Në vend të pensioneve u rrit çmimi i varreve

 

Fejton

 

Nga Hyskë Borobojka

            Të gjithë qënjet e gjalla me dy këmbë e dy duar, kur u vjen koha t’i thonë rri me shëndet kësaj bote e të marrin rrugën në botën tjetrën, përpara se t’u dalë shpirti e t’i mbyllin sytë, u lënë të afërmeve porosi, amanete apo vasiete. Edhe unë, i vetëqojturi Hyskë Borobojka, nuk mund të bej përjashtim. Dëshirën apo amanetin tim të fundit, vendosa t’ua le miqve e shokëve të derteve e halleve, Kamber Gokovicës, Tare Tarukut, Vero Verushit dhe adashit, Hysen Kokojkës. I kam miq për kokë, kam ngrënë me ta një furrë me bukë e kam pirë një damixhane me raki, e një but me vere. I mblodha një ditë në një nga lokalet më të fisme të Tiranës e u thashë:

-Amaneti im, të nderuar miq e shokë, kur të mbyll sytë e të mos jem më në këtë botë, banesën e përjetshme mos ma ndërtoni as në Sharrë, e as në Shish Tufinë!

-Po ku e do, i shumëdashuri Hyskë?! Në qiell sipër reve? – më pyeti adashi, Hysen Kokojka.

-E dua atje ku më ka rënë koka, në fshatin tim rrëzë Ostrovicës! – u thashë.

Kjo kërkesë sikur ia prishi qejfin Kamber Gjokovicës e m’u kthye:

-Ç’flet kështu, si e ëma e Zeqos në majë të thanës, o miku im. Ke gjysëm shekulli që jeton e thith ajrin e Tiranës dhe pas kaq vitesh kërkon të vesh përsëri andej nga ke ardhur?!

Ata kishin të drejtë, por edhe unë nuk isha pa arsye të forta që kisha marrë këtë vendim.  Kur lexova në gazetë (gazeta është e vërteta) se për të zënë një banesë të përjetshme në kryeqytetin tonë duhet të paguash 250 mije lekë të reja. Që të grumbulloja kaq para nga pensioni im, duhet të shpallja “grevën e urisë” një vit e dy muaj.

-Mos u nxito, po merre shtruar, o Hyska i uruar! Qeveria thotë se do të na i rrisë pensionet, prandaj duro, o i duruar! -më këshilluan miqtë.

-Keni të drejtë! Qeveria përpara se të vinte në pushtet, premtoi e rrahu gjoksin sa e bëri gropë, se do na rriste pensionet, por në vend të tyre rriti çmimin  për dy metra tokë, që do të mjaftonin për ndërtimin e banesave të përjetshme. Prandaj, o miq të nderuar, mora këtë vendim, jo nga malli, por nga halli!

U thashë miqve e shokëve, përpara se të më dalë shpirti e të bëhem qytetar i asaj bote, u lutem të më shpinin në fshatin tim, t’u tregoj vendin ku do të ma ngrini banesën!

-Amanetin se tret dheri! Për Hyskë Borobojkën, që ka qenë fjalë e kuvend, jemi gati ta marrim në krah e ta shpim ku i do xhani! – tha Tare Taruku.

Me mendimin e tij u bashkuan dhe të tjerët dhe një ditë të bukur maji, kur natyra vishet me këmishën gjelbërore, më ngritën havadan e më shpunë ku ma donte shpirti e më qante zemra.

-Banesën  e dua të ma ndërtoni këtu, ne krye të Selishtës, – u thashë.- Të kem përballë “Gurët e Gjetë”, “Sheshin e Mullirit”, “Shullërin” e qershive dhe kishën e “Shën Triadhës”, që e ka ndërtuar më 1470 zonja Ana Muzaka, si na rrëfen nipi i saj, Andrea, në “Memorjet”e tij. Nga e djathta të kem “Mërtikasin” e “Stanin e Mirë” e nga e majta shkollën ku mësova abecenë.

U thashë së këtë amanet kërkoj të ma plotësoni pasi dua të shoh, si në fëmini e rini, lulet kur çelin në mezhda e ara. Të dëgjoj bilbilat kur ia thonë këngës e thëllëzat ua mbajnë. Të shoh Ostervicën ku flenë retë, yjtë në qiell dhe hënën përmbi mal. Të ndjej zefirin dhe veriun që fryn me ngadalë.

Kur arritëm në Selishtë dhe po u tregoja vendin ku do të më ndërtonin banesën e përjetshme, ndodhi ajo që s’duhet të ndodhte. Nga sipër erdhi, duke i hapur çapet sa një zhalon, një burrë i bëshëm, me një shkop të trashë thane në dorë.

-Ç’kërkoni ju zotërinj këtu në pronën time? – pyeti duke tundur shkopin në ajër.

-Kemi ardhur ti plotësojmë amanetin e dëshirën e fundit Hyskë Borobojkës. Ti ndërtuar banesën e përhershme në Selishtën e tij! – i tha adashi im, Hysen Kokojka.

-Ç’thotë, zotrija jote!? Selishta dhe ç’shihni rreth e rrotull janë të mijat!

-More zotni! – ndërhyra unë dhe s’kisha si mos ndërhyja. – Këtë Selishtë e ka blerë me pare në dorë babai im i ndjerë, (i ndritët shpirti ku ka rënë), kur u kthye nga kurbeti!

-Dëgjo zoti Hyskë apo Hysen, si të thonë! – m’u kthye burri me shkop në dorë. – Në ke ardhur si mik eja e pi një kafe e më uro shtëpinë e re që kam ndërtuar dhe mos u bëj zot i asaj që s’të takon!

-Mor i uruar! -i fola me të butë. -Kam tapitë e dokumentet e kadastrës!

-Në i ke, mbaji e piju lëngun. Botë të pyet, jo si ke qenë, por si je. E di ti zoti Hyskë apo Hysen, si të thonë, se toka i takon artij që e punon dhe shtëpia atij që në të banon?! Selishtën dhe gjithë tokën rreth e rrotull ma ka dhenë ligji “7501” dhe s’ka lindur akoma burrë nëne që ta lëvizë!

Në ketë mes ndërhyri Tare Taruku e tha:

-Të paktën jepi dy mera dhe nga prona e tij, zotit Hyskë Borobojka, të çmallet e t’i plotësohet  amaneti, që s’e tret dheu!

-Jo dy meta, por as dy centimetra s’ka për të marrë zotnia nga malli “im’!- e vulosi urdhërin e tij, burri me shkopin e thanës në dorë.

Kështu më ndodhi me udhëtimin tim në fshatin ku më kishte rënë toku, për të parë si e kishte rrëmbyer pronën time një tjetër, që s’e kishte kismet. Miku i paftuar që me “dekret qeveritar” kishte marrë pronën tim, kishte ndërtuar edhe një vilë të bukur, që priste t’i legalizohej. Tani kam mbetur në dilemë e mejtohem si kali qorr. Ta ndërtoj banesën e përjetshme këtu në kryeqytet, ku kam banuar 50 vjet e s’kam të paguaj dy meta vend, si frengu pulën, apo të shtrydh trutë, për gjetur ndonjë vend tjetër?! Prandaj ecë e mos thuaj: Dermani të më bëhet se, kur të mbetem pa frymë, do dergjem mbi dhe?!…

 

SHKARKO APP