”Në diktaturë qeveritë bëjnë si të forta, prandaj populli i përmbys”

Nga: Shezai Rrokaj

Lajm i trishtë për shqiptarët Ditën e Pashkëve. Arrestohen qytetarë sepse protestuan kundër vendosjes së taksës së Rrugës së Kombit. Sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria i quan këta qytetarë barbarë me një arrogancë tipike për këtë qeverisje. Ajo kujtonte se populli veç do ta duartrokiste për këtë taksë rrënuese, njëlloj siç ndodh në takimet sajuara me “rilindës”, e të transmetuara nga ERtv.

Populli është i varfër, zotërinj ministra, pa dallin politik dhe nuk e përballon dot këtë taksë. Justifikimet se rruga duhet mirëmbajtur dhe se shteti ka vështirësi mund të jenë edhe të drejta. Edhe krahasimet me Ballkanin dhe Evropën duhen marrë në konsideratë. Por përse fyhen këta qytetarë, duke i quajtur barbarë. Ata nuk janë barbarë (të huaj), se janë në trojet e tyre qysh sa dheu ka emër.

Gjithashtu Qeveria me siguri e di se Evropa e Ballkani kanë edhe autostradë ku ecën shpejt dhe ka pagesë, por kanë edhe superstradë për popullin e varfër, pa pagesë. Shih që nuk jemi si të tjerët? Laj thaj, ne mezi e bëmë këtë rrugë me taksat tona. Ndaj, mendoj se nuk mund të ketë zgjidhje të arsyeshme përtej mundësive reale të qytetarëve. Mbase pas 10 vjetësh qytetarët mund ta kenë mundësinë e kësaj pagese.

Sot është shumë e lartë për ta. Qeveria ta ulë tarifën dhe të negociojë një tarifë me rritje graduale në vite. Dhe mos iu përgjigjni varfërisë me gjuhën e arrogancës se mund t’ju kthehet me gjuhën e mbrojtjes të së drejtës natyrore, që për ta është gjuha zakonore. Uleni zërin, mos u bëni të fortë me ta.

Jeni qeveri e tyre. Vetëm në diktaturë qeveritë bëjnë si të forta, prandaj populli i përmbys. Zgjidhni rrugën e arsyes: lirojini urgjentisht banorët e arrestuar në mbrojtje të tokës së tyre dhe pa prepotencë hyni në rrugën e urtë të dialogut.

*Deputet i LSI-së

SHKARKO APP