Nevoja urgjente e “çgreqizimit” të Shqipërisë
Nga Teuta Baleta
Një sërë ngjarjesh, dukurish, personazhesh e problemesh në Shqipëri, të mbrujtura përgjatë çerekshekullit të fundit janë frikshmërisht të ngjashme me ato të fqinjit tonë jugor. Dhe natyrshëm kupton se duhet reaguar, përndryshe katastrofa e plotë mund të ngjasë edhe për një ekonomi të brishtë e problematike; katastrofa mund të ngjasë edhe për një vend që vetëm 25 vite më parë përjetoi falimentimin e një regjimi; që vetëm 20 vjet më parë shkoi në prag të luftës civile …, sepse katastrofa në këto territore nuk paska kufi të poshtëm. Reagimi lipset të jetë i shpejtë, me vërtetësi, tërësor në politikë, ekonomi, moral, etikë e integritet, e mbi të gjitha me modesti.
Më 11 korrik 2015, BBC citonte ministrin e financave të Greqisë, Tsakalotos, të deklaronte se Greqia ishte afër arritjes së marrëveshjes së shpëtimit, e nevojshme për të mbajtur vendin në zonën e euros dhe për të shmangur falimentimin. Ky lajm ishte më i fundit në morinë e lajmeve të dhëna këto kohë mbi Greqinë, përfshi edhe daljen në qarkullim të librit “The Full Catastrophe. Travels Among the Neë Greek Ruins” (Katastrofa e plotë. Udhëtime në rrënojat e reja greke) me autor gazetarin James Angelos.
Leximi i librit nis natyrshëm nga kërshëria për të zbuluar këndvështrimin e autorit mbi ngjarjet më të fundit në Greqi. Sapo nis leximin shumë shpejt e kupton se këtë libër nuk mund ta lëshosh më nga dora, për të ndjekur të gjithë argumentin e përdorur në shpjegimin e faktorëve që çuan në “katastrofën e plotë” greke, i cili na zbulohet përmes “udhëtimeve nëpër rrënojat e reja greke”.
Autori ka përqasur një formë tejet interesante të shpalosjes së ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve, që çuan drejt “katastrofës së plotë”. Për të mbrujtur librin e tij, autori udhëton nëpër të gjithë Greqinë, duke përfshirë Greqinë ishullore, gadishullore, brendinë e saj territoriale e deri në kufijtë me fqinjët. Kudo ai gjen një ngjarje a një personazh, në pamje të parë të izoluar, por që duke e shtjelluar të shfaq pamjen e plotë të fenomenit të pranishëm prej një kohe të gjatë. Autori takohet e flet me qytetarin e thjeshtë të revoltuar, me heroin simbol të Luftës së Dytë Botërore, me studentin dhe gazetarin në protestë, me burokratin dhe politikanin e ri dhe atë të vjetër, e deri me shërbëtorët e Zotit mbi Tokë. Kudo ku shkon dhe prej kujtdo që takon ai përpiqet t’i zbulojë lexuesit nëse bëmat apo sjelljet e çdokujt prej tyre, të grumbulluara kolektivisht, çuan drejt “katastrofës së plotë”. Së fundi, të gjitha këto copëza individuale ngjarjesh e njerëzish i vë në kontekstin e tyre historik, të kulturës, etikës dhe sjelljes së përgjithshme, duke u përpjekur ta bëjë lexuesin të kuptojë se çfarë po ndodh realisht në Greqi. Jo më kot shkrime të botuara për këtë libër e cilësojnë atë si të pasur në informacion, shpjegime dhe përvoja.
Ajo që tërheq vëmendjen më tepër është fakti se ky libër parathotë shumë për Shqipërinë. Një sërë ngjarjesh, dukurish, personazhesh e problemesh në Shqipëri, të mbrujtura përgjatë çerekshekullit të fundit janë frikshmërisht të ngjashme me ato të fqinjit tonë jugor. Dhe natyrshëm kupton se duhet reaguar, përndryshe katastrofa e plotë mund të ngjasë edhe për një ekonomi të brishtë e problematike; katastrofa mund të ngjasë edhe për një vend që vetëm 25 vite më parë përjetoi falimentimin e një regjimi; që vetëm 20 vjet më parë shkoi në prag të luftës civile …, sepse katastrofa në këto territore nuk paska kufi të poshtëm. Reagimi lipset të jetë i shpejtë, me vërtetësi, tërësor në politikë, ekonomi, moral, etikë e integritet, e mbi të gjitha me modesti.
