Në Makondon e Myzeqesë

 

Nga Ilir Levonja

(Prindërve të Maria Shollës)

Drama, fatkeqësia juaj ka filluar sot, e do të vijojë në ditët në vazhdim, të zbulohet pak e nga pak. Me kërshërinë e syve të shtypit. Ndofta dhe shumë e shumë njerëz, bëjnë pyetjen si është e mundur? Kaq të varfër vërtetë? Kaq të mjeruar? Kaq injorantë? Kaq të pazotë? Sa lënë fëmijët nëpër kisha dhe ikin më këmbë për ditë e ditë me radhë? Kaq blozë fare paskan qënë, sa as pesë lekë për pasaportat nuk kishin? Vërtetë deri këtu janë katandisur shqiptarët? Vërtetë punoje tokat e fshatit me pesëmijë lekë dita? Pastaj me atë ndjesinë e kompetentit për gjithçka. Do thonë, o po pse pjellin? Kur nuk i ushqejnë dot? Po, pjellin…, jo lindin. Ne vdesim për ta denigruar tjetrin. Dhe kënaqësinë më të madhe e kemi kur e krahasojmë me kafshën. Ndjejmë kënaqësi kafshërore. Fërkojmë barkun.

Dhe ju që rrëfeheni. Kujtoni se po prekni telat e kështjellës shtetërore. Kështjellës shoqërore. Dhimbjen e nënave të tjera që shqyhen protestave të partive. Dhimbjen e burrave që vriten në emër të iks lideri. Duke sheshuar gjithçka në synim politik, të krahut. Të partisë etj. Të interesit të oborrit personal. Me strategjinë e kafshës kur kufizon territorin që preferon të dominojë.

Ju rrëfeni. Jepni intervista. Dhe të gjitha nënat të kuptuan ty. Që e le vetëm gocën tënde atje në lumë. Dhe tani na qan. E ndjenë dhimbjen tënde. Janë veshur me të zeza. Burrat, po pinë cigare. Po diskutojnë. Ky është shtet muti. Këta burra që të vrasin për partinë. Të tjerë që kanë ca lekë a valutë të palosur në xhep. Thonë, prapë avazin e mendjeplotit, po dhe ata paskan qenë rreckë fare… punonin për pesë mijë lekë. Dhe në vesh, u pyesin. A keni nevojë për ndonjë lek? Se keni hall? Jo për gjë. Vulëhumburit ju. A nuk e kuptoni. Më shumë fiton duke u marrë me llafe se sa duke punuar. Qoftë edhe me një, dy apo pesëmijë lekë.

Ju jepni intervista. Në këtë stinë temperaturash të larta. Lotët tuaj apo mizerja juaj është habi. A e di përse. Pasi në këto njëzetë e pesë vite, Shqipëria është ngucur drejt qendrave. Dhe nuk e di më. Ose nuk beson se akoma ekzistojnë provincat. Se ekzistojnë Makondot e realizmit magjik. Çfarë është Makondo? Një fshat, ku një i ''mënçur'' u shiste të gjore akull për diamant.

Jo, shqiptarët nuk besojnë se ekzistojnë provincat. Megjithëse, atyre fshatrave, blejnë mish të gjallë për Italinë dhe dritat e kuqe të Greqisë. Ato provinca ku mund të mbjellësh hashash, kanabis sativa, kërp etj. Ku mund të ulësh për qejfin tënd, fluturak vocërrak.

Nga ana tjetër, këto Makondo mbajnë si pika e ujit të pakët, ndonjë gjeneral të liruar. I cili, në këto Makondot tona, u shet sapunin për djathë, ju mjeranëve. Një shitës me listë. Me shiritin ceremonial të shtetit. Kuq e zi. Ju vë në radhë. Ju jep thërrimet. U kon me kafshata. Dhe u cakton edhe pesëmijëlekshat për punë me bel arash. Sot, në kohën e bujqësisë me tezga dheu. Me kate. Me skela. Me pemë hekuri dekorative, ku nëpër degë varen kovat me material shkume deti, plot perime. Ju punoni arat me bel. Sot kur mekanizimi i bujqësisë ka arritur pikun e zhvillimit.

Të mirë prindër. Ju jeni zogj që keni dhe jetoni në një kafaz. U mbushet mendja të fluturoni, por hekurat u thyejnë krahët. Emri i Grevenesë, vendi, ai lumi. Madje edhe kënga qeraxhiu i Grevenesë, u tundojnë shpirtrat. Do u tundojnë tërë jetën. Maria është një humbje e pazëvendësueshme. Shpirtrat fisnik dhe të gëzuar ikin. Ajo ishte e tillë. Këtë e dëshmon detaji i ditarit. A e dini, të mbash ditar është prova e sinqeritetit. Është libri më i vështirë për t'u shkruar. Maria e bëri. Ndaj është humbje e madhe. Ne kemi vetëm fillimin e tij. Por sa të tilla në këtë tranzicion shekullor shqiptar. Sa shumë kanë vdekur andej, maleve dhe lumenjve të Greqisë. Sa shumë janë shfytyruar dhe sa shumë janë dhunuar. Sa shumë zogj, nga një atdhe kafaz? Kjo është një histori më vete. Që për fatin tonë të mbrapsht, do harrohet shumë shpejt. Është harruar.

Është vdekje ta thuash, por ka qytetarë që nderojnë ''heronjtë'' e partive, ndërsa harrojnë humbjet shpirtit të tyre, fëmijën, djalin, vajzën etj…, maleve me borë. Për pak para, për pak jetë më të mirë. Përpos zhbërjes shpirtërore, ndjehuni gjysmë triumfatorë për shkak të përpjekjes për një jetë larg asaj shqiptares. Ku anëtarësimi në parti, të bën me një thes mielli më shumë. Me një vend pune të pasiguruar. Me një armik shoqëror…, duke filluar nga motra apo vëllai, fqinji etj. Ku të bën pronar tokash të lëna me qera. Qytetarë burrash shteti që shahen nga nënat. Që u përdorin ju si model të injorancës kur duan të fyejnë njëri-tjetrin. Por kjo nuk është ajo që na duhet sot. Të kërkosh të ikësh sot, në një vend të pashpresë. Është shpresë. Mos urreni Greqinë, mos urreni lumenjtë, Grevenanë etj. Ua dha këtë short të keq. Vendi amë, i lumtur me arritjet e shumimit të palmave.

 

SHKARKO APP