Ne jo të gjithë jemi Charlie (dhe ky është një problem)
Nga Cas Mudde
Sulmi tragjik terrorist në revistën satirike franceze Charlie Hebdo në Paris, duke vrarë dhjetë gazetarë dhe dy policë, është i frikshëm në shumë nivele. Megjithëse tre terroristët janë ende në kërkim, dhe motivacioni zyrtar i sulmit nuk është saktësuar ende, të gjitha indikacionet flasin për xhihadistë, me gjasa myslimanë të lindur në Francë që kanë krhyer nga lufta në Siri (vëreni ngjashmërinë me sulmin terrorist në Muzeun Hebraik të Brukselit vitin e kaluar).
Përgjigjja e përgjithshme është ajo që ne e kemi parë tepër shpesh më parë, për shembull pas vrasjes së regjisorit holandez Theo van Gogh më 2004 apo sulmeve terroriste ndaj SHBA-së më 2001. Politikanët përdorin sulmet për t’u krenuar mbi shoqëritë perfekte demokratike dhe të lira ku ata drejtojnë dhe theksojnë se kjo nuk ka të bëjë me Islamin por me disa individë patologjikë që përdorin religjionin si justifikim për ide ekstremiste. Qytetarët përgjigjen në të njëjtin medium në të cilin ata janë ende aktivë, media shoqërore, dhe bëjnë deklarata madhështore solidariteti, para se t’i tërheqë vëmendjen një video mbi një ketër që rrëshqet në ujë apo një kotele që luan në piano. Të dyja kategoritë deklaroinë se janë kushdo qoftë viktima e ditës.
Facebook dhe Tëitter këto ditë janë përplot me deklarata si “Je suis Charlie” (Unë jam Charlie) dhe “ne të gjithë jemi Charlie”. Për fat të keq ne nuk jemi. Ose, më saktë, me shumë pak përjashtime, ne nuk jemi Charlie, dhe ky është një problem madhor për demokracitë liberale nëpër botë. Më lejoni t’ju jap tri arsye se pse shumica jonë nuk janë Charlie dhe se pse kjo është problematike për demokracitë tona.
E para, shumë nga ‘mbrojtësit’ më të shprehur të Charlie Hebdo janë fansa shumë të rinj dhe selektivë të revistës satiriste. Për shembull, është trullosëse të shohësh se si njerëz islamofobikë të të djathtës ekstreme po deklarojnë dashurinë e tyre për revistën që deri së fundmi mund ta kritikonin si një ‘zhele komuniste’ (pas satirave thumbuese ku Charlie përqeshte heronjtë e tyre, nga Jezu Krishti te Marine Le Pen). Këta janë mbrojtësit heroikë të fjalës së lirë si Geert Ëilders, të cilët dëshirojnë të ndalojnë Kuranin për shkak se nxit dhunë.
Shumë njerëz nuk janë Charlie ekzaktësisht për shkak se Charlie Hedbo mund të kritikonte të gjitha religjionet dhe të gjithë politikanët, pavarësisht etnicitetit, gjinisë, ideologjisë etj. Për rrjedhojë, udhëheqës të të gjitha religjioneve dhe partive politike i kanë kritikuar ata. Pasi të themi këtë, duhet të shtojmë se ata janë sulmuar në mënyrë të dhunshme vetëm nga myslimanë ekstremistë. Ky është një fakt që nuk duhet të mohohet! Kjo nuk do të thotë se vetëm ekstremistët myslimanë sulmojnë kritikët e tyre – për shembull, dy anëtarë francezë të Lidhjes së Mbrojtjes së Hebrenjve u dënuan për vendosjen e një bombe poshtë makinës së një gazetari anti-sionist. Sërish, është e pakëndshme por edhe e pamohueshme se shumica e akteve të dhunës politike në Europën e kohës sonë vijnë nga myslimanë ekstremistë. Kjo nuk është për shkak të Islamit, për shkak se 99.9 për qind e myslimanëve nuk janë të dhunshëm, por kjo nuk do të thotë se Islami nuk luan asnjë rol.
