Nesër është Dita e Europës
Nga Kastriot Çipi –
Nesër është Dita e Europës. Për ne, që e vuajtëm ndarjen nga Europa, për shkak të diktaturës më të egër komuniste në këtë kontinent, Europa ishte mirazhi, shpresa, e ardhmja, ëndrra dhe motivi për të rezistuar e për t’u rebeluar. Nga Europa prisnim të shihnim gjithçka që nuk e shihnim dot në terrin e diktaturës: lirinë e shprehjes dhe të tubimit, gjykata të pavarura, mirëqenie, drejtësi sociale, zgjedhje të lira e të ndershme.
Sa prej këtyre idealeve, me të cilat e lidhnim Europën deri në vitin 1990, kemi realizuar sot në Shqipëri? Asnjë! Mjaftoi abuzimi i pushtetit, me alibinë e epidemisë, që Shqipëria të kthehej 30 vjet pas. E filluam kthimin prapa me atentatet që iu bënë Kushtetutës në vitet 2008 e 2016. E vazhduam me shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese. Mbërritëm në të shkuarën diktatoriale me shfuqizimin e të drejtave kushtetuese me vendim të Këshillit të Ministrave.
Jemi njësoj si në vitin 1990. Në letër, Kushtetuta “demokratike” e 1998-s (e amenduar në 2008 e 2016) na garanton po ato liri e të drejta, që na garantonte Kushtetuta komuniste e vitit 1976. As atëhere, as tani, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Interpretimin e Kushtetutës e bën Udhëheqësi.
Prandaj unë do të jem nesër në ora 12 në Parkun Europa, siç quhet tani lulishtja prapa monumentit të Skënderbeut, në Tiranë. Do të jem aty për t’i kujtuar shqiptarëve se 30 vjet më parë u ngritëm kundër diktaturës komuniste me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Do të jem aty për t’i kujtuar Europës se Shqipëria është sërish diktaturë, njësoj si 30 vjet më parë.
Do të jem me maskë dhe do të mbaj distancë 2 metra nga çdo qytetar tjetër i pranishëm. Posteri im do të jetë kjo fotografi, me nenet e Kushtetutës komuniste të 1976-s. Cilido prej jush mund të gjejë posterin e vet, motivin e vet për të përkujtuar Ditën e Europës dhe fitoren e popujve europianë mbi diktaturat nazi-fashiste.