Integrimi europian
Angelos na rrëfen se në fillimin e viteve 1970, presidenti francez dhe një nga arkitektët e Bashkimit Europian, Valery Giscard d’Estaing besonte se Greqia ishte “nëna e të gjitha demokracive”, e për rrjedhojë nuk mund të lihej jashtë anëtarësimit në Bashkësinë Europiane. Në vitin 2012 i njëjti do të shprehej: “Për të qenë plotësisht i sinqertë, pranimi i Greqisë ishte një gabim. Greqia thjesht nuk ishte gati. Greqia në themel është një vend oriental.”
Ballafaqimi i mendimeve të të njëjtit individ, për të njëjtin vend në dy kohë të ndryshme, na jep mësimin më të mirë politik dhe ekonomik se integrimi në vetvete në një bashkësi me të cilën nuk ke arritur të harmonizohesh e konvergohesh nuk është zhvillim ekonomik, nuk prodhon qëndrueshmëri ekonomike, financiare e shoqërore, nuk imponon as politikë e politikëbërje të drejtë e të ndershme. Një vend i integruar në BE përballet me po të njëjtat rreziqe tronditjesh si një vend i paintegruar në të, nëse ky proces nuk ka rrjedhur përmes një rruge reformash, harmonizimi e konvergimi që mbështeten mbi një bazë reale. Për këtë arsye, Shqipërisë i duhet të lexojë thelbin e mesazheve që i jepen në të gjithë përpjekjet e veta integruese dhe të reagojë me veprime reale e të vërteta, veçanërisht në fushën e ekonomisë e financave. Procesi i integrimit nuk ka pse të jetë i nxituar, ai duhet të jetë i vërtetë, i qëndrueshëm dhe mbi të gjitha duhet të jetë një proces modest. Gjithkush është i qartë se Europa bën fare mirë pa Shqipërinë. Prandaj integrimi ka nevojë të udhëhiqet nga objektivi: Ku duhet të jetë Shqipëria që të jemi me Europën! E në këtë aspekt ka shumë, shumë për të reformuar. Si fillim, duhet t’i largohemi bizantinizmit.
Ç’organizimi bizantin
Autori i librit përmend një sërë rastesh, si: Neglizhimi i qëllimshëm i krijimit të bazës së qendërzuar të të dhënave, e cila do të ndihmonte në shmangien e pagesave të paligjshme të përfitimeve sociale; Dorëheqja e një profesori të shkencave kompjuterike, nga ministria e financave pasi e pa se përpjekjet e tij për të grumbulluar informacion mbi bazën e të cilit mund të luftohej shmangia tatimore, rezultuan të kota, sepse zyrtarët e lartë të organeve tatimore nuk treguan gatishmëri për të vepruar; Ekzistenca e gjashtë departamenteve të kontabilitetit që nuk komunikonin me njëri-tjetrin në televizionin publik; etj. Qëllimi i autorit është të hedhë dritë mbi ato që i pagëzon si “metoda bizantine” të regjistrimit e përdorimit të informacionit, të vëna në jetë prej politikanëve dhe punonjësve të qeverisë qendrore dhe vendore, për të shmangur përgjegjshmërinë.
Baza e çdo reforme dhe projekti zhvillimi në çdo fushë, veçanërisht në atë ekonomiko-financiare është informacioni i saktë, i qartë dhe i servirur në mënyrë të kuptueshme për publikun e palët e interesuara. Informacioni lejon të njohësh gjendjen dhe problemet që barten në të, si dhe të gjesh zgjidhjen. Transparenca e bën të dobishëm informacionin dhe lejon publikun e palët e interesuara të kërkojnë përgjegjshmëri reale nga institucionet e vendit.
