Nënë Tereza, nëna që shenjtëroi mëshirën dhe devocionin

Albert Vataj

Sot nuk është vetëm dita e kujtesës dhe kremtes së shenjtores shqiptare, por edhe përulësisë dhe bamirësisë, si akti sublim, me të cilin ne shpërblejmë shpirtin me dritën më të vezullimtë të besimit te mirësia dhe dashuria.
Nënë Tereza i’a mëkoi zemrën e saj çdo kraharori dhe shpirtin e ndezi në çdo diell, duke u derdhur mbi ne rrezet e dritës që na stolis me mirësi dhe bekimit që e shpërblen jetën me begatimin e vullnetit hyjnor.
Ajo erdhi si një vullnet qiellor dhe u përjetësua nga vepra e lartë e përkushtimit dhe devocionit, e dashurisë dhe mëshirës, e adhurimit dhe besimit.
Ajo erdhi për të qenë shëmbëllimi më i përsosur i dashurisë së Zotit për njeriun, i asaj force qiellore që i shndërron të gjitha gjendjet në përjetime ngazëlluese.
Dëshmoi me jetën dhe veprën e saj mirëbërëse se gjithçka është e mundur në besim.
Udhëhoqi vullnetet e dlira dhe forcën e arsyes, për të ndërtuar altarin e së mundshmes qiellore dhe bërjen e vullnetit të Hyut, si në qiell ashtu edhe në tokë.
Udha e saj e gjatë dhe e mundimshme është shembulli më domethënës i forcës që gjallon prej mirësisë dhe dhembshurisë, mëshirës dhe besimit.
Një përulësi mirënjohje që rrëmbeu interesimin e mbarë botës, një admirim që e mbuloi me lavdi veprën ngadhënjyese e kësaj shëlbyeseje të përkushtuar, kësaj misionareje të patëdytë të mirëbërjes dhe mëshirës.
Pakkush, si ajo, mundi që me faljen dhe dashurinë, tolerancën dhe mëshirën, ti jepnin jetë dhe energji përtëritëse besimit, ta popullonin botën me drejtësi dhe humanizëm.
Ajo ishte e rrallë, si e tillë mbeti e pazëvendësueshme, megjithëse misioni që mban emrin Nënë Tereza përpiqet çdo ditë, në çdo cep të botës; të kthejnë dritën ku kaplon errësira, mëshirën ku pushtetin ka barbaria, humanizmin dhe dorën e ndihmës, kur njerëzit përpëliten në dallgët e përbindshme të të sotmes gjithnjë e më armiqësore.
Pranojeni në zemër dhe në shpirt atë dhuratë bekimi që ajo e endi me mundim e sakrifica, e jetësoi në çdo ëndërr dhe i’a dha dëshirimit si një motivim, si një forcë shndërruese të çdo përpjekje mirësie në sublimim që Ajo e mbrujti në shenjtërim

SHKARKO APP