“Në emër të të gjithë shqiptarëve; Faleminderit!”
Fjala e Kryeministrit Rama në konferencën e përbashkët me Kancelaren Merkel
Nga Edi Rama
Mirëdita. I jam shumë mirënjohës Kancelares Merkel që është këtu, sot, me ne, në vizitën e parë dypalëshe të një kancelari gjerman në Shqipëri. E dinë të gjithë se sa shumë çështje dhe se sa shumë njerëz kërkojnë kohë nga e saja; Kriza e thellë në Greqi dhe sfidat e mëdha brenda për brenda Bashkimit Europian; Problematika e emigracionit që po merr trajtën e diçkaje që kërkon një përgjigje europiane dhe globale; Marrëdhëniet e Europës me Rusinë; Kërcënimi terrorist, ngrohja globale dhe me radhë, cilado qoftë çështja apo madhësia e një problemi, të gjithë duan të dinë opinionin e kancelares gjermane. Sepse ka rëndësi të dorës së parë.
Natyrshëm ka një vlerë shumë të madhe për ne, që, mes gjitha këtyre, ajo vijon të tregojë jo vetëm një vëmendje të veçantë, po mbi të gjitha, një kuptim të thellë të rëndësisë së rajonit tonë mbi çështje gjeopolitikisht më të gjera. Dhe po ashtu ka rëndësi të madhe për ne, që kancelarja, për vetë historinë e saj jetësore, i kupton thelbësisht përpjekjet e vështirësitë tona për të sjellë ndryshimet e dëshiruara, në rrugën nga kohët e zymta të diktaturës komuniste drejt një demokracie europiane.
Ne patëm përsëri sot, një diskutim të shkëlqyer, në atmosferën e miqësisë e të mirëbesimit, të cilën Kancelarja Merkel ka aftësinë të krijojë duke na mundësuar të flasim hapur dhe me vështrimin përpara mbi të ardhmen e përbashkët. Kjo ishte herë e tretë, brenda më pak se një viti, që mua më jepet kjo mundësi dhe besoj se ky fakt është kuptimplotë, për cilësinë e lartë të bashkëpunimit, si edhe për vullnetin e dyanshëm për të forcuar vazhdimisht partneritetin mes nesh.
Kancelare, në emër të të gjithë shqiptarëve, unë dua t’ju them një faleminderit të megjithëzemërt, për mbështetjen e pandërprerë që Ju dhe Gjermania i jepni përpjekjes së Shqipërisë për të qenë pjesë e një Europe të fortë financiarisht; e një Europe të lidhur fizikisht; e një Europe të bashkuar politikisht, si komuniteti më i rëndësishëm i vlerave që kontinenti ynë ka parë. E në këto ditë të trazuara, sidomos, ka shumë rëndësi ta mbajmë fort parasysh rëndësinë jetike të Bashkimit Europian për paqen, sigurinë, mirëqenien e popujve të Europës.
Kancelarja Merkel ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme, për ta ngritur në një nivel të ri, rëndësinë e projektit të madh të Bashkimit Europian, si një projekt stimulues për paqen, sigurinë, mirëqenien e popujve të rajonit tonë.
Lidershipi i saj në ndërmarrjen e Procesit të Berlinit, që për herë të parë në historinë e vendeve të këtij rajoni i uli liderët e Ballkanit të gjithë së bashku, fundgushtin e shkuar, në tryezën e kancelerisë, përshpejtoi çeljen e një epoke të re bashkëpunimi në një zonë në mes të Europës, ku e ardhmja ka qenë historikisht peng i të shkuarës.
Takimi i radhës në këtë proces, që ka sjellë në rajonin tonë shpresë dhe komunikim si asnjëherë më parë, do të mbahet në Vjenë, në fundin e gushtit të ardhshëm. Nga ana jonë, këtu në rajon, ne kemi bërë dhe parë brenda më pak se një viti, një progres që deri një vit më parë ishte e vështirë të imagjinohej edhe nga më optimistët.
Kemi këmbyer dy vizitat e para në rang kryeministrash në historinë tonë me Serbinë dhe jemi të vendosur të ecim së bashku me fqinjët serbë, nën shembullin frymëzues të Gjermanisë e të Francës pas Luftës së Dytë Botërore, duke e forcuar marrëdhënien mes nesh përmes një bashkëpunimi gjithnjë e më intensiv, qoftë në planin dypalësh, qoftë në planin rajonal.
Modeli franko-gjerman i programit të shkëmbimeve rinore përmes një veprimi të dakordësuar së bashku me Serbinë, në funksion të krijimit të një perspektive krejt të re marrëdhëniesh mes djemve e vajzave tona dhe djemve e vajzave të fqinjëve tanë, është jo vetëm një shprehje kuptimplotë e dëshirës së përbashkët për t’i dhënë fund, përcjelljes brez pas brezi të trashëgimisë së rëndë të urrejtjes në emër të së shkuarës, por edhe e aspiratës sonë për të bërë në të ardhmen e rajonit dhe për të ardhmen e rajonit, atë që Gjermania dhe Franca bënë për të ardhmen e Europës.
Në Vjenë, ne do të shkojmë me një bilanc inkurajues për të gjithë dhe jemi shpresëplotë për hapat e mëtejshëm të procesit, në radhë të parë sepse besojmë fort në mbështetjen e Kancelares Merkes dhe të Gjermanisë përgjatë të gjithë këtij procesi të iniciuar po prej saj. Por s’ka dyshim se siç është jetike mbështetja e Gjermanisë, është e domosdoshme që i gjithë Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian të bëjnë pjesën e tyre.
