dr. Halimi për humbjen e tij në garën zgjedhore për kryetar bashkie të Tiranës në 2015, përballë Erion Veliajt, dhe dr. Halimi thotë edhe teori konspiracioni të çuditshme sikur votat ia kanë vjedhur komisionerët e PD-së, në të vërtetë faji është qartësisht i performancës fare të dobët zgjedhore të dr. Halimit. Në garën zgjedhore për Tiranën në 2015, megjithse unë e kam mbështetur Halimin, ndeshja mes Halim Kosovës dhe Erion Veliajt ishte ajo mes një profesionisti të pamohueshëm të një fushe të shkencës, nga njëra anë, dhe një eksperti të propagandës politike, të përgatitur në Perëndim, në anën tjetër. Nuk mund të kuptojmë pikat tona të dobëta pa njohur pikat e forta të kundërshtarit.Dr. Halimi nuk dëshiron ta kuptojë një logjikë të tillë dhe ia hedh fajin partisë që e kandidoi, duke mos parë asnjë faj te vetja.
Duke ndjekur intervistat e dr. Halimit, si atë të dhjetorit, ashtu edhe atë të fundit, me keqardhje vura re një anë të dr. Halimit që nuk mendoja se ekzistonte te ai, aftësinë për të krijuar anekdota vulgare, si ajo kur fyeu disa kolegë në PD, dikë duke e quajtur si njeri me dy palë benevrekë dhe pampersit , dikë tjetër duke e quajtur njeri me zë, as mashkull as femër etj.Veçanërisht në rastin e këtij të fundit, goditja ishte boomerang për dr. Halimin sepse politikani i ri që ai shigjetoi duke aluduar për orientimin e tij seksual është me origjinë nga vendlindja e dr. Halimit, Kavaja.
Kjo prirje e dr. Halimit për të sajuar barcaleta seksuale perverse më shtyn të besoj se është e vërtetë një gjë që e kisha dëgjuar por nuk e besoja, duke e quajtur dr. Halimin njeri me ndjenjë të lartë të deontologjisë profesionale. Më kishin thënë se dr. Halimi tregonte në rrethe të ngushta barcaleta për organin seksual të femrave të cilat i kishte pasur paciente. Në zgjedhjet e vitit 2015, kur garoi për postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, dr. Halimi ra viktimë e një barcalete që e shpiku pala tjetër: Iku doktori i zemrës nga qeveria dhe na ofron doktorin e p… t për kryetar bashkie të Tiranës!
Vulgaritet sigurisht dhe për këtë të më falin lexuesit! Por jo më pak vulgare janë barcaletat që shpik dr. Halimi për njerëzit e PD-së dhe i thotë në intervistat e tij televizive. Një gjë tjetër joetike që më ra në sy në intervistat e tij televizive, është se ndoshta për arsye profesionale i shikon femrat diku në mes të trupit. Intervistuesja e tij e fundit mu duk , se nuk ndjehej mirë nga shikimi i dr. Halimit.
Një tjetër gafë e dr. Halimit është ajo që nxjerr në publik biseda konfidenciale me kryetarin e partisë së tij. Në të gjithë botën ka një etikë politike që bisedat konfidenciale të këtij lloji nuk publikohen as kur personi ka pakënaqësi ndaj kryetarit të partisë. Ky nuk është nënshtrim ndaj vullnetit të kryetarit, por është cështje etike komunikimi.
Nuk e kuptoj se përse dr. Halimi ka kaq dëshirë për t’ u bërë deputet kur ai gjatë kohës që ishte deputet nuk mbahet mend qoftë edhe për një fjalim të vetëm nga foltorja e parlamentit, as për fushën e profesionit të tij, jo më për çështje të tjera. Nëse dr. Halimi paska ide për reformën shëndetësore, siç pretendon, ai mund të ishte ulur të shkruante një libër për këtë temë ose të shkruaj artikuj në shtyp, sepse tani ka edhe kohë, pasi e ka ulur intensitetin e aktivitetit profesional. Unë kam idetë e mia për reformën në kulturë dhe arsim dhe për këto botoj tema të veçanta në shtyp,kur më jepet rasti flas edhe në televizione,por vazhdimisht kam shkruar dhe botuar shumë libra.
Mund të duket sikur po mbaj një qëndrim të llojit “Doni më për Belulin”, por në fakt qëllimi im kur bëj krahasimin mes dr. Halimit dhe vetes në lidhje me raportin tonë me PD-në është që të tregoj se motivi im nuk është që të fitoj simpatinë e partisë për të bërë karrierë politike duke goditur një “armik” të partisë. /Gazeta Shqiptare

SHKARKO APP