Ndryshimi i dytë
Nga Eduard Zaloshnja
Pas 23 qershorit 2013, ish-ambasadori Arvizu tha se ajo datë ishte ngjashme për nga rëndësia me 22 marsin e 1992-shit. Në dritën e zhvillimeve të fundit, ai krahasim duket i egzagjeruar.
Është e vërtetë se në 23 qershor 2013, Shqipëria realizoi me sukses për herë të parë në historinë e saj të ashtuquajturin “test të Hantigtonit” – gjegjësisht, ndërrimin dy herë rradhazi të pushtetit me zgjedhje në kushte normale – por nuk u ndryshua sistemi politik, si në vitin 1992. Në atë vit të largët, u thye monopoli 50-vjeçar i pushtetit të një partie, nëpërmjet zgjedhjeve paqësore, dhe jo me puç ushtarak apo kryengritje të dhunshme.
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013, pavarësisht rëndësisë së tyre të madhe hantingtoniane, nuk sollën një ndryshim në sistemin politik shqiptar, i cili në çerekshekullin e fundit karakterizohet nga duopoli PS-PD (për ndryshim nga monopoli PPSH). Ky duopol vazhdon të mbizotërojë, pavarsisht se parti të vogla futen në koalicion me njërën apo tjetrën parti të duopolit – ato mund të përcaktojnë se cila nga të dyja fiton zgjedhjet, por pastaj thjesht bëhen pjesë e sistemit në ndarjen e tortës së pushtetit.
Dhe a po vjen koha për NDRYSHIMIN e dytë të sistemit politik shqiptar? Që kjo të ndodhë duhet që një lëvizje e re politike të krijojë besimin në elektorat se do të futet në garën për pushtet me synimin për të ndërruar sistemin klientelist-korruptiv të duopolit aktual, dhe jo për të ndarë tortën e pushtetit me të.
Duke analizuar zhvillimet social-ekonomike të çerekshekullit të fundit, duket se terreni për krijimin e një lëvizje të tillë egziston. Vitet kur, të dalë nga varfëria, shqiptarët mund të pasuroheshin me rrugë të shpejta (të ligjshme e të paligjshme), duket se kanë mbaruar. Pallatet që ndërtoheshin me leje korruptive, e që shiteshin që në themel, nuk ndërtohen më kollaj, për arsyen e thjeshtë se nuk ka më aq kërkesë sa ç’kishte më parë (1/3 e banesave janë të pabanuara, sipas Census 2011). Hapja e bizneseve të reja nuk është më aq fitimprurëse sa ç’ishte më parë (pra, është pakësuar edhe mundësia e korruptimit të zyrtarëve me një pjesë të fitimeve të shpejta). Trafiqet e paligjshme nuk janë më aq të lehta për t’u realizuar, sepse trysnia e partnerëve ndërkombëtarë është rritur ndjeshëm (legalizimi i narkotikëve është thjesht një ëndërr e Kokëdhimës…). Dhe së fundi, abuzimi me fondet publike apo punësimin në administratë nuk ka më shumë hapësira, sepse barra e borxhit publik të akumuluar ndër vite është kaq e madhe sa nuk lë shumë mundësi për manovrime.
Në këto kushte, duket se shumica e shqiptarëve nuk shohin ndonjë hapësirë për pasurim të shpejtë nëpërmjet lidhjes me njërën nga partitë aktuale të sistemit (disa, kuptohet, ende shohin). Dhe ndoshta ka ardhur koha që ata të përkrahin një lëvizje të re politike, udhëheqësit e së cilës do ta shohin pushtetin jo si një mjet për të pasuruar veten dhe përkrahësit e tyre, por si mjet për të përmirësuar jetën e votuesve të thjeshtë në përgjithësi.
Por a vërtetohet empirikisht hipoteza e mësipërme?
Nga dy sondazhe që kam kryer në kryeqytet, më ka rezultuar se rreth 33% e votuesve do të ishin gati të votonin për një kandidat të pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjë që tregon se egziston terreni për një lëvizje të re politike, e cila do të sfidonte duopolin PS-PD.
Por a do të lindë një lëvizje e re politike e tillë para 23 qershorit apo pas tij?
Kjo mbetet të shihet. Sidoqoftë, kushdo që mendon ta marrë nismën për krijimin e saj duhet të inkurajohet nga fakti se lëvizje të tilla kanë rezultuar të sukseshme në Europë, si në sondazhe edhe në zgjedhje…
Respublica.al