E dyta, shumë njerëz nuk janë Charlie për shkak se besojnë se debatet demokratike duhet të jenë “civile” dhe të mos zemërojnë njerëzit. Problemi është se të qenit “civil” është një koncept jo shumë i fortë në koordinata, gjë që do të thotë se fjala ka kuptime shumë të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Në mënyrë të ngjashme, është e pamundur të masësh nëse njerëzit janë mërzitur, lëre pastaj të krahasosh në mënyrë objektive se sa të zemëruar janë ata. Njerëzit mund të zemërohen për çdo gjë, pra pse ndjeshmëritë fetare kanë mbrojtje speciale? Kush mund të thotë se kritikat e Charlie për Islamin(ismin) zemëron myslimanët shumë fetarë më shumë se sa kritikat e l’Equipe’s mbi [skuadrën e futbollit] Paris Sen Zhermen zemërojnë tifozët fanatikë të PSG?
Përgjatë historisë “të sjellurit civil” është përkufizuar në përputhje me interesat e estabilishmentit politik. Është ende ky rast, gjë që do të thotë se argumenti i të qenit civil përdoret pothuajse gjithmonë në mënyrë selektive dhe oportuniste. Grupime të ndryshme mbrohen nga diskutimi ‘i panjerëzishëm’ ndërsa të tjerët nuk mbrohen (siç është rasti me legjislacionet kundër diskriminimit). Kjo i mbron këto grupime nga kritikat, pavarësisht saktësisë së kritikës, gjë që në terma afatgjatë dëmton jo vetëm kritikët por edhe të pakritikuarit, të cilët nuk kanë incentiva për të reflektuar dhe për t’u përmirësuar.
E treta, dhe e fundit, shumë njerëz nuk janë Charlie për shkak se janë të frikësuar. Shumë njerëz kurrë nuk kritikojnë për asgjë dhe askënd, ose së paku nuk merren me njerëzit relativisht të pushtetshëm. Por edhe mes kritikëve profesionistë, të tillë si komedianët dhe intelektualët, vetëcenzura po bëhet gjithnjë e më shumë normë. Shumë i trajtojnë çështjet e lidhura me hebrenjtë dhe Izraelin me më shumë ndjeshmëri se sa grupimet apo shtetet e tjera, nga frika e sanksioneve profesionale (mendo për çështjen e kohëve të fundit Salaita në Shtetet e Bashkuara).
Në mënyrë të ngjashme shqetësuese është rritja e numrit të komedianëve dhe intelektualëve që vetëcenzurojnë veten në tema të lidhura me Islamin dhe myslimanët. Sakaq shumë vjet më parë unë takova intelektualë publikë hollandezë të cilët më thanë, në konfidencë, se ata kishin daluar të kritikonin Islamin(ismin) në publik për shkak të kërcënimeve të dhunshme ndaj tyre dhe familjeve të tyre. Edhe komediani “trim” Stephen Colbert nuk i shfaq karikaturat e famshme dhe famëkeqe të Muhamedit apo imazhe të tjera që konsiderohen fyere për myslimanët dhe në vend të tyre vendos pamje (gallatë) ‘shqetësimesh teknike’. Ndërsa bën gallatë me frikën e tij ndaj përgjigjes së dhunshme, ai kurrë nuk e ka problematizuar seriozisht atë dhe, në fund, ka censuruar veten. Edhe ato pak njerëz të guximshëm që satirizojnë Islamin(izmin), shpesh censurohen nga media apo punëdhënësit e tyre – famëkeqi “episodi i Muhamedit’ në South Park është censuruar shumë herë nga Comedy Central!
