Negociatat si një kështjellë prej rëre

Nga Patrik Sadikaj

Po lexoja me vëmendje deklaratën e ministres për Çështjet Europiane të Francës, e cila është e vetmja që thotë arsyen reale se pse Shqipërisë nuk i hapen negociatat.

Ajo thotë se Tirana, por edhe Shkupi, kanë bërë reforma vetëm në letër. Asnjë gjë konkrete nuk është bërë për asnjë prej kushteve me të cilat na ka shtruar në punë BE.

Zyrtarët shqiptarë kanë prezantuar vetëm kështjella prej rëre në Bruksel, Berlin apo Paris dhe nuk kanë dhënë asnjë provë të vetme se këto letra të mbushura me nxitim për ti hedhur hi syve burokratëve të institucioneve të BE, të kthehen në vepra.

Mund të mos na pëlqejë kjo gjë dhe padyshim që është shumë më e rëndë sesa të mos i kishim bërë fare ato reforma, sesa thjeshtë në letër.

Edi Rama, kur del e thotë se tani e ka në dorë Europa, sepse ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, nuk bën asgjë tjetër vetëm se atë hi që e hedh syve të Brukselit, tenton të na e hedhë edhe ne.

Qeveria shqiptare nuk është në gjendje të përballet me këtë të vërtetë të hidhur që na e thotë ministrja franceze sepse dhe përpiqet të lajë mëkatet në “ujin e turbulluar” të vetë BE.

Përpjekja për të bërë vetëm formalisht detyrat, nuk na bën as kandidatë për në BE dhe as këtë vend të denjë për të qenë europian.

Në Europë nuk shkojmë dot me rroga të nivelit somalez, apo me shëndetësinë e Eritreas. Nuk bëhemi dot europianë duke vrapuar pas një pike uji për të pirë.

Padyshim që nuk quhet reformë në drejtësi vetëm ajo që është bërë në letër, kur asnjë qytetar shqiptar nuk merr dot drejtësi.

Si mund të shkojmë në derën e BE dhe të kërkojmë negociata duke gënjyer për luftën ndaj krimit dhe drogës vetëm me shifra në letër, por pa asnjë kriminel në burg?

Në BE nuk na qa njeri me ministra e deputetë analfabetë që ngarkojmë kamionë me vota të vjedhura dhe pastaj firmosin ligjet dhe reformat për shqiptarët.

Janë shumë. Ndoshta nuk i them dot të gjitha.

Shqipëria duhet të ndërtojë Europën këtu dhe pastaj ta thyejë me shqelma e grushta derën e integrimit. Mbase për njëmijë e një arsye BE na e hap derën, por ama pa larë këmbët dhe duart, nuk ka për ta na qasur kurrë brenda.

Mos të gënjejmë veten. E vërteta e ministres franceze duhet të na hapë sytë e të shkojmë në Bruksel me çantat plot reforma të vërteta dhe jo me një valixhe me libra pikturash që veç na bëjnë qesharakë dhe jo europianë…

SHKARKO APP