Ndryshimi i kufijve. Rreziqet për Ballkanin dhe Europën
Forum E Martë, 7 Shtator 2021 20:46
Nga Kastriot Islami -Parimi i “mosndryshimit të kufijve” është një parim i ruajtur me fanatizëm prej shumë vitesh për të ruajtur stabilitetin në shumë rajone të globit ku ekzistojnë minoritete në kufijtë mes shteteve multietnike. Kjo sepse ndryshimi i kufijve, qoftë edhe i vogël, në shumicën dërmuese të rasteve, është shoqëruar me përplajse të ashpra. Më të drejtë një drejtues i lartë europian ka deklaruar se ‘kufijtë ndryshohen me fjalë në letër por me plumba në terren…”. Ka një ide për ndryshimin e kufijve në Ballkan, që ka nisur nga Serbia por që nismën konkrete e ka marrë Presidenti i Kosovës Hashin Thaci për të ndryshuar këtë parim me artikulilimin se bëhet fjalë për ‘korrigjim të vijës kufitare mes Serbisë e Shqipërisë, paqësisht e me mirëkuptim”. Në thelb edhe në këtë rast, bëhet fjalë për cënim të parimit të ndryshimit të kufijve. Ndonëse thuhet “paqësisht e mee mirëkuptim” mes palëve, kjo gjë mbetet për tu vërtetuar në praktikë.
1. Pyetjet dhe reagimet e para për ndryshimin e kufijve…
Pyetjet që janë shtruar gjatë këtyre ditëve janë të shumta: Nëse në këtë rast do të cënohet ky parim, a do të shërbejë ky rast si precedent për një efekt domino në Ballkan dhe në rajone të tjera të Europës e globit? A fshihen pas këtij akti të parë, veprime të tjera në rajon që do të conin në krijimi e shteteve sipas vijave etnike duke hedhur në erë shtetet multietnike dhe hapur rrugë për krijimin e shteteve etnikisht pothuajse të pastra? A mundet vetëm dy shtete të tilla si Serbia e Kosova, madje kur Serbia ende s’e njeh Kosovën, pra pavarësinë e saj e integritetin e saj territorial, të zgjidhin cështjen e vijës kufitare duke ndryshuar këtë parim? A mundet Kosova e vetme të zgjidhë këtë cështje, kur ajo është produkt “ndërkombëtar” ende i papërfunduar në kuptimin që s’është anëtare e OKB dhe disa vënde të BE ende s’e njohin atë? Askush deri më sot s’mund të japë përgjigje të sigurta për këto pyetje…Madje shumica e lidershipit të vëndeve demokratike të globit është kundër prekjes së këtij parimi kurse disa të tjerë janë shumë skeptike, dhe vetëm shumë pak prej tyre deritani rezultojnë “më paqësorë” ndaj këtij veprimi në kuptimin, se ata “nëse palët merren vesh ata s’janë kundër”. Duket e sigurtë se nëse kjo ide do të marrë rrugë, do të shënonte një erë të re për lëvizjet nacionaliste në rajon, në Europë dhe në planet. Mendohet nga shumë analistë se tensionet në shumë zona të Ballkanit e të globit do të rriten deri në nivelin e konflikteve të armatosura.
2. Idea serbe e ndryshimit të kufijve në interes edhe të Rusisë
Idea e ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, e artikuluar nga Thaci, është një ide me origjinë nga Serbia, më saktësisht nga politika serbe, por që do ti shkonte për shtat edhe Rusisë. Kjo ide i ka coroditur qytetarët serbë, të cilët më pare, në shumicë, mendonin se e kishin humbur Kosovën dhe e kundërshtonin ashpërsisht “ndryshimin e kufijve” nga frika se kjo mund të conte në krijimin e Shqipërisë së Madhe, gjë që sipas tyre do të destabilizonte të gjithë Ballkanin. Tani kanë ndryshuar mendje, duke menduar se “korrigjimi i kufirit mes Kosovës e Serbisë” do të hapte rrugën që Republika Serbska e cila aktualisht gjëndet në BiH do të mund ti bashkëngjitej Serbisë dhe e gjitha kjo do të mund të conte, herët a vonë, në bashkimin e të gjithë territoreve serbe, pra krijimin e Serbisë së madhe. Shumica e serbëve mendojnë se zgjidhja e kësaj krize varet nga qëndrimi i Rusisë dhe SHBA. Më konkretisht shumica e serbëve e presin zgjidhjen për ndarjen e Kosovës nga presidenti rus Vladimir Putin. Beogradi zyrtar po ashtu është i bindur se Moska do të mbështesë ndryshimin e kufijve sepse kjo marrëveshje, e pranuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, do të mund të aplikohej edhe për Ukrainën, thënë më konkretisht, ky model do të pranohej për shkëputjen e Krimesë nga Ukraina dhe bashkimin e saj me Rusinë, duke i dhënë fund kështu edhe sanksioneve kundër Rusisë.
