Në Ditën e Mësuesit mos bëni urime boshe por u rrisni pagat dhe u ktheni dinjitetin

Nga Dr. Bledar Kurti –

Garë e madhe është 7 marsi, garë urimesh e fjalësh rutinē plot zbukurime për edukatorët e së ardhmes, kultivuesit e dijes, shtyllat e një shoqërie të shëndetshme, elitën e vendit, heronjtë e kombit, profesioni fisnik, etj, etj. Fjalë të bukura që meritojnë të thuhen vetëm nga fëmijët, nxënësit, studentët dhe prindërit e që vërtetë ua ngrohin zemrat mësuesve. Por, të tjerët, qeveritarët dhe politikë-bërësit le t’i kursejnë fjalët e të rrisin pagat e mësuesve, të forcojnë figurën e mësuesit, të sigurojnë kushte pune dhe mjete të mësimdhënies, të mos kërcënohen me vendin e punës, të mos u kërkohet lista me votat e familjarëve, t’u sigurohen skema pensioni dinjitoze, t’u dëgjohet zëri dhe të mos u cënohet dinjiteti.

Mësuesit, edukatoret dhe pedagogët shqiptarë kanë pagat më të ulëta në Europë. Janë subjekt vulnerabël nga politika dhe trajtohen si shërbëtorë e jo si elita e inteligjencës së kombit.

I gjithë arsimi shqiptar diktohet nga shteti. Që nga cikli i parë e deri në studime doktorale. Që nga plan-programet, tekstet, lëndët dhe programet e degëve, emërimet në vendet e punës, ndërhyrje në zgjedhjen e rektorëve, përzgjedhjen selektive të hapjes apo mbylljes, të akreditimit apo mos-akreditimit të universiteteve, etj.

Centralizim dhe kontroll total i arsimit teksa në teori propagandohet pavarësia e institucioneve arsimore. Deputetët e pashkollë emërojnë mësues, kryebashkiakët injorantë caktojnë pedagogë dhe drejtues departamentesh e madje edhe në zgjedhjen e rektorëve ndërhyn e gjithë qeveria.

Një qark politik dhe qeveritar i kalbur që e ka shkatërruar arsimin shqiptar ndaj edhe rinia shqiptare zgjedh të shkojë jashtë vendit me studime.

Në arsimin shqiptar, edukatori nuk mendon por bën çfarë i është diktuar; mësuesi nuk lejohet të mendojë por duhet të zbatojë rregullat e përcaktuara nga lart; pedagogu nuk duhet të mendojë e zbatojë metodologjinë bashkëkohore dhe të universiteteve më të mira të botës por të qëndrojë brenda kornizave të përcaktuara nga shteti.

Dhe fëmijët e studentët nuk arsimohen e ushqehen me parimin e mendimit kritik por kultivohen si skllevër të mendimit. Sepse kështu e do qeveria dhe politika. Një popull i nënshtruar që nuk mendon, që nuk ngre zë, që nuk zgjohet e i kap me shkelma varrmihësit e progresit dhe emancipimit.

Ky është arsimi në Shqipëri. Fabrikë robotike që prodhon qenie në seri.

Po mbyllen vit pas viti degët studimore si historia, filozofia, letërsia, gjuhët e huaja, arkeologjia, e shumë degë në shkenca shoqërore, përfshirë edhe mësuesinë, sepse krijohet kontigjent që mendon, që prodhon ide dhe sjell kulturë të re.

Arsimi ndryshon botën. Arsimi ndryshon Shqipërinë. Arsimi rrëzon diktatura. Ndaj edhe e kanë mbajtur nën vargonjtë e skllavërisë për një kohë të gjatë.

Ndaj mos thurni fjalë të bukura por reformoni arsimin dhe çlironi botëkuptimin dhe idetë e brezave të rinj. Vetëm kështu bëhet Shqipëria dhe ndërtohet e ardhmja.

SHKARKO APP