Fjalë në pamje të parë teorike, por që ende nuk janë përvetësuar në veprimtarinë dhe sjelljen e institucioneve publike shqiptare, duke ndikuar seriozisht në cilësinë e llogaridhënies së institucioneve. Më e saktë është të themi se vijon tradita e të bërit propagandë, në vend të të bërit transparencë. Shembujt janë të shumtë, disa më të dukshëm e disa jo. Në disa raste institucionet nuk respektojnë afatet e publikimit të informacioneve. Rasti më i diskutuar në media kohët e fundit ka qenë mospublikimi sipas afateve i të dhënave fiskale. Ky element tërhoqi vëmendjen edhe për shkak të ecurisë së ekonomisë. Ka edhe raste të tjera kur kanë munguar apo nuk janë publikuar në kohë të tjera shifra, që edhe mund të kenë kaluar pa vëmendje mediatike. Institucione të caktuara për shumë kohë kanë fshehur informacionin mbi buxhetet e tyre, madje duke zhbërë edhe ato arritje në fushën e transparencës të trashëguar prej disa vitesh. Mjafton të përmendim mbështetjen e dobët që kanë patur prej vitesh strukturat e grumbullimit dhe përpunimit të informacionit statistikor në institucionet publike, apo zbatimi i dobët i kërkesave nga autoritetet rregullatore për transparencën nga entitetet private që mbikëqyrin, që të kuptohet qartësisht se edhe në Shqipëri nuk i kemi shpëtuar fenomenit të bizantinizmit, me efekt kryesor bjerrjen e cilësisë së llogaridhënies.
Një tjetër fenomen i trashëguar i diskutuar gjerësisht në këto dy-tre vitet e fundit është zinxhiri i detyrimeve të prapambetura, lexo të papaguara në kohë, që kanë institucionet shtetërore kundrejt entiteteve private, entitetet private kundrejt njëra-tjetrës, apo klientëve, ku më i diskutuari në media dhe raporte analizash ka qenë sektori i ndërtimit, veçanërisht i punëve publike. Është një fenomen që ka ndikuar jo pak në ngërçin e qarkullimit të parasë në vend, në mjegullimin e gjendjes reale të detyrimeve financiare, duke cenuar të drejtat e konsumatorëve. Megjithatë, çështje të tilla edhe kur raportohen në publik, asnjëherë nuk bëhen të njohura me të gjithë kuadrin e tyre, duke mos raportuar të paktën vërtetësinë e informacionit, e thënë me fjalë të tjera auditimin e pavarur të tij.
Auditimi
Meqë ra fjala për auditimin, autori na rrëfen për një personazh me fate tepër interesante, ish-ministrin e “shumë ministrive”, siç e cilëson ai, Akis Tsochatzopoulos (Akis Xohaxopulos), i cili përfundoi i dënuar për bëmat e tij si ministër i mbrojtjes. Gjatë hetimeve u zbulua se kontratat e armatimeve trajtoheshin si transaksione jashtë regjistrave dhe nuk kishte ndonjë agjenci auditimi të pavarur që të kishte kompetencë për t’i shqyrtuar këto kontrata.
Gjendja e strukturave të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm në Shqipëri paraqitet e pakonsoliduar në pikëpamjen e formimit profesional, të pavarësisë së funksionimit dhe, ajo që është më e rëndësishme, të integritetit. Nuk është e rrallë përpjekja për refuzim apo vonim në dhënien e informacionit, që përbën lëndën e parë për procesin e auditimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e efektivitetit të këtij funksioni. Jo rastësisht Raporti më i fundit i Progresit për Shqipërinë (tetor 2014) arrin në përfundimin se duhen përqendruar përpjekjet në forcimin e standardeve kontabël dhe të auditimit … si pjesë e punës për të ndërtuar qeverisje ekonomike të shëndetshme.
Mbrojtja
Autori përmend ish-ministrin e mbrojtjes së Greqisë dhe përsëri nuk i shpëtojmë dot paralelizmit të fortë të ngjarjeve: Mbrojtja … sa shumë skandale. Shpenzimet ushtarake të Greqisë ishin shumë më tepër se pjesa më e madhe e vendet e BE-së. Autori vëren se në periudhën 2002-2006 Greqia e vogël u bë importuesi i katërt më i madh në botë për armët dhe jo pa ironi shprehet se “për festat patriotike, Greqia e ka traditë të bëjë paradë me prokurimet e saj ushtarake”. Kontratat për blerje armatimesh të justifikuara me armiqësinë e tejzgjatur me Turqinë, kontribuan në masë të konsiderueshme në problemet fiskale të vendit, por i dhanë mundësinë Tsochatzopoulos-it dhe zyrtarëve të tjerë të mbrojtjes të pasuronin veten.