3. Ndryshimi i kufijve, nisma – serbe, artikulimi -Thacit, Rama-koordinator
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kanë konfirmuar të shtunën në datën 25 gusht 2018, në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, se “po bisedojnë midis tyre për ndryshimin e kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës. Ata kanë rënë dakord se ky ndryshim i kufijve do të conte në arritjen e një marrëveshjeje paqësore historike mes dy vëndeve duke zgjidhur kështu një krizë që mund të shkaktonte në cdo moment konflikte të reja në Ballkan. Me këtë rast, Vuçiç e Thaçi, i kërkuan së bashku Bashkimit Evropian dhe SHBA-së të mbështesin këtë ide duke ndihmuar kështu në arritjen e kësaj marrëveshjeje historike. Në takimin e Alpbach-ut, pavarësisht se Vuçic vetëm sa ka përmendur në parim mundësinë e ndarjes së Kosovës pa dhënë detaje, ndërkohë që Thaci ka folur vetëm për korrigjimin e kufijve, është e qartë për të gjithë se të dy presidentët duket se kanë rëndë dakord që të ndryshojnë kufijtë mes Serbisë e Kosovës. Mund të thuhet se të gjithë faktorët e brëndshëm në Kosovë dhe në Europë e SHBA i përmbledhin të gjithë këto deklarata në një të vetme: Thaci e Vucic kanë rënë dakord të merren vesh të ndryshojnë paqësisht kufijtë mes Serbisë e Kosovës. Rama është jo vetëm në dijeni por është edhe koordinator i kësaj marreveshjeje pavarësisht se hesht momentalisht. Soros eshte mentori i saj… Kjo duket në pamje të parë një nismë personale dhe e përpunuar fshehtas. Nuk ka asnjë konsultim paraprak insititucional brënda cdo vëndi, së paku kjo duket qartë në rastin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ka një mungesë të theksuar transparence dhe të konsultimit me shoqërinë civile dhe publikun. S’ka asnjë konsultim institucional ndërkombëtar, përderisa Merkel, Britania e Madhe apo vënde të tjera të rëndësishme, deklarohen kundër kësaj nisme dhe shumë liderë apo ish-liderë europianë si dhe ambasadorë të rëndësishëm janë shprehur ashpërsisht kundër kësaj nisme duke evokuar pasojat e rreziqet e saj. Situata rëndohet në perceptimin publik se kjo nismë është marrë nga shtete me nivel mediokër të demokracisë e probleme të shumta të qeverisjes.
4. Cfarë realisht nënkupton kjo nismë?
Edhe Vucic edhe Thaci s’e kanë zbuluar ende se cfarë nënkupton në realitet e konkretisht kjo marrëveshje eventuale mes tyre. Deritani flitet me një gjuhë të drunjtë vetëm për “korrigjim të vijës kufitare” në veri të Kosovës dhe në Jug të Serbisë bazuar në parimin demografik; gjë që është bërë publike përmes një studimi të OJF serbe CAES. Konkretisht nënkuptohet se pjesa më e madhe e komunave të Kosovës Veriore, konkretisht komunat me shumicë serbe Leposhevicë, Zvecan dhe Potok do ti bashkëngjiten Serbisë. Kurse komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që ndodhen në Serbinë Jugore janë kërkuar ti bashkëngjiten Kosovës. Territoret e tjera në Kosovë të banuara masivisht nga serbët ose ku gjënden manastire ortodokse do të kërkohej të fitonin një status special. Në shkëmbim Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës, gjë që do ti hapte asaj dyertë për tu anëtarësuar në organizmat ndërkombëtarë. Një marrëveshje e cila në pamje të parë duket shumë konstruktive dhe e pwlqyeshme nga palwt dhe si e vetmja zgjidhje për momentin përderisa palët nuk bien dakord ndryshe, por që në fakt mund të shërbente si precedent për shumë raste të tjera.
