Nëse nuk shisni drogë, hashash, mend apo tendera, mos shkoni kot në Jalë

 

Nga Sokol Balla

Në Shqipëri është vështirë të më bindin të kaloj pushimet. Ka qenë vështirë gjithmonë, por një fundjavë u binda të vizitoj bregdetin e Jugut.

Vlora tashmë është e arritshme shpejt aq më tepër që Durrësi, Golemi etj, janë tashmë realisht të pafrekuentueshme dhe realisht të rrezikshme për shëndetin.

Bashkë me një mikun tim, pas një nate në Vlorë u zgjuam herët dhe u nisëm drejt Jalës. Një mëngjes i këndshëm tek Denta, ku vec ushqimit të mirë gjen edhe një gjë tjetër të rrallë, shërbimin e edukuar e më pas…. “Prit i thashë shokut tim”, “më duhet të tërheq para”. Por shoku im kishte hallin të bënte plazh, kështu që nuk më la e vazhduam drejt Jalës. Me siguri mendova, do ketë bankomat rrugës.

Befas mbi Llogara, pashë që karburanti ishte drejt fundit. Të mbetem pa karburant është një makth imi. Sidomos pas një përvoje të tmerrshme në Greqinë e grevave, kur me dy fëmijë të mitur desh ngela në mes të natës rrugëve të Verias. Shoku im më tha që do gjenim rrugës. Ec e ec, por rrugës gjenim vetëm ish reparte ushtarake, apo shihnim toka të djerra që shoku im, që punonte këndej gjatë verës, më rrefente si një ciceron i mire: “E sheh këtë ndërtesën e ish repartit ushtarak? E ka filan biznesmen. Një I madh I lidhur me Salën”. Pastaj dilte një tokë e një tjetër të madhi. “Këtë e ka me letra ai Mjeshtri. Ja ka manipulu dokumentat të zotit të tokës”

Ja ku shfaqet një rruge e re, e saposhtruar. Më në fund mendova, ja një investim fushate. Por jo. Ishim në Palasë. Dhe pronarët e një kompleksi të ri, e kishin shtruar rrugën vetë. Në kontrast me rrugën e shtruar 15 vjet më parë. Me përjashtim të një cope në Dhërmi prej dhjetë metrash para një dere. “Pronari nuk pranoi shtetin të shtronte rrugën këtu. Tha se ishte tokë e tij dhe rruga dhe nuk e lejoi kompaninë”

Ndërkohë kemi arritur në Jalë. Këtu nuk kisha qenë prej 22 vjetësh. Një super kompleks me bar, lounge, plazh prive’ dhe një restorant (vetëm një) që ishte i prenotuar për një javë të tërë, drekë dhe darkë.

Për dhomat e hotelit nuk pyeta, por dukej që shërbimi ishte fantastik. Për standardet e Shqipërisë kjo do të thoshte se kur një koktej frutash mungonten, nuk dëgjoje shprehjen rrugace “s’ka”, por kamarierja me buzëqeshje të ëmbël që të pyeste: “a mund tju sjellim një lëng tjetër frutash?”

Por befas na kapi paniku. Pas njëzet mijë lekëve për plazhin prive’, që e ndanim kryesisht me cuna dhe goca anonimë që prishnin aty miliona nga lekët e babit, befas u kujtuam se.. nuk kisha cash. Ne gati 70 kilometra nuk gjeta asnjë ATM. Na thanë në ikje se mund të kishte në Himarë, por tashmë kishim një problem tjetër. Pika e vetme e karburantit ishte në të dalë të Llogarasë dhe sinjali i kuq në kroskot, nuk premtonte asgje të mire.

Të paktën as mua, as shokut tim nuk na dhimbi ndonjë dhëmballë, apo s patëm ndonjë takikardi nga ritmi i vrullshëm i një dite vere, disi shumë për ne dyzet vjecarët rishtazi të humbur në lirinë e rigjetur papritur e padëshiruar. Por të paktën patëm dhjetë mijë lekë për dy Red Bull, katër mijë lekë për dy shishe të vogla me ujë dhe 50000 të tjera për të hequr stresin e llampes së ndezur të karburantit.

Nëse do hanim edhe dreke, ose larg qoftë të flinim atje, unë do harxhoja në ditë, një të dhjetën e rrogës sime mujore. Shoku im, ndoshta një të dytën. Kështu që nëse nuk shisni drogë, hashash, mend apo tendera, mos shkoni kot në Jalë. Keni gjithmonë mundësinë të merrni një minikredi. Por më mirë ndaluni në Radhimë. Ose më saktë pranë ATM-së së parë që do gjeni në Bregdet. Aty ku pordhët janë perëndimore, po kushtet akoma si në plazhet e kohës së Enverit.

Javanews.al

SHKARKO APP