Në 1991 PD ka votuar për ekipin drejtues dy herë për 48 orë
Nga Afrim Krasniqi
Më 1990 PD e krijuar nga studentë e intelektualë, u takua për herë të parë me praktikat demokratike të votimit dhe vendimmarrjes.
Në shkurt 1991 votoi dy herë brenda 48 orësh për të ndryshuar ekipin drejtues, kriza u evitua dhe kompromisi midis dy grupeve u ruajt deri në shtator 1991.
Në Kuvendin e parë pati garë reale për kryetar, votim të fshehtë, zgjedhje të pakontestuara. U votua kryetari dhe kryesia, e përsëris, kryesia. I vetmi rast në 27 vjet kur kryesia votohet nga Kongresi, pra mandati i çdo anëtari të kryesisë është i njëjtë me mandatin e kryetarit të partisë.
Kjo formë votimi krijon personalitete dhe minimizon riskun e centralizimit partiak apo identifikimit me emrin e kryetarit dhe të besuarve të tij.
Më 1992 PD erdhi në pushtet dhe raporti me votën ndryshoi, – uniteti rreth pushtetit ishte më i madh sesa përkushtimi ndaj rregullave të brendshme demokratike. Por duhet thënë, – kryetari i parlamentit Arbnori e kryeministri Meksi u zgjodhën me votim të fshehtë e rivalitet të ashpër në Këshillin Kombëtar (diferencë vetëm dy vota, në raundin e tretë të votimit në garën midis Arbnorit e Imamit, rivalitet po ashtu midis Meksit e Koplikut).
Në gusht 1992 një pjesë e PD u nda prej saj, (mocionistët), me formë represive, por në thelb, me miratim dypalësh, pasi dy palët bënin llogari të gabuara mbi mbështetjen e tyre publike. Më 1992 Berisha u bë President, Selami e Imami konkurruan me votim të fshehtë për kryetar partie.
Ishte hera e fundit kur ka pasur garë reale për kryetar. Më 1993, 1997, 1997, 1999, 2001, 2005, 2009 gara ka qenë fiktive, me kandidat të dytë formal ose me vetëm një kandidat. Më 2013 pati përpjekje për një garë, por rezultati ishte paracaktuar “nga lart”.
Pra, në bilancin 27 vjeçar votimet reale konkurruese brenda PD kanë bilanc minimal, – dhe vetë kalimi nga votimi i kryesisë përmes Kuvendit Kombëtar (1991) tek emërimi nga kryetari me praktika formale (2014), apo nga modeli i mbledhjeve të rregullta (kryesia çdo muaj, Këshilli Kombëtar çdo dy muaj më 1991-1993) në mbledhje kryesie një herë në vit apo zero mbledhje të Këshillit Kombëtar në katër vjet siç ka ndodhur pas 2009 e në vijim, – tregon deformimin e madh në konceptin e zgjedhjeve dhe demokracisë funksionale në PD.
Nga ana tjetër, më 1991 statuti i PD përcaktonte detyrimin e kryetarit për vetëm dy mandate drejtimi (dy plus dy vjet), rregull që u ndryshua në dhjetor 1993, dhe tashmë ka kaluar në mandate pa limit drejtimi.
Shikoni garën sot: statuti nuk u respektua, nuk ka regjistër të anëtarësisë, në KQZ partiake u caktuan besnikët e njërit kandidat, media partiake dhe drejtuesit lokalë sulmojnë ashpër deri në denigrim e thirrje për përjashtim çdo zë kritik, vetë partia është me njërën këmbë në qeveri dhe tjetrën në opozitë, dhe e gjithë struktura organizative është në funksion jo të zgjidhjes së krizës, por të thellimit të saj, e etur për përjashtime të reja, me parimin, një i përjashtuar dmth një rival më pak për post, para, privilegje e imunitet në parti!
Pas 27 vitesh PD, ironikisht dhe paradoksalisht po përballet me produktin e vet historik, – zgjedhjet, votën dhe vendimmarrjen e brendshme. Partia që krijoi pluralizmin dhe solli konceptet e para të demokracisë, po përballet pa sukses me krijesat e saj, – me pafuqinë për të respektuar vlerat mbi të cilat u krijua dhe institucionet demokratike që formësoi në vitet e para të pluralizmit. Shikoni zhvillimet e muajit të fundit në PD: zemërim, sulme, denigrim, përjashtim apriori të mendimeve të tjetrit, fiktivitet në struktura, shantazh nga KQZ-ja partiake ndaj çdo kritiku të shefit, fake news në media kundër kritikëve e rivalëve, ligjërim përjashtues dhe baltë, baltë, baltë pa fund.
A ka lidhje kjo gjendje, ky mentalitet, kjo kulturë, kjo situatë, kjo parti me gjendjen, mentalitetin, kulturën, situatën e forcën politike të viteve 90-93? Gjithnjë e më shumë jo. PD po korr atë që ka kultivuar, – kulturën e përjashtimit dhe besnikërisë së verbër ndaj liderit të vet, si në ditët kur ai ecën drejt suksesit, si në ditët kur ai ecën drejt greminës.
Kjo kulturë e verbër militante, periferike dhe e kohës së revolucionit kinez, imiton gruan e famshme socialiste të Beratit, e cila bëri headline një dekadë me thënien “nuk duam as bukë, as ujë, por duam të pajtoheni rreth shokut Fatos”.