5. BE e përcarë kundër ndryshimit të kufijve
BE-ja nuk ka shumë dëshirë për ndryshimin e kufijve. Merkel fillimisht është shprehur qartas dhe ashpër kundër ndryhsimit të kufijve duke thënë se ky është qëndrimi i të gjithë vëndeve të BE. Por ky qëndrim është lëkundur në forumin e AlpBach-ut ku ka marrë pjesë komisioneri europian Johannes Hahn i cili rezulton të ketë një qëndrim paksa të ndryshëm nga ai i Merkel dhe shumë vëndeve të BE. Mbetet për të parë nëse ky qëndrim i Hahn është personal apo ai përfaqson një mendim ndryshe të Komisionit Europian. Ndërkohë që Thaçi ka shpjeguar në këtë forum se “vendet e rajonit, BE-së dhe vendeve të tjera të botës s’duhet të kenë frikë nga një marrëveshje paqësore mes Kosovës e Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë do të përfshinte edhe korrigjimin e kufijve.” Por deri më sot askush nuk është naiv të besojë në sinqeritetin e Vucic për të respektuar integritetin territorial të BiH, aq më tepër që kjo gjë nuk do të ishte më në dorën e tij?! Kjo ka qënë arsyeja që fillimisht drejtuesit e BE e kanë kundërshtuar ashpërsisht idenë e ndryshimit të kufijve sepse kanë frikë që kjo do të conte në ndryshimin e kufijve edhe në zona të tjera të Ballkanit. Nga ana tjetër Hahn ka deklaruar në Alpbach se “asgjë nuk përjashtohet në këtë stad të bisedimeve mes palëve” duke i kërkuar ndërkohë Vucic e Thacit që “marrëveshja të mos destabilizojë rajonin”, gjë që pa dyshim s’është në dorën e tyre. Po ashtu edhe Hahn duket i pasigurtë në qëndrimin e tij sepse po ashtu edhe ai ka evokuar “rreziqet e një efekti domino në rajon e më gjërë nëse kjo marraveshje arrihet…”.
6. Uashingtoni distant ndaj kësaj nisme, por jo kundër
Ambasada e SHBA në Beograd ka shprehur qëndrimin “mbështetës në parim” për përpjekjet e Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur mes tyre një zgjidhje, por ka kërkuar prej tyre më shumë informacion sepse në këtë rast s’do të kishte liri të pakufizuar veprimi. Ambasada ka kërkuar që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme që ‘s’krijon destabilitet në asnjë nga vëndet e rajonit…”. I njëjti qëndrim është artikuluar edhe nga këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton, i cili konkretisht ka thënë se “politika e SHBA do të mbështeste mundësinë e korrigjimit territorial mes dy vëndeve nëse kjo gjë arrihet me marrëveshje mes dy palëve”. Ai ka shtuar se “Uashingtoni s’do të përzihej në këto negociata e ndërkohë beson se askush në Europë s’do të ishte kundër nëse të dy palët do të gjenin një zgjidhje të pranueshme për të dy palët..”.
7. Rusia mbështet ndarjen e Kosovës në interes të Serbisë
Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Cepurin ka deklaruar se ‘Rusia do të mbështeste ndarjen e Kosovës nëse Serbia e vlerëson se kjo është zgjidhja e saj më e mirë për të.” Zëdhënesja e Minstrisë jashtme të Rusisë Zaharova ka deklaruar se Moska “do të respektonte një marrëveshje të pranueshme për popullin serb…”. Ndërkohë ajo ka përgënjeshtruar lajmet e rrema se Presidenti Putin dhe Presidenti i SHBA Donald Trump kanë diksutuar mes tyre për ndarjen e Kosovës.
