Ngjarja në Rinas si pasojë e keqqeverisjes pa konsekuencë
Nga Enver Robelli- Javën që shkoi 90 agjentë turistikë u mblodhën në Aeroportin e Zürichut me ftesë të Lufthansa Group, pjesë e të cilit është edhe kompania e famshme zvicerane Swiss. Agjentët vinin nga zyrat turistike të Zvicrës gjermane, nga Gjeneva dhe nga Lugano. Ata ishin ftuar për një udhëtim të shkurtër, por pa e ditur se ku do shkonin. Kompania po përgatiste një befasi. Qëllimi i udhëtimit ishte një «Workshop», një punëtori për të diskutuar planet e projektet turistike.
Tek pasi avioni u ngjit në qiell, kapitenia tregoi cakun: Tiranë. Përveç agjentëve turistikë në avion kishte edhe personel të kompanive ajrore të Lufthansa Group: Swiss, Edelweiss, Lufthansa, Austrian Airlines dhe Brussel Airlines. Portali zviceran travelnews.ch, një burim i rëndësishëm i lajmeve nga fusha e turizmit, njoftoi se në kryeqytetin shqiptar u organizuan takime, debate dhe shëtitje të ndryshme në rrethinë për të parë koloritin e pasur të Shqipërisë. Portali shkruan se Shqipëria i bind vizitorët me kombinimin madhështor mes natyrës, plazheve përrallore dhe kulturës së mikpritjes. «Ky vend i Europës Juglindore konsiderohet i sigurt dhe banorët janë të hapur dhe të përzemërt ndaj turistëve», shkruante travelnews.ch. Tregu zviceran është një potencial i madh për turizmin në Shqipëri. Vitin e kaluar mbi 42 mijë zviceranë kanë vizituar Shqipërinë. Në vitin 2005 kanë qenë vetëm 6150 turistë nga Zvicra. Tani dy kompani ajrore (Edelweiss dhe Germania) kanë filluar fluturimet nga Zürichu në Tiranë.
Portali zviceran travelnews.ch i bëri një reklamë falas Shqipërisë. Një revistë zvicerane është duke përgatitur një tekst himnizues për bukuritë e Shqipërisë. Gazetat shpesh shkruajnë me tone tejet pozitive për Shqipërinë. E çka bën Shqipëria? Përgatit një spot ku luan me klishenë e «vendit mafioz» siç përshkruhet në filmat «Taken» me aktorin Liam Neeson. Por pas ngjarjes fatale dhe skandaloze në Rinas klisheja na ktheu në realitet. Shqipëria ka një problem serioz me bandat, me krimin e organizuar, me keqqeverisjen, me korrupsionin. Kryeministri Edi Rama nuk mund t’i mbulojë këto të zeza me gëzof shumëngjyrësh, sepse qeverisja nuk është performansë artistike, as ekspozitë në Berlin. Qeverisja nuk ka qenë kurrë performansë dhe nuk do të jetë e tillë. Qeverisja është menaxhim i një shteti. Për të menaxhuar një shtet duhet të kesh aftësi për të udhëhequr një ekip profesionistësh të pakompromis dhe jo një grup servilësh, të cilët në çdo mbledhje qeverie vendosin duart mbi tavolinë për t’i treguar shefit nëse i kanë prerë thonjtë dhe nëse kanë gjeneruar mjaft klikime në mediat sociale. Ky është degjenerim i idesë së qeverisjes. A e kupton dot Edi Rama këtë? Nuk e ka kuptuar deri më tani.
Shpesh ai di të thotë: «Na lodhën me këtë: krimi i organizuar, mafia, korrupsioni». E saktë. Na lodhën. Por na lodhën qeveritarët e Tiranës – jo vetëm Rama, por edhe paraardhësit e tij, sepse do të ishte e padrejtë që për stagnimin e Shqipërisë të akuzohej vetëm socialisti i salloneve, Edi Rama. Para se të vinte ky në pushtet ekzistonte ajo Shqipëria e Gërdecit dhe e Damir Fazlliqit, Shqipëria e keqpërdorimeve masive në «Rrugën e Kombit» (e papërfunduar deri më sot), Shqipëria e tenderëve të hidrocentraleve (që Edi Rama e vazhdoi me pothuaj të njëjtin ritëm dhe në aleancë me oligarkët e vendit, që dje i raportonin Sali Berishës, ndërsa sot Edi Ramës).
Tani kryeministri humb nervat për shkak se një gazetar i respektuar si Elez Biberaj e akuzon për korrupsion. Ndoshta ndihet më mirë kryeministri i Shqipërisë nëse e quajmë keqqeverisës. Ku shihet keqqeverisja? Të shikojmë se çka ndodhi dje në Aeroportin e Tiranës: futen grabitës në avionin e Austrian Airlines, vjedhin disa milionë euro dhe ikin (njëri nga grabitësit u vra, kur policia kuptoi se ç’kishte ndodhur, kur kuptoi se kishin dështuar të gjitha barrierat e sigurisë).
Korrupsioni është një murtajë, keqqeverisja është kanceri që po e gërryen Shqipërinë. Dhe kjo gjendje nuk ndryshon për aq sa kryeministri nuk di të qeveris, por vetëm të mbushë letra me shkronja, një boshësi postmoderne shqiptare e larë me gjak dhe katran të krimit të organizuar, kontrabandistëve të drogës dhe herë-herë edhe të ndonjë ministri të brendshëm që sillet si shërbëtor i kusarëve. Kush e mbron Shqipërinë kur grabitësit futen në pistë dhe pastaj edhe në avionin e një kompanie ajrore të rëndësishme europiane? Një ditë pas kësaj ngjarjeve të rëndë Shqipëria sërish është kryetemë e kronikave të zeza.
Deri më tani kemi një reagim nga zëvendëskryeministri Erion Braçe, dikur mjaft gjuhëmprehtë në denoncimin e deformimeve të mëdha në sistemin e shtetit shqiptar. Tani Braçe lavdërohet se qenkan identifikuar të gjithë anëtarët e bandës. Në Shqipëri edhe kjo është befasi dhe sukses, sepse në të shumtën e rasteve anëtarët e bandave nuk zbulohen fare. Një shtet serioz do të suspendonte të gjithë përgjegjësit e sigurisë në Aeroportin e Tiranës. Do të përpilonte një koncept të ri të sigurisë për Aeroportin. Do të konsultohej me kompani të rëndësishme ndërkombëtare për të arritur nivelin më të lartë të sigurisë. Deri më tani dëgjohen vetëm mburrje se janë identifikuar banditët. Kësaj i thonë: keqqeverisje pa konsekuencë. Dhe këtu qëndron krejt problemi i Shqipërisë i përmbledhur në dy fjalë. A mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE një shtet të cilit një grup hajdutësh i futen në pistën e aeroportit dhe në avion për të plaçkitur?
Në fund një fusnotë: para 20 vitesh një avion i kompanisë zvicerane Crossair me destinacion Tiranën ishte kthyer në Zürich pasi pak pas nisjes dy grupe pasagjerësh ishin rrahur aq brutalisht mes vete, saqë s’kishte arritur kush t’i ndalte. Në Rinas dje historia u përsërit në një version tjetër, edhe më brutal.
http://dialogplus.ch