Në fund, ‘Luftën e Ftohtë’ e fiton ‘Zëri i Amerikës’

Nga Alfred Lela –

Në një rrafsh kulturor, Edi Rama është rive gauche, një intelektual i ‘bregut të majtë’, liberal, avangardist, kundërkulturë etj. Ai, në një klasifikim vijëtrashë, do t’i përkiste së majtës intelektuale europiane e cila, vetëvizatohet si anti-amerikane, për arsye që kanë të bëjnë me atë që mbahet si ‘stili kaubojs’ i amerikanëve, ku futen shkelja (e hamendësuar) e të drejtave të njeriut (zbatimi i dënimit me vdekje); animi kah Izraeli përkundër Palestinës, mbështetja e regjimeve të djathta në Amerikën Latine dhe anti-komunizmi gringo i llojit Kissinger apo McCarthy.

Ky rive gauche zgjatet edhe në anën e përtejme të Atlantikut dhe është i përqendruar kryesisht në vijën breoqeanike, në Lindje dhe në Perëndim, duke pasur si qendra kryesore Hollywood-in dhe qarqet liberale universitare dhe mediatike në New York dhe Boston.

E majta euro-amerikane u bë edhe më radikale gjatë garës presidenciale, ku Hillary Clinton u vu përballë një Republikani, Donlad Trump. Biznesmeni i njohur përfqësonte, në njëfarë mënyre, të gjitha makthet që e majta europiane dhe amerikane projekton te një individ i së djathtës konservatore.

Në këtë sindromë euro-majtiste ‘We love Obama; we hate Trump!’, ra edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Gjatë një vizite në ShBA dhe një interviste për Richard Quest të CNN, shefi i qeverisë shqiptare tha se, Trump është ‘turpi i qytetërimit’; duke vënë një bast të hapur dhe të sigurt për humbjen e tij.

Nuk ndodhi kështu. Në konferencat e mëpasshme ndërkombëtare Rama e hëngri me bukë turpin e asaj deklarate, që e nisi si shërbim për të majtën amerikane dhe mikun e tij Soros, dhe e bitisi si antishërbim për veten. Kryeministri shihej tek shoqëronte, me drojë, shpurat e Presidentit amerikan duke shpresuar në një photo op dhe duke u munduar të shfaqej afër njeriut më të fuqishëm në botë. Si për të thënë: nuk ka asgjë mes nesh.

Ishte koha kur propaganda qeveritare bënte çmos për të përcjellë idenë se nuk kishte tendosje në raportet mes Trump dhe Ramës. (Presidenti amerikan, ndoshta, as e dinte ekzistencën e Ramës dhe deklaratës së tij).

Kur duket se kjo deklaratë e kryeministrit është harruar, një më e re dhe e freskët, i është afruar, e ftohtë si rrymë Labradori, brigjeve të marrdhënieve të Ramës me institucionet amerikane. Këtë radhë me ‘Zërin e Amerikës’, një media shtetërore që varet nga Departamenti i Shtetit dhe përçon politikat zyrtare amerikane. Një investigim i gazetarëve të VOA-s zbulonte korrupsionin me punësimet në administratën e burgjeve ku ishin të mpleksur deputetë dhe eksponentë të tjerë socilaistë. Kryeministri nuk e pëlqeu këtë raportim dhe e quajti ‘kazan’ VOA-n në një postim në median sociale. Një reagim, jo i drejtpërdrejtë por i nënkuptuar, erdhi nga drejtori i seksionit të EuroAzisë në VOA, Elez Biberaj.

Nuk pati notë tjetër proteste, as nga Ambasada amerikane në Tiranë dhe as nga Departamenti i Shtetit, por për kanalet e kujtesës nuk nevojiten polemikat dhe as publiciteti. Përfshirja e Ramës në një kurs përplasjeje me ‘Zërin e Amerikës’, një media të cilën shqiptarët ende e dëgjojnë me vëmendje, për spikamën e saj historike në rrëzimin e komunizmit, por edhe relevancën që ende i japin Washington-it, shfaq dy shenja.

E para; Rama është mbyllur në ‘kullën e fildishtë’ të artit të keq të pushtetit, prej ku, çdo kritikë i duket konspiracion dhe luftë personale. I humbur nga kontaktet me realitetin ai beson te një Rilindje që, ndoshta, për shumicën e shqiptarëve nuk ka mbërritur kurrë. Ta shohësh Rilindjen në sytë e ministrave dhe vartësve të tjerë, apo zhganit të servilëve, është diçka tjetër. Kjo nuk do të thotë se edhe ‘Zëri i Amerikës’ duhet të ketë atë palë sy.

E dyta; që shënon edhe një shenjë të bjerrjes, jo vetëm të individit në pushtet, por edhe të pushtetit vetë, ka të bëjë me një fakt të konfirmuar nga koha dhe përvoja. Kursi i përplasjes me amerikanët ka qenë përherë tregues i fundit të një faze dhe lloji qeverisjeje në Tiranë.

Politiko.al

SHKARKO APP