Në duart e Lulëzim Bashës

Nga Artur Zheji

Duket se zonja Nuland, e ka tejkaluar edhe Ambasadorin Lu, edhe mesazhet e kriptuara diplomatike, të cilat, bien në një mënyrë ose tjetër në vesh të shurdhër, apo “humbasin rrugës për në Shqipëri”.

Ajo pra vendosi të marrë në duar “telefonin e kuq” dhe të telefonojë drejtëpërdrejtë, nga Departamenti i Shtetit, Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha dhe ish Kryeministrin Sali Berisha.

Përtej fjalëve të përgjithshme, duket se shpresat e amerikanëve, kaq shumë të investuar në Reformën në Drejtësi, është edhe fruti, i një kompromisi politik, që do të mund të lindë nga takimi, Rama-Basha.

Janë vërtet orë të ethshme dhe sot, më shumë se asnjëherë, në qendër të vendimmarrjes është Lulëzim Basha!

Nëse do të hapë rrugë, ndërmjet të tjerash, për një Prokuror të ri të Përgjithshëm, përvec strukturës së re, formale të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Me anë të kësaj reforme, dhe ashtu si janë përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, duket se “shorti” do të bjerë, në një figurë juridike, shumë afër influencave të drejtëpërdrejta dhe të tërhtorta, të Kryeministrit. Dhe kjo është në të vërtetë, një Jo Reformë në Drejtësi.

Dhe kjo, si edhe shumë nuance të tjera tepër të dyshimta, mbeten në dorë të Lulëzim Bashës, veshur kësaj rradhe, me një pushtet kyc, në zgjidhjen e kësaj dileme. Fatmirësisht për të zoti Basha, ka studiuar për drejtësi, dhe ka sëpaku përgatitjen juridike, për të kuptuar, kur “Djalli fshihet tek detajet”. Rregulli i Artë numër 1, në Jurisprudencë.

Askush nuk e di, nëse, është sqaruar aq sa duhet për këtë dhe për të tjera si këto, ndihmës sekretarja e shtetit, zonja Nuland.

Dyshimet janë të forta që jo. Ose që janë përkthyer në veshët e saja, si pretekste dhe arësyetime fallco, për të shmangur Reformën.

Në duart e Lulëzim Bashës, do të jetë në orët e ardhshme, një Drejtësi e Drejtë dhe e Paanshme, apo një Krye Prokuror Pisqollë, në duart eKryeministrit Rama!

I cili, kryeministri pra, tash sa kohë, ka të vetëndjerin e rrezikshmëm, që vetë krahasohet, hic më pak, se edhe me vetë Zeusin. Krye Perëndinë pellazgo-helene, që kësisoj i bie të jetë me origjinë nga Vunoi, simbas tij.

Shqipërisë i ka ndodhur shpesh të bjerë nga shiu në breshër. Të bjerë në humnerë, duke vrapuar dhe duke ëndëruar për një Jetë më të Mirë. Urojmë që të mos jetë ky rasti.

Sepse për të zhbërë, një gabim apo mosvëmendje në këto orë që vijnë, në sistemin e Drejtësisë, që përvecse rrezikon ta shndërojë Shqipërinë në një gubernë, krejt të mvarme, nga humoret e ambasadorëve, rrezikon gjithashtu ta kthejë, në një Neo-Diktaturë, me petkun e mveshur me shumë jurisprudencë, dhe do të duhet shumë kohë për të riparuar dëmet.

Është e vërtetë që kemi një Drejtësi të kalbur, por nuk ka Drejtësi më të kalbur dhe vrastare, se sa një drejtësi e komanduar dhe e përdorur, si pisqollë politike, nga një aktor i vetëm.

Tundimet shqiptare dhe jo vetëm shqiptare, për të përqëndruar një pushtet të pakufijshëm, në një dorë të vetme, janë të mëdha dhe, megjithë respektin për zonjën Nuland, do të jenë vetëm shqiptarët dhe jo zonja Nuland, që do të pësonin terrorin e një neo-Diktature dhe shtetin policor që e ndjek fill më pas, një realitet të tillë. 360grade.al

 

SHKARKO APP