8. Qëndrimet kontradiktore të ish-lidërve europianë
Ish-Përfaqsuesi i lartë për BiH Karl Bild është i bindur se “ndarja e Kosovës do të jetë një rrezik i madh për të gjithë rajonin dhe kjo do të hapte kutinë e Pandorës.” Sipas tij “cdo ndryshim eventual i kufijve në Ballkan” do të conte në “destabilitet gjeopolitik” dhe do ishte një “rrezik për të ardhmen dhe paqen në BiH dhe Maqedoni”. Sipas mendimit të tij kjo marrëveshje do të inkurajonte “balkanizimin e mëtejshëm të Ballkanit që do të conte në konflikte të reja dhe gjakderdhje…”. Ndryshe nga Bildt, diplomati ausriak Wolfgang Petric, ish Përfsqsues Special për Kosovën dhe Përfaqsuesi i Lartë i Komunitetit ndërkombëtar për BiH shprehet se “nuk ka frikë nga një korrigjim i vogël i kufijve…”, nëse “ky korrigjim nuk do të shkaktonte ndryshim të strukturës etnike të vëndeve respektive…”. Ai ka thënë se “për një kohë të gjatë ka pranuar parimin e pranimit të kufijve aktualë dhe vazhdon ta ruajë këtë qëndrim, por në ndonjë rast të rrallë nuk ka asgjë të keqe nëse këto kufij rishikohen…”. Paddy Ashdown, politikan e diplomat britanik, dhe Përfaqsues i lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në BIH, në një intervistë të tij, ka deklaruar se “cdo ndryshim kufijsh, kudo që të ndodhë, në Ballkan apo gjetiu, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se do të cojë në ndryshim të tyre edhe në rajone të tjera. Ndryshimi i kufijve mes Serbisë e Kosovës është shumë, shumë i rrezikshëm, prandaj ata janë në rrugë të gabuar. Sepse cdo ndryshim kufijsh në Ballkan con në luftë. Dhe jo getëm në Ballkan. Cfarë do të ndodhë me Vojvodinën? Mendoni ju se shqiptarët në Maqedoni dhe Malin e Zi do të qëndrojnë duarlidhur? Po në Sanxhak cfarë do të ndodhë? Dhe ajo që është më e rrezikshmja, cfarë do të ndodhë me BiH?…”
9. Rreziku kryesor i cënimit të parimit të mosndryshimit të kufijve
Një marrëveshje eventuale, mes Serbisë e Kosovës, e bazuar në ndryshimin e kufijve, qoftë edhe në mënyrë paqësore e konsensuale, është mjaft e sigurtë se do të shkaktonte efekt domino për të mos thënë tërmete dramatike në të gjithë Ballkanin por edhe më gjërë në Europë. Konkretisht kjo marrëveshje eventuale do të shoqërohej së pari nga kërkesa të menjëhershme për ndryshime kufijsh në Ballkan, duke tronditur integritetin e BiH, Maqedonisë, Mali të Zi e tjerë ku me shumë gjasa do të implikoheshin herët a vonë edhe Kroacia, Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Kurse ndikimi më i gjërë do të vinte nga kërkesat për shpalljen e pavarësisë nga Katalonia apo Skocia, e gjetiu, duke tronditur integritetin e Britanisë së Madhe, Spanjës, Belgjikës, e tjerë. Kjo nismë nuk do të linte pa prekur edhe Ukrainën e Gjeorgjinë, thënë ndryshe të gjithë zonat ku ka “konflikte të ngrira” në të gjithë globin.
10. Republika Serbe e BiH do të ishte e para që do të reagonte…
Për të kuptuar sesa e rrezikshme është kjo ide e ndryshimit të kufijve mes Serbisë e Kosovës mjafton të lexohet reagimi i udhëheqësit të Republika Serbska Milorad Dodik i cili ka deklaruar: “zgjidhja e statusit të Kosovës nuk duhet të jetë e ndarë nga zgjidhja e statusit të Republikës Serbska dhe për Republikën Serbska duhet të përdoren të njëjtat argumenta sic përdoren edhe për Kosovën…”. Dodik ka thënë qartas se “zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Serbisë e Kosovës nënkupton edhe zgjidhjen e statusit të Republika Serbska”. Ky është një reagim tashmë i deklaruar në trajtë eksplicite, por janë të shumta raste kur kjo deklaratë do të mund të vinte nga pothuajse të gjithë shtetet e Ballkanit.
11. Marrëveshje për Serbinë e Madhe, por jo vetëm…
Në realitet pas kësaj kërkesë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë, thënë në mënyrë paqësore, fshihet idea e vjetër e Serbisë së Madhe. Por edhe nëse kjo nuk do të ishte e vërtetë, sapo kjo marrëveshje të miratohej menjëherë do të hapeshin orekset për Serbinë e Madhe, dhe ato do të ishte e pamundur të ndaleshin sepse do të bazoheshin në të njëjtin parim të ndryshimit të vullnetshëm të kufijve. Madje ky oreks për Serbinë e Madhe me siguri të plotë do të përfshinte edhe shumë kombe të tjerë në Ballkan e më gjërë për të bërë të njëjtën gjë. Dodik prej kohësh ka kërkuar bashkimin e të gjithë territoreve ku jetojnë serbë, duke nënkuptuar jo vetëm Veriun e Kosovës por edhe zonat ku pakicat serbe jeton në Malin e Zi, duke mos përmëndur për momentin edhe kërkesat ndaj Kroacisë sepse kreu i HDZ në BiH ka mbështëtur idenë e pavarësisë së Republika Serbska. Po ashtu kjo ide e Dodik mbështetet edhe nga shumica e kroatëve të BiH sepse kështu krijohen hapsira edhe për fillimin e një procesi të ngjashëm për ta.
Panorama, 29 gusht 2018