Jo pak skandale kanë shoqëruar në vite Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë me pasoja për financat publike dhe pasoja për jetët njerëzore, por me ndryshimin se në rrugën e skandalit nuk kalonte blerja e armatimeve, por shitja dhe shkatërrimi i atyre të blera në një tjetër regjim e justifikuar me mungesën e armiqve.
Gllabërimi
Sipas autorit në Greqi kish zënë rrënjë fenomeni i “gllabërimit”, që është termi i shkurtuar i përdorur gjerësisht për gostinë e paligjshme të shtruar me paranë publike. Në mënyrë të sintetizuar Pangallos do të shprehej “Ne i gllabëruam [paratë publike] të gjithë sëbashku në marrëdhënien e klientelizmit politik, korrupsionit, pagesave dhe degradimit të kuptimit të vetë politikës”.
Shthurja fiskale
Qartësisht në këtë gosti paligjshmërie u mbrujtën tri fenomene: shthurja fiskale; korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit. Shthurja fiskale u shfaq si në grumbullimin e pamjaftueshëm të të ardhurave tatimore, ashtu edhe të shpenzimit të pakontrolluar të tyre. Autori shpjegon hollësisht se si shmangia tatimore në Greqi përbënte një traditë të përhapur dhe prej një kohe të gjatë qeveria nuk kish ndëmarrë ndonjë hap për ta trajtuar këtë problem. Të detyruar nga presionet e Troikës, masat e ndërmarra deri në burgosjen e qytetarëve, krijuan ndjesinë e përgjithshme se masat e ashpra nuk po zbatoheshin për të pasurit, të fuqishmit, që kishin lidhje politike dhe që përbënin shmangësit më të mëdhenj tatimorë. Përkundrazi, barra për të paguar për krizën po u ngarkohej qytetarëve.
Tepër domethënës janë shembujt që jep autori për shmangien nga pagimi i tatimeve, fenomen që konsiderohej si aksiomë: mosdeklarimi i pishinave private për t’i shpëtuar taksës; deklarimi i të ardhurave vjetore poshtë kufirit të tatueshëm nga ana e mjekëve dhe avokatëve, pavarësisht se ata banonin në lagje të pasurish e me banesa luksoze; blerja e banesës prej bashkëshortes së ish-ministrit të mbrojtjes në një lagje të pasur duke përdorur një kompani off-shore me bazë në Qipro (jo rastësisht pronë e kushëririt të bashkëshortit) për të shmangur pagimin e tatimit; mosdhënia e faturës; e deri në dhënien e huave nga bankat për të vetëpunësuarit me të ardhura të larta (mjekët, avokatët, kontabilistët etj.) pa u bazuar në deklaratat e tyre tatimore e me këste që tejkalonin të ardhurat mujore. Përpara zgjedhjeve politikanët i nxisnin inspektorët tatimorë të mos punonin me rigorozitet për të mos turbulluar pikëpamjet e votuesve. Ishte i mirënjohur fenomeni i bashkëpunimit të fshehtë ndërmjet inspektorëve tatimorë dhe shmangësve tatimorë, duke punuar sipas sistemit të ashtuquajtur 40-40-20, që nënkuptonte se nga detyrimi kundrejt shtetit paratë ndaheshin 40% për tatimpaguesin, 40% për xhepin e inspektorit tatimor dhe 20% për arkën e shtetit, sepse mungonin inspektorët skrupulozë.
Shthurja nuk ndali këtu. Paratë u shpenzuan me tepri, madje duke keqpërdorur edhe përfitimet sociale. Rasti ilustrues që jep autori është ai i shpërdorimit të ndihmës për njerëzit me probleme shikimi në ishullin Zakynthos (Xakinthios), që për këtë shkak u emërtua “ishulli i të verbërve”, ku në një cikël vërtetimesh të pavërteta u përfshinë nga mjeku optamolog (me dignozat e paqena) e deri te prefekti. Apo rasti i fantazmave pensioniste, të krijuar nga rritja artificiale e numrit të mbi 100-vjeçarëve për të marrë përfitimin e radhës. Fenomeni gjerësisht i përhapur përkeqësohej veçanërisht në prag të periudhave zgjedhore, ndërkohë që rrjeti i sigurisë shoqërore nuk përmbushte qëllimin e vet të shërbimit ndaj nevojtarëve. Jo pa ironi autori thekson shprehjen e një qytetari se nëse i dënon me burg për këto mashtrime, duhet të futet në burg gjysma e Greqisë.
