Ndryshimi pozitiv në Kosovë nuk mund të ndodh

*Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 8 dhjetor 2014

Derisa nuk ishin formuar institucionet pas zgjedhjeve të 8 qershorit, kishim krizë të butë në sistemin politik. Tash kur po formohen institucionet, nis thellimi i vërtetë i krizës dhe rëndohet gjendja për qytetarët e Kosovës drejt shpërthimit. Populli te ne më shumë vuan nga funksionimi i institucioneve sesa nga mosfunksionimi i tyre, për shkak të orientimit të mbrapshtë që kanë institucionet dhe udhëheqjes edhe më të mbrapshtë të tyre. Sot është dita më e errët për sistemin politik në Kosovën e pasluftës. Në njërën anë, kreu i Shërbimit Sekret të PDK-së u bë kryeparlamentar dhe tash interpreton rregulloren e Kuvendit të Republikës. Në anën tjetër, dy parti që po rrudhen, u bënë bashkë për të sjellë edhe më shumë gjëra të njëjta: korrupsion në qeveri e mjerim në popull, privatizim në ekonomi e koncesione ndaj Serbisë.

Nëse shikohen votimet e deputetëve në mandatin e kaluar, ata që rregullisht kanë votuar për privatizimet e egra dhe pazaret me Serbisë, si askush tjetër, kanë qenë pikërisht agjentët e ShIK-ut që e përbënin gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së. Në mandatin  kaluar ne e patëm marrë nismën për një Komision Hetimor Parlamentar për ShIK-un dhe i patëm mbledhur asokohe 27 nënshkrime. Tash, në këtë mandat, në legjislaturën e V-të, jemi së paku 33 deputetë të opozitës dhe kur të na bashkohen edhe 8 deputetë të LDK-së që votuan kundër Veselit kjo është mëse e mjaftueshme që ne ta formojmë këtë Komision Hetimor Parlamentar për ShIK-un. Kjo është shumë e domosdoshme. Nuk ka shtet demokratik, nuk ka Republikë Parlamentare, nuk ka drejtësi ligjore pa e hetuar dhe zbardhur çështjen e ShIK-ut.

15 vjet në Kosovë kanë bashkëjetuar ShIK-u dhe UDB-ja pa u përleshur askund asnjëherë. Ndoshta nuk kishte zatetje që të ketë përleshje do të thoshte dikush? Apo, ndoshta, kishte zatetje pa përleshje do të thosha unë. Po të ishte ShIK-u kundër Serbisë do të merrej me strukturat e Serbisë, sidomos, në veri dhe me njerëz si Ramiz Kelmendin, por jo me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Për një dekadë është ushtruar e pajisur ShIK-un në Kosovë. Erdhi koha e mirë si asnjëherë më parë, që këtë dije e përvojë ShIK-u ta përdorë në veri të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe atëherë kur PDK-ja e mori pushtetin. Mirëpo jo: ata u morën dhe merren vetëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE! e kundër saj, por edhe kundër LDK-së e cila tash bleu paqen e turpshme duke e shitur veten.

Agjentë të ShIK-ut janë shpallur fajtorë në gjykata e janë dënuar me ç’rast disa prej tyre ndodhen në arrati. Në dëshminë e tij para prokurorit të EULEX-it, kreu i ShIK-ut, Kadri Veseli, sipas gazetës Koha Ditore të datës 1 shtator 2011, ka deklaruar se ka pasur kontakte dhe bashkëpunim me bashkëpunëtorë të Serbisë me ç’rast njeriu i ngarkuar për këtë bashkëpunim kishte qenë hiç më pak se drejtori i përgjithshëm i ShIK-ut, Ferat Shala, i cili, deri vonë ishte drejtor i përgjithshëm i Trepçës! Gjithsesi shtet i kapur dhe tash LDK i kapet vet kapjes së shtetit.

Në një takim që kishim me Isa Mustafën, ai patë thënë që as UDB-ja nuk ishte e keqe si këta të ShIK-ut. Se ShIK-u janë më zi se UDB-ja. Kurse publikisht ka deklaruar se krerët e ShIK-ut i kanë duart me gjak. Tash, po ky i njëjti po synon të bëhet kryeministër në shtetin e kapur nga ShIK-u dhe PDK-ja. Kombinimi i lakmisë personale për pushtet me frikën nga mund ta shpiejnë ato 70 dosje për Komunën e Prishtinës, të po këtij personi, e formoi këtë koalicion. Në ish koalicionin LAN, çështja ishte nëse prioritet ishte shumica parlamentare apo posti i kryeministrit. Gjatë pesë muajve prioritet ishte shumica parlamentare, por në fund u rikthye mëkati fillestar, posti i kryeministrit, dhe u shkatërrua shumica parlamentare. Isa Mustafa iu nënshtrua PDK-së dhe u bë pjesë e shtetit të kapur dhe kapjes së shtetit. Shumica parlamentare nuk u prish prej poshtë, prej anëtarësisë, prej deputetëve të LDK-së, por u prish prej lart, prej krerëve të partive.

