Në vend të një bilanci për mos-hetimin e ÇEZ!
Nga Mero Baze
Episodi i fundit në Kuvendin e Shqipërisë mbylli betejën politike për ÇEZ, objektivi i së cilës sipas opozitës ishte krijimi i një ndarje mes PS-së dhe LSI-së dhe pastaj operimi me opsionet e reja, ose qeveri e përbashkët sipas mbështetësve të Bahsës, ose zgjedhje të reja sipas Berishës.
Episodi u mbyll për shkak të një qëndrimi serioz të Partisë Socialiste ndaj skandalit dhe sidomos të disa deputetëve të saj, të cilët dëshmuan një integritet politik gjatë gjithë krizës edhe në sallën e parlamentit. Mes tyre dua të veçoj Erjon Braçen. Ky i fundit është rasti i përsosur sesi një deputet nuk ka komunikim politik me kryetarin e Partisë, por përmes këmbënguljes për t’i shkuar të vërtetës aty ku është, shkon dhe tek qëndrimi më i pjekur politik. Rruga e vetme e shmangies së diversionit politik në këtë rast, ishte t’i drejtoheshe të vërtetes dhe e vërteta ishte se qeveria e Sali Berishës është autore e një masakre të pashembullt financiare, që me privatizmin e ÇEZ e deri me zbimin e tij në mënyrë banditeske nga Shqipëria, duke i favorizuar ata ndjeshëm në procesin e gjykimit ndërkombëtar. Mes këtyre dy piketave, ka abuzime të frikshme, siç janë shkresat e zotit Bode, qëndrime të ndryshme mes ministrave, siç janë rasti Bode-Naço, qëndrime të ndryshme të drejtorit të KESH nga qeveria, etj. Por mbi të gjitha shquajnë kompanitë seksere, që si hiena shqyen çdo kockë të mbetur nga parat e papaguara të shqiparëve për atë kompani. Erjon Braçe ndoqi këtë rrugë si deputet dhe arriti në të gjitha këto përfundime, duke mos harxhuar shumë energji për të pyetur a është mërzitur Iliri me Edin, a kanë folur në telefon, a foli Endri me Monikën etj. Pos tij, plot socialist me integritet ruajtën drejtëpeshimin politik dhe atë taktik, duke e shmangur këtë krizë tërësisht joserioze dhe banale për ata që i kanë votuar.
Betejën që bëri Erjon Braçe apo Taluant Balla, në fakt duhet ta bënte Damian Gjiknuri, Ministri i Energjitikës, i cili u vu në qendër të konspiracionit rreth këtij diversioni politik. Ai është ministri përgjegjës, që duhet të konsultohet me kompaninë e avokatëve që ka pajtuar Sali Berisha për të dhe ai është personi që duhet t’i orientojë ata drejtë hetimit jurdik dhe jo drejtë sfondit politik të hetimit. Nëse avokatët e qeverisë do merren me politikë dhe politikanët tanë me hetim, kjo çështje do mbetet një thes, që sa herë ta shkundësh aq herë do të nxjerrë tym për t’i fshehur gjithë fajtorët. Avokatët që paguhen me parat e mia dhe të shqiptarëve të tjerë, duhet të merren nën mbrojtjen juridike të qeverisë shqiptare përballë një kompanie mashtruese si DIA dhe pronarit të saj, ndërsa Ministri Gjiknuri nëse do të bëjë politik me këtë çështje ka parlamentin.
Personi i dytë, që unë po vazhdoj të këmbëngul, i cili duhet së paku të fliste njëherë duke lexuar deklaratën e dorëheqjes mbetet Petrit Ahemtaj, Drejtori i ERE-së, i cili është i përfshirë kokë e këmbë në këtë histori dhe ka çuar dhe vëllain e tij si kryeministër në Prokurori për herë të dytë për një pazar që e ka bërë ky. Mbajtja e tij në krye të ERE-së dhe të sjellurit e tij sikur nuk ka ndodhur gjë, është një implikim i rëndë që rëndon padrejtësisht mbi socialistët për hir të një politike klienteliste të Ramës dhe Gjiknurit. Heshtja e Gjiknurit, veprimtaria pa mbikqyrës e avokatëve të qeverisë, që nuk dihet ku po e çojnë çështjen tek debati politik apo jurdik dhe mbajtja në krye të ERE-së e një personi shumë të lidhur me Ismailaj, do të jenë ende burim diversioni për opozitën për të ushqyer konfliktin LSI-PS dhe për ta turbulluar dhe më keq situatën. Është aq e vërtetë kjo, sa në gjithë debatin e opozitës, i vetmi njeri që nuk është përmendur është pikërisht Drejtori i ERE-së, që ka ndarë para me Ismaliaj, çka do të thotë se ata e kanë të qartë se kush u duhet i heshtur e kush u duhet në luftë në këtë betejë.
Së treti, kjo betejë, e tëra politike provoi që Kastriot Ismailaj përveçse një biznesmen mashtrues, i stërvitur me pelivanllëqe politike, ishte në këtë betejë një aktor që kishte garantuar opozitën ta mbështeste me denoncnimet e tij. Për çfarë nxorri deri sot janë banale, nëse iu referohemi fakteve. Për çfarë mund të thotë me gojë në të ardhmen, duhet besuar aq sa duhet besuar një mashtrues në hall, që dërgon gruan tu marrë para borxh biznesmenëve, të cilëve u ka shitur paraprakisht të drejtën e fitimeve si garanci nëse DIA fiton gjyqin me qeverinë shqiptare. Është kjo arsyeja që sot besohet më shumë Manjani, madje dhe Berisha, kur thotë se politizimi i çështjes mund të favorizojë DIA-n, sesa vet qeveria që e ka lënë këtë çështje në mëshirë të fatit dhe të disa avokatëve që na i ka gjetur Berisha.
Mbyllja e kapitullit të parë politik të kësaj beteje, asaj të përpjekjes për ta përdorur si pyk për të çarë koalicionin, mund të thuhet se dështoi, por kjo histori do të vazhdojë të prodhojë politik, derisa është ende e pahetuar dhe krimi ende i padënuar. Socialistët u gjendën përballë kësaj beteje jo vetëm të hutuar, por dhe të paaftë për ta përballuar atë politikisht, për shkak të mungesës së qartësisë politike dhe dembelizmit për të gërmuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Por mbi të gjitha, nga sëmundja që ka ajo parti, e cila nuk e di çfarë mendon kryetari. Ndryshe nga LSI dhe PD, që dinë vetëm këtë gjë.
TEMA