Negociatat Kosovë-Serbi, Kushtetuta dhe partnerët

Nga Kastriot Islami –

Ballkani po lëviz. U përmbyll marrëveshja e kufirit Kosovë-Mali i Zi, Mali u pranua në NATO. Marrëveshja për emrin mes Shkupit e Athinës ka hapur mundësinë e anëtarësimit në NATO të Maqedonisë Veriore. Mes Shqipërisë e Greqisë po zhvillohen negociata. Kosova po dialogon me Serbinë. Të gjitha këto veprime duken si parapërgatitje për fazën finale të integrimit të vendeve të Ballkanit në BE.

Ndërkohë që seicili vend i Ballkanit duhet të avancojë në drejtim të forcimit të demokracisë dhe të ndërtimit të shtetit ligjor duke luftuar ashpërsisht autoritarizmin, korrupsionin, lidhjet e shtetit me krimin e trafiqet.

Situata duket komplekse veçanërisht për lidershipin kosovar i cili ditët e fundit është përfshirë edhe në një debat të brendshëm. Ky debat duhet të jetë racional, transparent, i matur, institucional, dhe mbi të gjitha të rezultojë efikas sepse është me ndikim për të ardhmen e stabilitetit të Kosovës por edhe të rajonit.

Më konkretisht gjykoj se duhet patur parasysh që:

Dialogu Kosovë-Serbi duhet mbështetur dhe nxitur nga të gjithë faktorët.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë institucional, transparent dhe gjithëpërfshirës;

Opsionet e diskutuara në dialogun Kosovë-Serbi duhet të jenë në çdo rast në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Opsionet e diskutuara duhet të jenë në rezonancë/përputhje me parimet e partnerëve ndërkombëtarë mbi të cilat qëndron statusi i pavarësisë së Kosovës, parime të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës.

Çdo opsion që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk është në përputhje me parimet e partnerëve ndërkombëtarë të angazhuar në fitimin e statusit të pavarësisë së Kosovës do të ishte me pasoja të rrezikshme për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.

Çdo opsion që mund të çojë në rrezikimin e pavarësisë kushtetuese të Kosovës dhe të stabilitetit të rajonit nuk duhet mbështetur.

SHKARKO APP