Në kërkim të pasqyrës!
Mungon matja dhe bërja publike në çdo kohë, e audiencave televizive apo radiofonike. Sondazhet dhe exit poll-et permanente profesionale e të besueshme. Për çdo vendim të rëndësishëm me ndikim kombëtar apo në masën më të madhe të jetës së qytetarëve të vendit. Ashtu siç mungojnë edhe instrumente të tjerë me nivel të lartë saktësie, e për rrjedhojë besueshëmërie dhe të gjithpranueshëm, në lidhje me ecurinë e punës së qeverisë…
Nga Alfred Peza
Çdo fundviti, mediat bëjnë bilancet e muajve që po lemë pas dhe në përgatitje të festimeve për ndërrimin e viteve, mundohen të bëjnë parashikimet për atë që na pret vitin e ardhshëm. Pjesë e kësaj tradite janë bërë edhe mediat shqiptare, qofshin ato tradicionalet, apo të rejat e internetit. Pavarësisht se në dukje pothuajse janë qasje, objekte dhe subjekte gazetareske apo publicistike të njëjta, ka një dallim thelbësor, shumë të madh mes mediave kryesisht perëndimore profesionale dhe atyre shqiptare. Ka një kufi të qartë, të cilin e dallon jo vetëm syri i stërvitur i profesionistëve. Por, edhe syri i kujdesshëm i cdo amatori të informimit, apo rregullisht të informuar.
E kam fjalën për një dimension të munguar në relievin dy dimensional të informimit tek ne. I cili ka vetëm përmasën e kutit të atij që e prodhon informacionin dhe përmasën tjetër të atyre që janë objekt apo subjekt i raportimit. Ndërsa përmasa e tretë, që është një ndër instrumentet themelorë të shoqërisë së informacionit në epokën moderne, mungon. Ajo ka të bëjë me matjen e perceptimit të opinionit publik. Me të se cfarë mendojnë qytetarët për secilën nga vendimet, zhvillimet apo ngjarjet e rëndësishme për jetën e tyre, që prodhohen jo vetëm nga politika, e që pasqyrohen nga mediat.
Që prodhohen nga përfaqësuesit e tri pushteteve apo drejtuesit e tyre, por që nuk arrijnë që të gjejnë pasqyrim nga pushteti i katërt.
Bota e civilizuar nuk pret vetëm ditën e zgjedhjeve, për të kuptuar se cfarë mendojnë qytetarët e vet për realitetin ku jetojnë. Duke e përdorur kutinë e votimit si të vetmin instrument për ta ndryshuar, përmirësuar apo vijuar atë. Tregu, sistemi dhe nevoja kanë “shpikur” edhe instrumenta të tjerë, njësi të reja matëse për mendimet, dëshirat dhe perceptimin e qytetarëve. Në mënyrë që të dijnë në çdo kohë, se çfarë duan apo do ishte më e mira për ta, në cdo situatë. Kjo është arësyeja se përse sot matja e audiencave mediatike, sondazhet, eksit pollet, ranking-u, programet dhe motorët e kërkimit e përpunimit të informacionit, përbëjnë një prej industrive më të rëndësishme në nivel global.
Ndaj çdo fundviti, ne kemi mundësinë që të mësojmë se kush janë personazhet apo cilat ishin ngjarjet që ndikuan më së shumti në jetën e shoqërisë njerëzore, popujve, grupeve, target grupeve dhe popujve të ndryshëm. Kush janë njerëzit më të pushtetshëm, më me ndikim, më të pasurit e ata më me influencë. Cilat ngjarje kanë ndikuar, kanë lënë gjurmë apo knë përcaktuar më shumë jetën shoqërore.
E nga ana tjetër, çfarë kanë sjellë këta njerëz, ngjarje dhe tendenca për të sotmen dhe të ardhmen e një vendi, e një rajoni të caktuar, apo për mbarë vitin apo epokën që po jetojmë. Për rrjedhojë, për t’i bërë qytetarët e thjeshtë që të kuptojnë më mirë, e për të parë më qartë nga kjo prespektivë, edhe të ardhmen e tyre.
Sistemet digjitale, algoritmet, programet e optimizimit, inxhinieria kompjuterike, robotika dhe gjithcka tjetër ku bota po investon, janë një nevojë e shoqërisë njerëzore jo vetëm për ta kuptuar, matur, treguar dhe udhëhequr të sotmen. Por mbi të gjitha, janë një instrument për të parashikuar të ardhmen. Në mënyrë që të bëhemi gati që sot, për atë që na pret nesër. Megjithatë lumi i parave të derdhura, pafundësia e burimeve njerëzore të përfshira dhe teknologjia e investuar nuk po arrijnë dot që ta frenojnë apo parandalojnë populizmin e për rrjedhojë fitoren e Brexit-it, të Trump-it, humbjen e referendumit nga Renzi, rritjen e mbështetjes për ekstremizmin dhe trokitjen në derën të një të ardhmje të pakontrolluar.
Shqipëria është një vend i vogël, me treg modest dhe demokraci të brishtë. E për rrjedhojë, trendi i zhvillimeve mund të parashikohet më lehtë dhe zgjidhja e problemeve, mund të vijë më thjeshtë.
Nëse do të dijmë që të parashikojmë në kohë e të marim masat, për ta shëruar çdo plagë që mund të krijohet. Por tregut tonë ende i mungon dimensioni i matjes së perceptimit të opinionin publik. Mendimeve. Gjykimeve. Nevojave. Shijeve dhe dëshirave të tyre.
Na mungon një pasqyrë e pastër, për të parë cdo ditë veten. Mungon matja dhe bërja publike në çdo kohë, e audiencave televizive apo radiofonike. Sondazhet dhe exit poll-et permanente profesionale e të besueshme. Për çdo vendim të rëndësishëm me ndikim kombëtar apo në masën më të madhe të jetës së qytetarëve të vendit. Ashtu siç mungojnë edhe instrumente të tjerë me nivel të lartë saktësie, e për rrjedhojë besueshëmërie dhe të gjithpranueshëm, në lidhje me ecurinë e punës së qeverisë. Ministrave. Dikastereve të ndryshme. Pushteti lokal. Presidentit. Pushtetit legjislativ, gjyqësor, për korrupsionin, krimin, varfërinë. Pa llogaritur këtu pritshmëritë për fenomenet dhe subjektete e reja politike. Për masën e ndikimit të personazheve të pushtetshëm, publikë, të grupeve të ndryshme të interesit dhe korporatave në jetën tonë, etj.
Në mënyrë që në gjithë këtë bombardim të pandërprerë informimi pa kriter ku ndodhemi, edhe për shkak të revolucionit të teknologjive digjital, rrjeteve sociale dhe mediave të reja online, shoqëria, qytetarët, njerëzit të dijnë të orientohen. Të kenë pika në horizont, shenja të qarta e të busueshme, për të gjetur rrugën e tyre reale nga ajo virtuale e iluzive. Duke ndihmuar që ata të marin vendime të drejta dhe të orientohen për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Kjo përmasë e re në jetën e shqiptarëve, do të ndikojë nga ana tjetër, si një mundësi e pashfrytëzuar kurrë deri tani, për të bërë presion permanent pozitiv mbi pushtetet, qeverinë, mazhorancën e opozitën dhe vetë mediat. Jo vetëm për ti kontrolluar në mënyrë legjitime e demokratike, por edhe për t’i detyruar që të bëjnë në kohë reale, më të mirën e asaj për të cilën edhe ndodhen aty. Duke e bërë Shqipërinë një vend më të mirë sot. Dhe më të përsosur në të ardhmen.