PD e sotme ka nevojë të shihet në pasqyrë, pa praninë e kamerës dhe pa make up. Vetëm ashtu do ta kuptojë se është partia politike që ka përjashtuar më shumë njerëz në 27 vjet në Shqipëri. Nuk ka asnjë konkurrente tjetër për nga numri i të përjashtuarve, grupet armiqësore dhe vreri ndaj të vetëve, retushimi i historisë dhe zhdukja e memories. Askush tjetër. Absolutisht. Dhe pasojat?
Nga parti e intelektualëve e studentëve është shndërruar në një grupim amorf miqsh, shokësh, familjesh dhe militantësh që kanë alergji ndaj kritikës, mendimit ndryshe, votës ndryshe, po aq sa edhe ndaj librit. Shikoni të ardhurit e rinj në listat e emëruara: u paraqitën si modele civile por në ligjërim, janë po aq militantë sa i dehuri që ka humbur rrugën dhe sillet rreth e rrotull për ndonjë qokë në oborrin e selisë së PD-së. Asaj i mungon elita, i mungon vizioni, i mungon energjia, i mungon forca për të ndryshuar, i mungon kultura e respekti ndaj vlerave mbi të cilat u krijua, i mungon memoria dhe trashëgimia. Kjo është drama më e madhe e PD, jo thjesht humbja e një gare tjetër elektorale në listën e gjatë të humbjeve.
Zgjidhja? Natyrisht mbijetesa e PD-së është e garantuar. Kështu siç është, në rastin “më të mirë” rrezikon të mbetet edhe një legjislaturë tjetër pas 2021 në opozitë, në rastin më të keq kthehet më 2019 dhe 2021 një konkurruese me LSI për vendin e dytë.
Por mbijetesa nuk është alternativë dhe Shqipëria ka nevojë jetike për alternativë. Sa më parë, sa më mirë, sa më qartë, sa më cilësore, sa më funksionale dhe sa më konkurruese, – cilësi që PD e para dhe pas 22 korrikut nuk i garanton dhe për më të tepër as nuk i synon. PD nuk mund të presë deri në ditën kur PS të dështojë dhe të largohet vetë nga pushteti. Shqipëria meriton alternativë, meriton mundësi zgjedhjeje.
Në këto rrethana ka dy rrugëzgjidhje: E para, një pakt publik mirëbesimi midis atyre pak elitave që kanë mbetur brenda saj, për reformim, parime e ndryshim thelbësor në strukturë, përbërje, funksionim e program gjatë 1-2 viteve të ardhshme. Mund të ketë një mbledhje të jashtëzakonshme midis grupit parlamentar që ikën dhe atij që vjen, mund të ketë një produkt të “të urtëve”, etj, por në thelb, është absurde që PD të ketë pakt me Ramën dhe të mos ketë pakt brenda saj.
E dyta, nevoja jetike për një ushtrim horizontal demokratik brenda saj, – trajnim demokratik për të gjitha nivelet, zgjedhje në çdo nivel, konkurrencë në çdo nivel, legalizim të fraksioneve, garanci e mendimit ndryshe, me shpresë se pas 2-3 vitesh brenda saj do kuptohet thelbi i një partie, – se nëse nuk je demokratike nga brenda për familjen politike dhe mbështetësit, nuk mund të jesh kurrë demokratike jashtë, për shtetin e shoqërinë.
Alternativa e parë kërkon hapa pas nga të gjitha grupet rivale në PD, hapje, hapje dhe një proces reformimi të gjatë e të thellë ndofta nën kujdestarinë e një ekipi ekspertësh nga CDU.
Alternativa e dytë kërkon një pakt vlerash, regjistrim të ri të anëtarësisë, dorëheqje të të gjithë drejtuesve në çdo nivel dhe garë nga e para, nga poshtë deri tek kryesia e kryetari. E para kërkon lidership, kurajë, vizion, – tri elementë që PD-së dhe atyre që flasin në emër të saj në tërësi i mungojnë, e dyta kërkon vullnet politik dhe presion nga poshtë, dy elementë për të cilat ende nuk janë të ndërgjegjësuar as ata lart, as ata poshtë.
A i ka PD këto potenciale? Ka njerëz në PD që i kanë kurse koncepti i partisë si institucion ka humbur, ndaj është i pamatshëm.
A ka ndërgjegjësim për gjendjen ku ndodhet dhe çfarë e pret? Jo, fatkeqësisht jo. Sepse modeli klientelist e oligark funksionon në dy kahje, në qeveri dhe në opozitë.
A janë konsumuar të gjitha mjetet? Jo, ende jo. 22 korriku nuk zgjidh asgjë, por mund të hapë derën drejt zgjidhjes.
A ka iluzion se zgjidhja mund të vijë nga ish kryetari “historik”?
Është naive të mendohet kjo, gjendja alarmante ku ndodhet PD dhe opozita sot është më së shumti meritë e tij.
A ka potencial për ndarje të re të PD? Unë jam i sigurt se po, dhe se teza se “nuk kanë ku të shkojnë” është sa naive aq edhe nxitëse për fragmentarizëm më të madh të përfaqësimit opozitar në Shqipëri.
A ka pika takimi ku palët mund të gjejnë kompromis?
Po, disa. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar censi për të ecur drejt një zgjidhje reale, funksionale, institucionale dhe afatgjatë.
Merruni me idetë dhe jo me individin; mësoni të dëgjoni, të kërkoni ndjesë, të mendoni përpara se të flisni dhe të çmoni 2-3-4 emra liberalë në formim që kanë mbetur ende aty. Nëse jo, nëse vijohet me retorikë militante e populiste, nëse injorohet realiteti, atëherë Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë funksionale dhe e majta, ka arritur në tavolinë, një fitore shumëfish më të thellë sesa me 25 qershor.