Në Shqipëri për pak minuta
Nga Mimoza Dervishi*
U ktheva për një javë në Shqipëri, sa për një përqafim me të gjallët dhe një tufë lule për të vdekurit. Më thanë: “Mirëserdhe” në aeroport, një ndryshim radikal nga polici i ngrysur i gjashtë viteve më parë, i ciIi i hodhi një kovë ujë të ftohtë gjithë mallëngjimit tim romantiko-patriotik, përpos, më tmerroi dhe vajzën.
Ndonjëherë një fjalë e vetme, nga ato më të bukurat e gjuhës shqipe, është mjaft për të kaluar kufinjtë me dinjitet, reale apo emocionale qofshin. Shqiptarët dhe qytetet e para gjashtë viteve, atëhere mu dukën të bjerrur në shpirt dhe individualistë në esktrem, një ndryshim që mu desh kohë ta gëlltisja. Kësaj radhe nuk prisja shumë, thjesht nuk doja të ishte më keq. Jo, nuk mu duk më keq, dhe koha e shkurtër nuk ma jep të drejtën të them se ishte më mirë. Betoni i dikurshëm ishte po aty, ajo masë tragjike, që nuk shkulet vecse me dinamit. Fytyrat, rrëmuja, veshjet dhe sjelljet ishin po ato. Diku grimuar për dreq, diku rrënuar keq. Të rinjtë, pothuaj të gjithë veshur black, pothuaj të gjithë kafeneve. Dhe një jolezë tarallake vërtitej dhe rrinte mirë mes tyre.
Qëllova në Tiranë ditën që një grua u qëllua me shpullë në një protestë. Gjithë admirimi im për atë fjalë të vetme mirëseardhje në aeroport, u zhbë në cast. Ishte dita kur një grua në vendin ku jetoj sapo kishte fituar shtetin e Nevadës në garën presidenciale, dhe kur unë gjithë qef po u tregoja miqve shqiptarë, foton e vajzës time duke përqafuar televizorin kur Hillary Clinton po mbante fjalën e fitores. Më ngeci në fyt fitorja e saj. Për ne që jetojmë mes dy botësh, është bekim dhe mallkim jeta me sinkronizim realitetesh. Nuk trishtohemi dot deri në fund kur njëra nga botët nuk shkon dhe aq mirë, nuk gëzohemi deri në fund kur tjera shkon për së mbari. Para gjashtë vjetësh, një shpullë në protestë, do ishte një asgjë. Në fund të fundit e gjitha që donim dikur, ishte që njerëzit mos vriteshin me duar në xhepa duke protestuar. Kësaj triumfalisht ja kemi arritur dhe nuk është pak, por është e tejkaluar tashmë. Ndaj gjashtë vjet më pas, ajo shuplakë është krejtësisht e papranueshme, është një shenjë e keqe, tmerrësisht e keqe. Deri në atë moment nuk po e kuptoja pse askush nuk më tha as edhe një fjalë të mirë për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës. Madje edhe kur kritikonin gjëra që s’kanë lidhje me këtë bashki, fajin po Erionit ja vinin. Dukej sikur gjithë valenca e zemërimit ishte derdhur mbi të. Aq sa midis atij që drejton vendin si kryeministër dhe atij që drejton bashkinë, rrezik më të madh konsideronin këtë të fundit. E pra Tirana ta bën këtë nder, të ngre ose të rrëzon përtokë. Eshtë një qytet “tricky”, i komplikuar sa ska, që bart me vete gjithë nuancat e spektrit shqiptar, dhe që ndoshta nuk ka dëshirë të përsërisë veten në atë patern-in aq të dëshiruar politik, ku nga zyra e bashkisë, herët a vonë mund të kalosh tek ajo e kryeministrisë. Ai që donte ta përsëriste këtë trajektore pas kryeministrit aktual, teknikisht dhe vetëm teknikisht kryeatri aktual i Partisë Demokratike, dështoi turpshëm me Tiranën dhe ju largua asaj si djalli temjanit. Sot edhe për të, ashtu si për Erin, flasin keq në Tiranë, edhe të vetët, vecanërisht të vetët, të cilët e shohin si pa ngjyrë, pa formë, thjesht si një butak. Modeli i Ramës, ishte dhe mbetet thjesht i Ramës. Për këtë duhet të qetësohen të gjithë!
Gjatë pesë ditëve në Shqipëri, shkova në varrezat e qytetit të lindjes, ku shkëlqimi i mermerit turk dhe cmenduria e shqiptarëve për garë edhe mes varresh, na ka hequr atë të drejtën bazike të komunikimit shpirtëror me të vdekurit duke prekur tokën ku ata prehen. S’ka më tokë. Po të paktën ka pemë rrotull, ato pishat e lashta, ishin aty hijerënda si një tregues, që po, ky dikur ishte një qytet me rrenjë.
Rrugës së kthimit u futa në qytetin e të gjallëve, ndalova tek rrugica e shkollës fillore, si i vetmi kujtim ende i paprekur dhe i pambuluar me beton. Nuk është më shkollë, por ka ende të njejtën formë të bukur të një shtëpie të ngrohtë qytetase, dhe sigurisht ka gjithë dashurinë time, që më mësoi të shkruaj gjuhën shqipe. Një grua i vuri drynin portës së jashtme dhe megjithë përpjekjen time për tju vënë pas, e humba mes rrugicash tradicionale dhe pallatesh aspakt të tilla. Dentisti përballë më tha që ish-shkolla do prishet dhe në vend të saj do ngrihej, cfarë tjetër, një beton i gjatë pafund, me ato format e cuditshme, gjithë cepa dhe kthina që s’kanë pikë lidhje, jo vetëm me arkitekturën e qytetit, po me asnjë lloj arkitekture të botës. E si të tilla, gjithmonë të duket sikur do të bien sipër kokës. Në fund të fundit, ky është qyteti i “Kandidatit” të Blushit, ku të vdekurit marrin frymë më mirë se të gjallët.
Rrugës për në Tiranë, më ftuan në një shtëpi mes një fshati të ri, të sapongritur, ku shoferi i lumtur më tha: “këtu jetojnë të gjithë Ata”. Dhe me ata, e kishte fjalën për elitën e re. Filloi ti numëronte gjithë krenari emrat. Me po kaq krenari do tua rendisja dhe unë, po emrat nuk i mbaj mend! E gjithë hapësira mu duk e ftohte, klinike, e pashpirt, ne mes të rrëmujës dhe rrëmetit, si një varrezë me kate, por pa ato pemët shekullore. Të rejat e mbjella, tek tuk dhe larg njëra-tjetrës, do duhet kohë të lartësohen.
Në të gdhirë, në Rinas, në 4 të mëngjesit, duke kapërcyer sërish dy botët, polici i vuri vulën (pashaportës), dhe sikur ta kishim bërë me fjalë, nuk më tha asnjë fjalë. Nuk ishte e nevojshme……
*Mimoza Dervishi ish-gazetare e “KOHA JONE” dhe ish-kryeredaktore e revistes “AKS”