Për të qenë të sigurtë, ka shpjegime strukturore për nivelet e larta të zemërimit dhe lodhjes nga ana e popullarës (radikale) myslimane në Europë si dhe për faktin se disa prej tyre i drejtohen (kërcënimeve për) dhunë. Asnjë nga këto nuk i justifikon aktet e dhunshme brenda demokracive, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të mësojmë prej tyre. Është ngushëlluese dhe politikisht e leverdishme që të pretendosh se “ne” jemi sulmuar për shkak se “ata” nuk mund të përballen me liritë “tona”, veçanërisht lirinë e shprehjes. Politikanët do të predikojnë se “myslimanët” duhet të përballen me faktin se “ata” (tani) jetojnë në një shoqëri ku çdo gjë mund të kritikohet, duke theksuar kritikat dhe satirat mbi kristianët dhe kristianizmin (shpesh në vitet 1960 dhe 1970), por kjo në rastin më të mirë është naive dhe në rastin më të keqe është e pasinqertë.
Shumë kritika ‘të pranueshme’ ndaj Islamit dhe myslimanëve do të konsideroheshin të papranueshme dhe ilegale (!), nëse shënjestronin grupet e tjera – si një test, thjeshtë zëvendëso “myslimanët” me “hebrenjtë” apo “zezakët” dhe do të shohësh nëse kritika është e pranueshme. Për rrjedhojë, disa musliman do të shohin se “liria e fjalës” është një argument selektiv.
Lidhur me këtë është perceptimi i pafuqishmërisë mes popullatave myslimane në Europë. Disa ndjejnë se myslimanët janë të diskriminuar për shkak se ata nuk kanë një zë në sistemin politik. Me raste ata drejtojnë gishtin nga pushteti i Hebrenjve, kuptohet në disa raste, frymëzuar nga ndjenjat botërore anti-semite, dhe përpjekja e tyre e suksesshme për të shtypur anti-semitizmin. Ata ndjejnë se myzlimanët ose duhet të bazohen në simpatitë e elitave jo-myslimane, të cilët nga ana e tyre rezultojnë selektivë në mbështetjen që i japin (edhe në krahun e majtë), ose të përdorin masa ekstra-politike, të tilla si (kërcënimi me) dhunë.
Më lejoni të përsëris se këto nuk janë justifikime të pranueshme për veprimet e dhunshme apo për fjalimet! Por ata nuk janë pa një bazë faktike. Nëse “ne” presim që “ata” t’i binden lirisë së fjalës, atëherë kjo liri fjale duhet të jetë ose totalisht e lirë ose të mbrojë të gjitha grupet në mënyrë të barabartë (gjë që, unë besoj, është e pamundur). Nëse “ne” dëshirojmë që “ata” të binden ndaj rregullave (jo të “tonat”!) demokratike të lojës, “ne” duhet gjithashtu t’i pranojmë “ata” si qytetarë të barabartë. Shumë tepër shpesh Islami dhe myslimanët trajtohen si të huaj, ose të lidhur me emigrimin ose me një vend/rajon të huaj. Por shumica e myslimanëve në shumicën e vendeve Europiane janë nënshtetas, të lindur dhe të rritur në Europë. Me fjalë të tjera, “ata” janë “ne”! Kështu, aq shumë sa “ata” janë përshtatur me kushtet e të jetuarit në vendin “tonë”, “ne” duhet të përshtatemi me faktin se ky është gjithashtu edhe vendi i “tyre”!
Kështu, si mund të ecim ne përpara në një mënyrë konstruktive, duke fuqizuar demokracitë tona liberale në vend që t’i dobësojmë ata përmes reagimeve autoritariste kritike. Në vend që të ngushtojmë lirinë e shprehjes më tutje, duke e kufizuar atë te shprehja “civile” apo duke zgjeruar legjislacionin anti-diskriminues edhe më shumë, ne duhet të ngrihemi në nivelin e sloganeve tona dhe të përqafojmë tërësisht lirinë e fjalës për të gjithë, përfshirë anti-semitët dhe islamofobët!
Në mënyrë të ngjashme, ne duhet të kritikojmë dhe saririzojmë çdokënd, nga ateistët te kristianët, nga hebrenjtë te myslimanët, nga të gjelbrit te e djathta ekstreme. Kjo kërkon jo vetëm që ne të flasim kundër ekstremistëve, por edhe që të mbrojmë ata që flasin kundër tyre… edhe përpara se ata të kërcënohen apo të vriten.
Marrë nga opendemocracy.net