Kjo “gosti e paligjshme” mbështetej mbi praktikat e korrupsionit dhe të ryshfetit. Ishin këto ngjarje, rrëfen autori, që njerëzit në SHBA e Europë mësuan termat grekë “dorëzim zarfi” (termi popullor për mitëdhënien me qëllim që të “vajisej” makineria shtetërore dhe për ta vënë të punojë më shpejt) dhe “ryshfet” për një favor reciprok. Të dy këto ishin fakte të përditshme të jetës greke, në shtet dhe në privat. Jo pa qëllim autori thekson faktin që në raport me PBB-në Greqia shpenzon më shumë para në farmaceutikë sesa vende të tjera të industrializuara, si rrjedhojë e teprimit në mjekime të shtrenjta që këshillojnë mjekët, të paguar në mënyrë rutinë nga furnitorët e mjekimeve. Për punonjësit e shërbimit civil u zbulua se kishin kryer transferime të mëdha bankare, që nuk shpjegoheshin me pagat që ata merrnin. Rreth 5 mijë punonjës të shërbimit civil bashkërisht kishin transferuar 1.5 miliardë euro në banka të huaja në katër vite, ku rreth gjysma e tyre ishin mësues, që bënin mësime private; e pjesa tjetër kryesisht mjekë dhe punonjës të ministrisë së mbrojtjes. Të gjithë e kujtojmë të famshmen “lista Lagarde” dorëzuar autoriteteve greke, në të cilën gjendej edhe emri i bashkëshortes së minisrit të financave, Papantoniou, të dy të dënuar më vonë për mosdeklarim pasurie.
Aq ekstrem ishte shpërdorimi i parasë publike sa dy nëpunësit e thesarit të bashkisë së një province në zonën verilindore të Greqisë, të dënuar për vrasjen e kryetarit të bashkisë (vrasje e kryer për të mbuluar korrupsionin e përbashkët) mbetën në listëpagesë dhe vijuan të merrnin gjysmën e pagës deri 4 vjet pas ngjarjes. Ngjarje të tilla nuk janë aq ekstreme apo të pazakonta dhe në Shqipëri. Mjafton të ngacmosh pak kujtesën dhe të shfaqen sjellje të ngjashme kundrejt zyrtarëve të institucioneve publike, të gjendur fajtorë sipas ligjit.
Autori vëren se shumë grekë të pasur po i shmangeshin si tatimeve ashtu edhe drejtësisë, ndërsa njerëzit po vuanin. Kultura e pandëshkueshmërisë mbështeste korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit, e përforcuar nga fakti që kushtetuta greke mbron ministrat dhe ish-ministrat nga hetimi ose ndjekja penale për çështje që lidheshin me ushtrimin e detyrave të tyre, derisa të lejohet nga parlamenti. Pavarësisht ryshfetit, korrupsionit, shpërdorimit, të gjithë janë të pafajshëm. Jo më kot qarkullon shprehja “faji mbetet jetim” apo “faji u bë qyrk e nuk e veshi njeri”. Edhe më tepër theksohet pandëshkueshmëria kur fajtor është një kolektiv i tërë. Jo pa ironi autori rrëfen se tek synohej të ndëshkohej fajtori për abuzimin në ishullin e të verbërve, prefekti ngarkonte me faj ish prefektin që i takonte partisë tjetër dhe mjekun optamolog, si lojëtarët kryesorë të skemës, si dhe ministrinë e shëndetësisë që nuk kish reaguar, sepse luante lojëra politike. Në ministri akuzonin politikanët vendorë, që firmosnin të tilla përfitime në këmbim të votave apo favoreve politike, dhe mjekët, në këmbim të pagesave. Vetë mjeku akuzonte prefektin, pa firmën e të cilit nuk mund të urdhërohej asnjë pagesë, dhe prefekti shfajësohej me faktin që firma e tij nuk ish aq e rëndësishme në një praktikë ku firmosin me dhjetëra specialistë. Në rastet e korrupsionit të niveleve më të larta, si ish ministri i mbrojtjes apo i financave, mbrojtja përdorte si argument se sulmi bëhej për qëllime të asgjësimit politik. Të gjithë deklarohen të pafajshëm. Madje edhe ish-kryetari i bashkisë së ishullit të të verbërve, i cili për të zhdukur regjistrat financiarë që ruanin gjurmët e abuzimit me huatë e bashkisë, i kërkoi një emrigranti shqiptar të digjte ndërtesën e bashkisë, deklarohej i pafajshëm. Në këtë ambient autori vëren se ka një problem thelbësor kur gjyqësori mungon dhe ligjet rrallë zbatohen. Përdorimi i ryshfetit, dorëzimi i zarfit dhe praktika të tjera teknikisht të paligjshme ishin kaq të përhapura sa që sistemi kishte arritur në ekuilibrin e tij. Për rrjedhojë, për fajtorin ndëshkimi konsiderohej si padrejtësi dhe viktimizim i pandershëm.
