Nga politika e të fortëve, tek politika e miseve
Nga Zef Shtjefni
Do të ishte sikur të binim nga shiu në breshër, nëse do të ishte e kundërta. Por nëse po kalojmë nga politika e të fortave, në politikën e miseve, më duket sikur po kalojmë nga breshëri në shi. Dihet publikisht tashmë se vitet e fundit politika jonë u është drejtuar të fortëve për t’u marrë votën shqiptarëve. Në zgjedhjet e fundit ra edhe PS-ja ne grackën e të fortëve, që mbahej si Parti intelektualësh, nga frika se Saliu nuk do të ikte nga pushteti pa i kundërvënë forcën. Mirëpo, nëse nuk do të ishte ajo vota dërrmuese e shqiptarëve, Berisha ushtrinë e të fortëve e kishte shumë më të fuqishme se e majta dhe sot do të ishte kthyer në një Erdogan, për të mos thënë në një Putin për Shqipërinë. Por populli në zgjedhjet e fundit ua menderosi të fortët të dyja palëve, edhe pse ato prapë dërguan shumë syresh në Parlament. Demokratët u katandisën si mos më keq nga ndëshkimi popullor për keqqeverisjen. Por dhe socialistët që fituan, humbën keqas kudo që u përfaqësuan me të fortët. Doli e fituar vetëm LSI-ja, e cila vijoji rrugën e saj konstante të rritjes, duke përfituar dhe këto gabime trashanike të PS-së dhe PD-së.
Bërjes politikë me njerëzit e fortë shpejt i doli boja. Sot vetëdiskretitimi është në rënd të ditës në Parlament, në media dhe në opinionin e gjerë publik. Dy partitë e mëdha janë zënë ngushtë dhe pse shpesh përpiqen ta hanë turpin me bukë. Por nuk dinë se si ta mbulojnë diellin me shoshë. Për këtë arsye po kërkojnë një rrugë dalje të re, për të ndërruar imazhin e prishur para zgjedhjeve. Kështu, duket se kanë zgjedhur nga njëra anë pastrimin, por kur nuk munden po bëjnë zëvendësimin e të fortëve me miset e bukura, të cilat propagandojnë se i shëmbëllejnë fytyrës së partisë. Është një tendencë shumë më e spikatur kjo në PD, në të cilën u bë trend për muaj e vite sfilata e miseve për zëdhënëse partie. Më të bukurat, që morën bekimin e shefave të Partisë, janë zgjedhur për të vazhduar më tej. Gara e miseve duket se ka mbërritur deri në forumet e larta të Partisë. Koncepti i Berishës së popullit i duhen zënë sytë me fasada, duket se po mbisundon në çdo nivel të PD-së. Kështu, i pari që u zgjodh se ishte i tillë, qe Basha, i cili edhe pse ka ndërruar disa karrige e poste të larta, askush nuk e ka idenë se çfarë merite ka dhe çfarë pune di të bëjë. Pas tij u zgjodhën me radhë Ristani, Bogdani, Duma,Vorpsi etj. Edhe bukuroshët veteranë, si Topalli e Paloka, u rimbajtën afër. Të tjerët që nuk e kanë këtë fat nga perëndia, duket se janë lënë në hije. Çiljeta çuditërisht nuk arriti më lart se në Këshill. Thashethemet thonë se e ndaloi Jozi, pasi Saliu që nis të kopjonte Berluskonin..! Nga ana e saj edhe PS-ja në fillim sikur nisi të bëjë të njëjtën gjë me zëdhënëset. Por ndërroi mendje rrugës. Mbase e kuptoi se ishte politike e gabuar, ose mbase po pret testin elektoral vendor që të reflektojë. Le të presim e të shohim, nëse ajo do të ndjekë rrugën e miseve të PD-së, siç bëri me të fortët.
Politika e të fortëve dhe politika me mise tregojnë qartazi mjerimin dhe shterpësinë e politikës sonë nga personalitetet, nga intelektualët, nga njerëzit e mëdhenj të dijes, të punës e biznesit që mbajnë mbi supe edhe këto pak arritje që kemi, që udhëheqin ekonominë, zhvillimin, arsimin dhe progresin e vendit. Privimi i shtresës së lartë të një kombi nga politika ia errëson perspektivën e një vendi. Të hipësh shkallët e politikës thjeshtë pse je i ose e bukur, kjo tregon se politika vërtetë është katandisur keq. Të jesh i ose e bukur është dhunti e zotit. Por të jesh i zoti, kjo ka të bëjë me aftësitë, me arsimimin, me punën, me përvojën dhe sukseset jetësorë të njerëzve. Duhet të ishte vetëm kjo arsyeja e ngjitjes së njerëzve në shkallët e udhëheqjes dhe drejtimit të vendit. Por, fatkeqësisht notat degjeneruese të shumë vlerave kanë bërë që shpesh nga hiçi të ngjiten atje lart njerëz që kanë vetëm një fytyrë të bukur, kanë trup e flokë të hijshëm, por që në kokë janë bosh. Nga asgjëja kanë kurajë t’i bëjnë ministra, kryebashkiakë apo deputetë. Është i njohur haremi politik i Berluskonit në politikën italiane, çka neveriti gjithë kancelaritë perëndimore dhe ia uli atij kredibilitetin aq shumë, sa i hapi dhe dyert e burgut. Duhet të mjaftojë kjo që njerëzit tanë të politikëbërjes t’i venë gishtin kokës dhe të thërrasin në politikë vlerat e kombit dhe të mos e kthejnë politikën tonë në një fasadë false me mistër e mise.