Nga në luftë me Pushtetin kaluan në luftë me veten dhe me armikun e padukshëm!
Nga Alban Daci –
Po lexoj pafund statuse të disa strukturave të PD, drejtuesve politikë apo edhe të atyre që tashmë janë deputet në zgjedhjet e reja që e fillojnë reagimin e tyre me mbështetje të palëkundur pro kryetarit Basha dhe e mbyllin me besnikërinë e tyre të përjetshme kundrejt tij.
Së pari, edhe pse zgjedhjet mbaruan nuk di që të jetë hapur ndonjë proces për kryetarin e PD dhe për pasojë duhen reagime për rizgjidhjen e Bashës.
Së dyti, mendoj se ata që përfaqësojnë forume të caktuara të PD dhe për më tepër ata që janë zgjedhur deputet dhe ishin të deleguarit politik nuk duhet të reagojnë, sepse janë në konflikt interesi. Janë në konflikt interesi, sepse kanë një mandat që duhet të përfaqësojnë çdo mandat dhe po ashtu sepse ato ishin të besuar të kryetarit për të sjellur fitoren.
Së treti, mendoj se këta drejtues djegësh apo të deleguarish politik, përpara se të heqin përgjegjësinë e tyre duke dhënë besnikeri servile ndaj Bashës duhet të japin llogari për humbjet e tyre, për rezultatin e marr si dhe për mënyrën se si kanë drejtuar disa edhe prej 30 vitesh në monopol absolutë deri në përvetësim disa nga degët e PD në periferi.
Së katërti, besnikeria servile dhe pa kushte është karakteristikë e partive të mbyllura që nuk janë modele demokratike dhe nuk i shërbejnë demokracisë. Partia Demokratike në përgjithësi dhe vetë Basha në veçanti nuk besoj se kanë nevojë për individë të tillë e epr me tepër në një moment delikat si ky.
Së pesti, nuk po cenohet dhe nuk po vendoset në mënyrë serioze lidershipi i Bashës e për pasojë nuk mendoj se kemi nevojë për këto koncerte servilizmi në portale, Facebook dhe në media vizive. Duken një ushtri e madhe servilesh që janë organizuar në mënyrë perfektë, sepse hall më të madh kanë veten dhe jo Bashën. Shumë prej tyre e dinë se janë në prag të mbylljes të ciklit të politikës aktive dhe duke u kapur në pasqyrë bëjnë servilizmin kundrejt Bashës me shpresën e një amnistie të madhe dhe për të vazhduar parazitimin apo përvetësimin e PD për ta vendosur në shërbim të vetes.
Nga në luftë me pushtetin duket sikur po kthehemi në një luftë ndaj vetes apo edhe me keq akoma ndaj një armiku të padukshëm. Pse të padukshëm? Shprehen në mbështetje të Bashës kur nuk ka një garë të re për kreun e PD e kur realisht nuk kemi një ose disa kandidat dinjitoz që qëndrojnë përballë Bashës për kreun e PD.
Kam besimin e plotë që formimi i Bashës dhe formimi i tij nuk kanë lidhje me këta kategori servilesh që pa dyshim janë faktorët kryesorë të humbjes së zgjedhjeve. Madje, shumë prej tyre kanë më shumë se dhjetë vjet që shënojnë vetëm humbje në garat e tyre politike dhe zgjedhore.
Nuk kanë pse harxhojnë kohë më armikun e padukshëm dhe në mbështetje të Bashës, kur ky i fundit nuk ua ka kërkuar një gjë të tillë. Ata ketë kohë të artë mund ta shfrytëzojnë si një moment reflektimi si dhe për të bërë një analizë të thellë përse ka humbur PD në zonat që ato drejtojnë ose kanë kandiduar.