Pra, cili është fajtori sipas grekëve? “Fajtori” përgjithësisht konsiderohen të huajt, nga turistët me problemet etike që ata shkaktojnë, te politikat neoliberale që shndërrojnë popullin në viktimë të pafajshme, te kapitalistët e mëdhenj e deri të Troika, e konsideruar si fajtorja më kryesore.
Nga ana e saj, “pala fajtore”, kreditorët e Greqisë, vërente probleme të mëdha pothuaj kudo: nga tradita e patronazhit politik të shpërndarjes së përfitimeve shoqërore për grupe të përzgjedhura në këmbim të votave, duke lënë shpesh pjesën më të dobët të mbrohej vetë; te shmangia tatimore si fenomen i përhapur dhe i qëndrueshëm; te bashkëpunimi i autoriteteve tatimore greke me shmangësit tatimorë; te administrata publike e paefektshme; burokracia e fshehtë dhe e pakuptueshme, si dhe zbatimi i dobët i ligjit, gjë që bëri që politikanët grekë të përfshiheshin në korrupsion të pacipë, duke pasur shumë pak frikë se mund të kapeshin; te sistemi deficitar dhe bizantin i pensioneve; deri te anashkalimi i standardeve për ndërtim; gjykatat e pavlera dhe të ngadalta dhe dobësia e shkollave publike.
Administrata publike
Por le të ndalemi në administratën publike, që cilësohet si një shpërdorim. Autori rrëfen se 1 në 5 grekë punonte në sektor publik, të punësuar për të gjithë jetën, shpesh jo për shkak të aftësive të tyre por për shkak se një emtë apo një kushëri njihte kryetarin e bashkisë ose një anëtar të parlamentit apo si rrjedhojë e “devotshmërisë”. Me humor të hollë autori shpjegon se përse Tsochatzopoulos mbetej gjithmonë në qeveri si ministër i një diçkaje. Asyeja ishte devotshmëria ndaj udheheqësit të partisë, e përmbledhur në një barcaletë: “Sa është ora Akis?” – e pyeste Papandreu, “Ora është sa dëshironi ju të jetë,” – i përgjigjej i devotshmi i tij.
Pra, problemi qëndronte më së shumti në përbërjen e administratës me punonjës të paaftë; dhe te fryma pandëshkueshmërisë. Si qytetar i rritur dhe edukuar me disiplinën perëndimore ndaj punës sigurisht që autori nuk mund të mos vërejë me kritikë fenomene, të tilla si rasti i një intitucioni publik ku kompjuteri mbahej ndezur vetëm nga një punonjëse e re në moshë, e cila ishte e vetmja që dinte ta përdorte; i ciklit të mbyllur të emërimeve në televizionin publik ku parlamentarët emëronin këshillin e drejtorëve dhe këta të fundit më pas punësonin miqtë dhe familjarët e politikanëve, të cilët ndikonin që programi i lajmeve të ishte në favor të qeverisë; pagesat e pajustifikuara për orë të tepërta pune dhe prania e një numri më të madh punonjësish sesa ishte nevoja; e deri në mosrespektimin e orarit të punës, duke sjellë shembullin tipik të ministrisë së kulturës, ku sistemi për monitorimin e orëve të punës, i instaluar në 1998 u bë operacional në 2012, dhe madje jo me të gjitha funksionet, për të zbuluar se rreth 70% e punonjësve nuk respektonin orët e plota të punës. Ndërkohë që punonjësit publikë, të cilët donin të bënin një punë të mirë e të ndershme dekurajoheshin si rrjedhojë e sistemit që dukej sikur ishte i projektuar për të përkrahur të kundërtën.
