Në Barcelonë
HABERET E MITROS
Nga Mitro Çela
Korrik 2015. Në Barcelonë për vakanca. Hoteli me dy cepa. Larg shijeve të Ezmerkës. Por i vendosur në mesin e rrugës "La Rampa", më të bukurën e qytetit, ja rriti pjacën shkodranes sime. "Kam çfarë me u mburr tek shoqet!" Filozofi e përjetshme e gruas. Dy gjëra zbuloi Ezmerka, pa nisur nga "puna". Së pari, më 3 korrik fillonin skontot. Së dyti, dielli perëndonte në orën 22. Dhe u vendos. D.m.th vendosi ajo: Plazhi nga ora 18 deri në orën 22. Kusuri: Zbor në dyqane dhe tur turistik. Si katolike Ezmerka vendosi ta fillojmë nga katedralja. Kryevepra e arkitektit Antonio Gaundi. Ezmerka bisedonte me sportelisten:
– Sot nuk mund ta vizitoni katedralen. Ka shumë turistë në radhë. Por ka një zgjidhje. Në se paguani dy dollarë më shumë, s’ka radhë. Mu drejtua mua. Ju jeni i moshuar…U vrenjta… Bileta për ju tre euro më pak…Buzëqesha…
Duke përfituar nga logjika e ekonomisë së tregut, u futëm në katedrale. Vizitën e filluam nga bodrumi, ku ishte vendosur muzeu. Në një nga sallat, në mur një citat nga Nënë Tereza…"…Lutja për shpirtin, është si gjaku për trupin." Thotë ciceronja:-Nënë Tereza e Kalkutës…-E drejtë, por duhet një korregjim: Nënë Tereza nga Shqipëria,- ndërhyra unë!..Ciceronja buzëqeshi dhe tundi kokën. U riktheva pas një ore. Dëgjova ciceronen: "Nënë Tereza e Kalkutës është me origjinë nga Shqipëria…"
-Nuk quhet turizëm në Barcelonë, pa parë Flamengo,- u përdrodh Ezmerka.
-Marr guximin të të kujtoj, se bileta kushton 35 euro, tek e tek?!
– Kot thonë që gjirokastritët lidhin macen. Përmetarët lidhin macen me gjithë kotele…
Salla ishte aristrokatike. Koncerti i rrallë. Kishte një gërshetim të muzikës klasike me vallet dhe këngët Flamengo. Duke zbritur shkallët, drejt nesh një balerinë. Zgudullova sytë. Më shumë lëkurë e butë femre, se sa fustan alla frenge! Çpatë! Të kapi tartakuti,- dëgjova melodinë e njohur të Ezmerkës. Balerina më zgjati një copë letër. Kuptohet e rrëmbeu zonjëza ime. Ishte një pyetësor. Kur Ezmerka shkruante, më shumë për hakmarrje nisa muhabetin: -Nga të kemi? Balerinë punon? Ku e ke bërë shkollën? Mos është ndryshe Flamengo sot?…Mbete fshatar,- dëgjova melodinë e Ezmerkës!
-Kemi bërë martesën e Flamengos me Traviatën e Verdit. Hibriti pëlqehet më shumë nga turistët…Nga Shqipëria? Uaa…Çfarë fati?…Lëpiva baluket, edhe pse në këmbë ndjeva këpucën e Ezmerkës!…Kam parë një koncert të Ilva Mulës! Një zë perëndie! E dini? Pas koncertit u shtrua një banket. Trokitëm gotat? Që nga ajo ditë kam regjistruar të gjitha koncertet e saj nëpër botë!
Në qendër të qytetit është një librari. Gjigante. Infinit librat. Por pak. Shumë pak blerës. Prapa një tavoline qëndronte një vajzë: – E njihni Kadarenë?…Vajza u ngrit në këmbë. I shkova prapa si manar. Qëndroi para një vitrine të stërmadhe. Zgjati dorën dhe mori librin: "Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave".
-E vutë re? Libri i Kadaresë qëndronte mes Kafkës dhe Kunderës. Sipas meje, dy çekët vlejnë më pak se Kadareja…
Nëse kërkon në Barcelonë një "Mesi" ai ka një emër: Mesi! Fëmijë. Burra. Pleq. Gra. Vajza. Bluza me numrin 10. Shkuam në stadium. Në kërkim të Mesit. Kur premë biletat na pyetën nga cili vend ishim. Pasi i erdhëm vërdallë muzeut, përfunduam në tribunat ku gazetarët transmetojnë ndeshjet. Dhe dëgjuam zërin e Shako Hoxhës: Një mrekulli e Mesit. Gol në portën e Juventusit!…