Ne prodhojmë vetëm specialistë studiosh televizive
Nga Sonila Meço
Shuhet një projektues i veprave të mëdha hidroenergjitike dhe vret mendjen a dalin më nga universetet tona specialistë të tillë kalibri?
Më tregon mamaja e bashkshortit tim për të vetmin mirëmbajtës digash hidrocentralesh të atyre viteve mbetur gjallë e që njeh skutat më të pamundura të ndërhyrjes dhe as nuk ke kë pyet a po pregatiten më të tillë?
Më dëshmon im atë për inxhinierët e naftës si ai, që hapën puse gjigande për burime gazi duke krijuar industrinë më të rëndësishme në vend. Kurba me emrin e tij ‘Tomor’, mësohej në Universitet krahas formulave të famshme shkencore. As atij e as kolegëve të tij nuk u ka rënë kurrë telefoni të konsultohet kush për zhvillimet në këtë industri ku askush nuk di të thotë kush shfrytëzon çfarë e si. Sa inxhinierë dalin çdo vit në tregun e punës? Di gjë dikush?
Dëgjoj një mik të më tregojë për çfarë ka mbetur nga Instituti i dikurshëm i Fizikës Bërthamore. Sa specialistë dalin nga Universiteti të gatshëm për të përballuar punën e një Instituti gjithnjë e më të vlefshëm në vendin me kanate të hapura radioaktivitetit?
Sa inxhinierë, projektues, specialistë industrish dalin nga Universitetet tona? A ua kërkon kush këshillën atyre mijëra të tillëve që ngritën industritë në vend e mbanin ekonominë e një Shqipërie të izoluar? A e di kush sa e si i kërkon tregu i punës në raport me ekonomistët, juristët, psikologët e këngëtarët në masë që prodhon ky vend?
Zot na ruaj nga tërmetet, përmbytjet, ndotjet radioaktive, karburanti jo cilësor, ndërtesat e pasigurta, energjia e munguar, nga dërrma që u kemi dhënë burimeve natyrore, ama mos na fal se ne dimë ç’bëjmë, madje e dimë mirë.
Ne prodhojmë specialistë studiosh televizive për jetën virtuale që u kemi injektuar shqiptarëve mbi shuarjen e tyre reale.
Po t’i lëmë këto brenga, kush martohet këtë javë?