Eksodi
Një nga rezultatet e një katastrofe të tillë ishte eksodi për dhjetëra mijëra njerëz të dëshpëruar, shumë prej tyre të rinj, që i largoheshin vendit të tyre pasi nuk kishin më shpresë se gjërat do të ndryshonin dhe se politikanët do të krijonin një sistem më të drejtë.
Të gjitha këto probleme ishin të pranishme prej dekadash në Greqi, e megjithatë këtë herë diçka ishte ndryshe. Thelbin e asaj që po ndodh autori e shpjegon duke cituar Timothy Geithner, ish sekretarin e shtetit amerikan, i cili nga një darkë me homologët e vet europianë ishte shprehur se ndjesitë e tyre për Greqinë përmblidheshin në thënien: “Do t’i japim Greqisë një mësim të mirë… Ata na gënjyen.”
Autori ka qartësinë të trajtojë në raport të drejtë edhe rolin e palëve të jashtme në këtë katastrofë, atë të kreditorëve, duke vënë në dukje një fakt tashmë të pranuar: receta e shërimit nuk ishte plotësisht e saktë. Në veçanti autori thekson një gabim të cilin është e domosdoshme që në situatën aktuale ta kenë parasysh autoritetet shqiptare: Shkurtimi i shpenzimeve qeveritare dhe i të ardhurave të njerëzve në mes të një recesioni, ndërkohë që rriteshin tatimet, shumë ekonomistë e thonë, ka shumë të ngjarë ta përkeqësojë recesionin.
Së fundi, autori nuk mund të lërë pa trajtuar faktin që e gjithë “tragjedia ekonomike e shoqërore greke” nuk do të shfaqej kaq e plotë nëse nuk do të zhvillohej mbi një terren politike agresive e konfliktuale deri në ekstrem. Në këtë pikë autori ndalet jo pak dhe trajton të gjitha fenomenet që e kanë ngërthyer shoqërinë greke ndërmjet një politike njëherësh sherrxhije dhe statusquo-je, sot dhe në të shkuarën. Greqia është një vend ku grupet terroriste të majta kanë vepruar për shumë kohë; ku kontradikta e luftës civile ndërmjet forcave të majta dhe atyre të djathta antikomuniste e ish-klikës ushtarake është ende e pranishme. Partia Komuniste e Greqisë mbeti besnike e BS dhe Syriza “po merrte anën e shokëve të vjetër”. Ndërkohë, duke shfrytëzuar problemet me emigrantët, në të djathtë u ngrit ekstremi “Agimi i Artë”. Qartësisht autori ndërthur se si politika rëndon në gjendjen ekonomike të një vendi, duke e sjellë në prag katastrofe, për ta shfrytëzuar atë që të marrë hov deri në ekstrem. Ai shprehet se me historitë e këtij libri na rrëfen “Rrënojat e një rendi politik të vendosur për një kohë të gjatë dhe me plot të meta… shumë grekë po e pranojnë se katastrofa që po u ndodh po sjell dhe një të mirë kryesore: ajo ka nxjerrë zbuluar dështimet e kahershme të banorëve të atij vendi dhe i ka bërë plotësisht të nevojshme ndryshimet e thella politike”. Ka vetëm një perifrazim që mund të bëhet për këtë shprehje: Të falënderojmë autorin që na tregon rrugën në të cilën duhet ecur për t’i shpëtuar katastrofës së plotë. Ajo çka duhet bërë është të “ç’greqizojmë” Shqipërinë, duke patur kurajon të flasim për problemet, të përballemi me to dhe pas këtij procesi të sinqertë të të kuptuarit të vetes të gjejmë forcën dhe vullnetin për të frenuar dhe reduktuar fenomenet që pashmangshmërisht të çojnë drejt katastrofës. / Monitor.al
James Angelos (Xhejms Anxhelos) është gazetar me profesion i lirë. Ai ka punuar si korrespondent i TheËall Street Journal. Angelos është me origjinë greko-amerikan, djalë i dy prindërve emigrantë, i rritur në Long Island, SHBA. Aktualisht jeton në Berlin dhe raporton nga Europa për The Wall Street Journal, The New York Times, TheAtlantic.com, ForeignAffairs.com, World Policy Journal.