Bashkimi Europian është krijuar mbi premisën se integrimi ekonomik dhe politik është alternativa më e sigurt e luftës dhe e konfliktit. I gjithë rajoni ynë është sot një dëshmitar i gjallë i fuqisë tërheqëse të BE-së si rruga e të ardhmes sonë të përbashkët, në të cilën po ecim përmes reformash transformuese për shtetet e shoqëritë tona. Por sot është e qartë po ashtu, se Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin po aq saç ka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian. Pa fuqinë tërheqëse të Bashkimit Europian, ëndrrat tona rrezikojnë të kthehen në një boshllëk për makthet e të shkuarës, ndërsa shtysa për reforma e për bashkëpunim mes nesh rrezikon t’i lerë vendin tundimeve nacionaliste dhe ekstremiste. Një mundësi e tillë do të ishte tragjike jo vetëm për Ballkanin, por edhe për vetë Europën.
Paqja që kemi arritur deri këtu, duke kapërcyer lumenj gjaku dhe vite të tëra konfliktesh sfilitëse mes nesh, ka një fjalë çelës: Europa! Është një paqe europiane mes popujsh të dalë nga luftëra e konflikte ballkanike, të cilët përmes reformave të vështira, por jetike të integrimit dhe projektit të përbashkët të paqes, këmbëngulin në përkatësinë e tyre tek projekti i madh i Bashkimit Europian.
Ne e dimë mirë më mirë se askush tjetër, se askush përveç nesh nuk do t’i bëjë reformat dhe hapat e nevojshëm, për t’u bërë më në fund, pjesë e Bashkimit Europian. Por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj në këtë udhëkryq të historisë sonë të përbashkët, duke mos e trajtuar procesin e integrimit tonë në Bashkimin Europian si business as usual. Sepse koha jo e lehtë që kalojmë, për arsye të ndryshme vetëm në dukje, nuk na lejon të shikojmë fatin tonë të përbashkët si diçka që është e ndarë sot dhe që i takon vetëm të ardhmes.
Së fundi, për problemin e migrimit ndamë të njëjtin shqetësim serioz. Ne e dimë fare mirë se shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në Bashkimin Europian. Por kjo është një çështje që duhet parë jo vetëm si problem sigurie, gjë për të cilën bashkëpunimi ynë me Gjermaninë dhe me vendet e BE-së ka qenë e mbetet në nivelin më të lartë, po edhe si një problem social që mund të lehtësohet ndjeshëm përmes mbështetjes ekonomike dhe politike të BE-së ndaj vendit tonë. Shpresa për punësim real dhe mirëqenie është një shtysë e fortë në këtë drejtim dhe konfirmimi nga ana e Bashkimit Europian, i progresit të bërë nga vendi ynë pas marrjes së statusit të vendit kandidat, përmes çeljes së fazës tjetër të procesit të integrimit, do të fuqizonte shumë solidaritetin në Shqipëri dhe mes Shqipërisë e Bashkimit Europian.
Shqipëria sot është e vendosur më shumë se asnjëherë më parë në rrugën e reformave reale të modernizimit të shtetit, për të cilat vendi ynë ka merituar përgëzimet e Komisionit Europian dhe respektin e rritur të vendeve të Bashkimit Europian. Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, apo asnjë reduktim bujar kërkesash për ne, jo vetëm sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm që për çdo hap drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE duhet të flasë realiteti i transformimit të vendit në rrugën e përmbushjes së standardeve të BE-së, por sepse, mbi të gjitha, ne jemi plotësisht të bindur se ky i integrimit, nuk është një proces që Shqipëria duhet ta përmbushë me sukses në çdo aspekt sepse e kërkon Brukseli, po sepse e imponon e ardhmja e fëmijëve tanë.
Kancelare, pamja e dorështrëngimit në sfondin e kësaj konference është vepra e një bashkëkohësi të madh gjerman, Thomas Demand. Ai bujarisht pranoi të ekspozonte veprat e tij në këtë sallë, e cila do të jetë salla e ekspozitave të Qendrës për Hapje dhe Dialog, një hapësirë e re kulture dhe komunikimi, që shtrihet në gjithë katin e parë të godinës dhe do të jetë në dispozicion të publikut. Kjo vepër, që ekspozohet për herë të parë në Shqipëri, quhet “Sign” dhe rikthen skenën e një workshop-i ku është duke u prodhuar një shenjë, për Panairin Botëror të Nju Jorkut të vitit 1939, që titullohej “Building The World of Tomorrow”. Duarshtrëngimi simbolizon ende sot “partneritetin mes popujve të botës përmes konsumit” dhe e portretizuar këtu, në këtë stad, shenja duket se është ende e pambaruar dhe vazhdon flet për vijimin, moszgjidhjen, sëkëlldinë, por edhe për shpresën që provkojnë të njëjtat gjëra që e krijuan.
Unë dua t’ju falenderoj edhe njëherë me mirënjohje të thellë, për dorështrëngimin e partneritetit të Gjermanisë si donatori numër në Shqipëri, përgjatë gjithë rrugëtimit tonë të mundimshëm nga komunizmi deri sot. Ashtu sikundër dua t’Ju siguroj se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë, dorën Tuaj të shtrirë të miqësisë e të partneritetit, në këtë kohë kaq komplekse për Europën, teksa Shqipëria gjendet në një moment kaq vendimtar të rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Europian.