Në PS po hanë kokat e njëri-tjetrit, luftojnë për vota personale. Grupimi antiRama jashtë PS-së po pret te dera e selisë

GËZIM SALIU

Në kushtet kur fushata elektorale po nxehet dita-ditës, në rradhët e partisë në pushtet ka nisur një luftë e brendshme, të cilën edhe Rama po e përjeton . Vetëm pak ditë më parë u mësua se kryeministri kishte kritikuar socialistët për mënyrën se si po e trajtonin fushatën në terren, ku secili ishte interesuar për votat personale, duke lënë mënjanë votën për partinë. Rama dha urdhër që në çdo takim me qytetarët të kërkohej fillimisht vota për partinë e pastaj ajo personalja. Madje ai ndaloi maskat dhe kapelet me numrat personalë të kandidatëve duke u lejuar atyre vetëm ato me numrin që mban PS në listën për zgjedhjet e 25 prillit.

Qartazi, kryeministrit në këto zgjedhje i mungon bilanci, ndërsa vendi ndodhet në kriza të njëpasnjëshme për shkak të keqqeverisjes 8-vjeçarë të Rilindjes. Nisur nga kjo, Rama nuk kërkon të ketë një hall tjetër mbi kokë për 25 prillin me luftën personale për vota. Por me sa duket tani është tepër vonë, pasi lufta e brendshme ka nisur dhe Rama nuk do mund ta ndalë më.

Mos harrojmë se ishte vetë Rama shkaku i kësaj lufte me listën që përpiloi për zgjedhjet e 25 prilit. Një pjesë të mirë të socialistëve tradicionalë i hoqi nga listat apo i detyroi të dorëhiqen, një pjesë tjetër i vendosi në pozicione thuajse humbëse e ndërsa të tjerë i përjashtoi edhe fare nga partia.

Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është vendosur në një pozicion fare të pasigurt në listën e PS-së për Tiranën, në vendin e 23. Nga njeriu symbol i reformës në drejtësi i konsideruar nga vetë Rama dhe ambasadorët, kryeministri e telendisi Xhafën në pozicionin që me shumë mundësi do ta përjashtojë nga parlamenti i ardhshëm. Tani imagjino si ndihet Fatmir Xhafaj, si një socialist i vjetër, kur sheh ministren e drjetësisë Etilda Gjonaj, nxënëse të Vasilika Hysit, që të jetë e 7 në listën e Tiranës dhe ai në fund të listës.

Po ashtu ish-ministrja e Mbrojtjes, dhe aktualisht kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, është renditur e 22-ta në Tiranë, numër i cili është jashtë planeve dhe objektivave të PS. Edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe deputet në 5 legjislatura, është renditur në vendin e 19 në Tiranë, një zonë në kufirin e objektivit të PS-së.

Të gjithë të lartpërmendurit duhet të marrin mbi 10 mijë vota individuale që të bëhen deputetë për të thyer herësin. Dhe për të arritur këtë objektiv personal, i gjithë ky grupim ish-ministrash e ministrash po zbatojnë në fushatë parimin e votës individuale. Ata kërkojnë vota nominalisht, duke lënë pas votën për PS-në si subjekt politik. Tanimë Xhafaj, Kodheli e Majko kanë një bast personal me Ramën që thuajse i përzuri nga partia dhe për ti vërtetuar të kundërtën atij do tentojnë me çdo kusht të marrin vota personale, në mënyrë që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Prania e tyre në grupin parlamentar të PS-së pas 25 prillit është ajo që e tremb edhe më shumë Ramën, pasi humbja thuajse e sigurt e këtyre zgjedhjeve, do të krijojë frymën e e grupit anti-Rama në PS, grupim i cili do kërkojë dorëheqjen e tij nga partia dhe ngritjen e një tjetër lideri te socialistët.

Po ashtu në listat për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Rama la jashtë nga grupi parlamentarë, socialistë tradicionalë si Musa Ulqini apo Vasilika Hysi, duke mbajtur ndërkohë në listat e reja emra që përfliten në dosjet e audiopërgjimeve të Bild për krime zgjedhore.

Përveç grupit parlamentar në listën e kandidatëve për deputetë, Rama la jashtë edhe ministra të promovuar prej tij në këto 8 vite, si: Sandër Lleshi, ish-ministër i Brendshëm, Gent Cakaj, ish-ministër i Jashtëm në detyrë dhe Besa Shahini, ministre e Arsimit, Elva Margaritin, ministre kulture, ish-zv.kryeministren Senida Mesi etj. Largimi më i bujshëm pa dyshim ishte ai i Ditmir Bushatit, ish-ministër i Jashtëm nga viti 2013 deri në dhjetor 2018. I konsideruar nge vetë Rama si yli kryesor i ekipit të tij qeverisës, tanimë Bushati e gjeti veten jashtë listave dhe kjo erdhi vetëm për shkak të qëndrimeve që ai mbajti për çështjen e ndarjes së territorit Kosovë-Serbi.

I gjithë ky grupim i të larguarve është gati në korridorin e PS-së, po pret rezulatin e 25 prillit. Humbja e Ramës do ti sjellë ato në selinë e socialistëve si një ushtri të uritur për kufoma politike, duke kërkuar me zë të fuqishëm, dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të PS-së. Pikërisht kjo situatë e pritshme është ajo që e tremb më shumë Ramën se sa vetë 25 prilli.

SHKARKO APP