Nga kush duhet mbrojtur Lulzim Basha?
Nga Mero Baze
Lajmi për takimin e Berishës me Bashën në zyrën private të Berishës si dhe detajet që jepte një gazetë e Bashës, sesi ky i fundit kishte pritur të dilte dhe dikush që ishte brenda, janë e gjitha çfarë Berisha ka pritur nga këto zgjedhje. Ai donte një PD të humbur, një kryetar formal, tërësisht të përulur ndaj tij dhe një nevojë për tu bërë ai njeriu që do të vendos t’i pritet koka apo jo.
Humbja e thellë e opozitës dhe mungesa e çfarëdolloj shkëndije politike që mund të japë shpresë për të dhe aty ku ka fituar aksidentalisht, e bëjnë sot Berishën fatkeqësinë më të rëndësishme të Partisë Demokratike.
Në një parti normale me këtë rezultat kryetari jo vetëm që duhet të ikte, por partia duhet të përfshihej në një debat serioz për rithemelimin e saj dhe për të gjetur rrugë afatgjata të ringrihej.
Tek Partia Demokratike po ndodh e kundërta.
Lulzim Basha po përpiqet të sigurojë vetëm një gjë, faktin që Berisha të frenojë zërat kritikë dhe të vazhdojë të mos e dorëzojë atë. Ai duket se ka vetëm një preokupim, që ka të bëjë me bllokimin e çdo lloj debati ndaj rezultatit.
Për këtë po bën dhe përpjekjet më qesharake që ndonjë lider ka bërë në historinë e këtij vendi, për tu dukur i qetë pas humbjes.
Disa opinionistë të tij, duan ta paraqesin mungesën e debatit si siguri që Basha ka, se aksush nuk ia merr postin në PD, përveç njërit, atij që e lë të presë pas takimit me një refugjat nga Kanadaja. Të tjerë opinionistë të tij, duan ta paraqesin të interesuar të bashkëpunojë me gjithë zërat kritikë. Disa delfinë të tij, shikojnë si problem vetëm Topallin dhe Patozin, të vetmit politikan të gardës së vjetër, që kanë fituar në zonat e tyre, në Vorë dhe Shkodër. Pra, absudri ka kaluar në art, ku fituesit sulmohen për tu mbyllur gojën, ndërsa humbësit tentohen të paraqiten të qetë dhe të parrezikuar nga askush.
Kjo kulturë klienteliste brenda PD-së, që mbështetet tek ideja se Basha ka sigurinë e Berishës që nuk e lëviz njeri nga karrigia, nuk ka asnjë lidhje me kulturën opozitare. Një opozitë nuk duhet të jetë në dispozicion të karriges së kryetarit të saj formal, por kryetari duhet të jetë në dispozicion të fuqizimit të opozitës. Përpjekja për ta mbyllur çdo debat në PD, përmes Berishës dhe akoma më tepër, banaliteti i paraqitjes së qetësisë së Bashës pas humbjes si siguri që ai ka se dikur do të fitojë, janë e vetmja gjë që i intereson qeverisë, por jo opozitës.
Politikisht Lulzim Basha jo vetëm që nuk arriti të fitojë betejën e tij të parë politike, duke e humbur atë thellë, por nuk ka arritur për dy vjet të prodhojë qoftë dhe një tezë politike që të ketë patur sukses. Opozita e sotme është katandisur në klub thashethemesh me pagesë, ku thashethemexhiu i radhës e merr atë me qera për të nxjerrë ndonjë budallallëk në publik. Në daljet e saj publike ka vetëm denoncime, bazuar mbi thashetheme dhe tek-tuk ndonjë fakt, por që asgjë nuk ka thelb politik. E gjitha çfarë prodhon opozita është një frymë propagande denoncuese e lodhshme, e pabesueshme dhe gjithnjë e më pak politike. Madje të tilla gjen më shumë në shtyp dhe rrjetet sociale, sesa në selinë e PD-së.
Fakti që Basha mendon se po e garantoi Berisha dhe rrethi i tij se nuk do të rebelohen, ai mund ta shtyj qetë e qetë dhe dy vjet, është gjëja më e rëndë që po i ndodh opozitës. Kështu siç është, ajo është aseti politik më i mirë i kësaj qeverie dhe përpjekja për të shmangur debatin brenda saj, duke e quajtur këtë humbje të thellë fitore të Bashës, është fyerja më e madhe që i është bërë ndonjëherë një elektorati të tradhtuar në këtë vend.
Nëse Bashës i duhet Berisha si badigard nga zërat kritikë, me kusht që ai të rrijë si qen i rrahur para tij, ia ka arritur kësaj dite. Por Berisha mund ta mbrojë Bashën vetëm nga opozitarët e zemëruar, apo të emëruar. Puna është kush do ta mbrojë Bashën dhe opozitën e tij nga kundërshtari real i tij, Edi Rama? Këtë dilemë duhet të zgjidhë opozita, para se ta bëjë rozë dhe një herë hartën e Shqipërisë më 2017-ën.
TEMA