Kosova është një vend ku borxhet private (të politikanëve për pushtet) bëhen borxhe publike (të qytetarëve që mbijetojnë). Tash, mund ta ketë thënë edhe dikush tjetër, ndoshta shumë të tjerë, por ja që unë prapë e kam dëgjuar prej Ismet Beqirit se nuk shkojnë me PDK e me ShIK asnjëherë se edhe profesor Sabri Hamitin nuk e ka plagosur UDB-ja por këta të ShIK-ut. Dhe, unë sot e pashë se si profesor Hamiti e ngritë dorën për atë që u instalua si kryeparlamentar. Tash, profesor çka me bo me ata libra që i ke shkruar? Çka me bo me titullin akademik? Çka me bo me doktoraturën tuaj? Se, për doktoraturën e këtij që po e kryen duhet t’ia marrim atij që po ia jep doktoraturën këtij se lërë më që këtij nuk duhet me ia dhënë doktoraturë.

Deputetë të Kuvendit të Republikës,

Ndryshimi pozitiv në Kosovë e për Kosovën nuk mund të ndodhë me PDK-në por në opozitë me të. Ata që nuk e përjashtojnë mundësinë e koalicionit me PDK-në e përjashtojnë Kosovën nga mundësia e ndryshimit. Ata që kanë bërë koalicion me PDK-në kanë zhbërë vetveten në kapje të shtetit.

S’ka dyshim që PDK-ja është korporata më e fuqishme kosovare. Ajo është shoqëri aksionare publikisht e së jashtmi, kurse privatisht së brendshmi është biznes individual ose familjar i aksionarëve. Në fakt, moti ishte kështu. Tash, më shumë janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, ku kapitali nuk ndahet në aksione, por themeluesit përgjigjen vetëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Të tjerët aty janë argat me pagesë.

Parulla e PDK-së ju e dini cila është: “Familja, Prona, Shteti”. Pra, shteti në funksion të pronave të familjes. Me PDK-në, ju LDK-ja s’mund të bëni koalicion. Me PDK-në nuk është i mundshëm koalicioni. Me PDK-në duhet të bëheni një familje. Pra, duhet të hyni në familje se koalicioni nuk është i mundshëm. E, ju, pikërisht këtë gjë e keni bërë. Pra, keni hyrë në një familje me ta.

Marrëveshja e 10 shtatorit parashihte komisione hetimore parlamentare sipas nenit 71 të Rregullores së Punës së Kuvendit për dialogun e privatizimet e deritanishme dhe rezultatet e tyre, duke e përfshirë këtu edhe mekanizmin e Komisionit të Venedikut. Te PDK-ja nuk shkoi Mustafa me qëndrimet e marrëveshjes së 10 shtatorit, që i ka nënshkruar vetë. Pra edhe një dëshmi më shumë se ju nënshtrua vizionit a misionit a si të doni ta quani të PDK-së. Për një marrëveshje për të mirën e Kosovës si ajo e 10 shtatorit na u deshën 3 muaj. Kurse për të arritur një marrëveshje për të keqen e Kosovës, si ajo e 19 nëntorit te presidentja, u deshën 3 minuta.

Programi qeverisës që nuk u prezantua sot këtu i mungonin po ashtu edhe emrat e kabinetit qeverisës. Neve po na kërkohet që njerëzit të votohen nga përshtypja e deritanishme pa ua ditur njëherë as emrat dhe gjithsesi pa treguar çka do të bëjnë ata në katër vitet e ardhshme të këtij koalicioni. Isa Mustafa foli për luftim të varfërisë por për luftë të të pasurve të korruptuar nuk guxon të flasë. Të gjithë njerëzit që flasin për varfëri pa folur për të pasurit janë hipokritë. Nuk mund të flasësh për të varfërit pa folur për të pasurit. Nuk mund të flasësh qysh dikush u bë i varfër pa e këqyr qysh u bënë të pasur këta që u bënë të pasur. Tash, çështja themelore është a do të luftohen krimet financiare të Gani Thaçit? Një ndër kriminelët më të mëdhenj në Kosovë ka mundur të jetë një qytetar shumë i mirë i Republikës mos me i pas qellu vëlla Hashimi. Por, i ka qëlluar vëlla Hashimi dhe u bë një ndër kriminelët më të mëdhenj. A do të luftohet ai? A do të luftohen krimet tregtare të Ramiz Kelmendit? Ai që bën importe e mallrat e Serbisë i sjellë këtu. A do të luftohen këta njerëz? Sigurisht që jo. Mos harroni z. Mustafa, por edhe nëse harroni këta ua përkujtojnë, se këta të PDK-së kanë shumë vëllezër. Dhe, vëllezërit nuk i kanë për te shtëpia por për kurriz të popullit. Parulla e tyre, edhe njëherë, është: “Familja, Prona, Shteti”, ku fjala Familja lexohet italisht qysh na kanë mësuar këta protagonistët e Pronto aferës, pra, La Famiglia.

SHKARKO APP