Ngjela: Edi Rama, një palaço panairesh që flet si Vuçiç për Kosovën
Shqipëria sot drejtohet nga një kryeministër mendjeshkurtër që urren shqiptarët, dhe flet si hallemadhi Vuçiç. Gjithsesi, e ka gjetur vendin ky palaço panairesh, do ta shihni…
Nga Spartak Ngjela –
Vuçiç në Francë deklaroi: ose Serbia merr territorin nga Kosova, ose luftë për të marrë Kosovën nën Serbinë. Domethënë do të ripushtojë Kosovën si në vitin 1913. (!)
l.
A thua që të ketë marrë ky një angazhim mbrojtës nga politika franceze dhe politika ruse, që në fakt janë Dy krijuesit historikë nga hiçi të shtetit serb?
Jo. Fakti që kërcënon, nuk është në politikë por në frikë dhe në iluzionizëm.
Vuçiçi është i rënë në iluzionizëm. E ka gënjyer më shumë politika ruse. Por asgjë nuk do të bëjë dot. Se pyetja është kjo? Kujt po i kërcënohet me luftë? Dhe pas kësaj vjen pyetja tjetër: pse nuk e di ky që luftën e bën paraja? E pra, ku i ka paratë? Serbia është një shtet i sfilitur që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian dhe të garantojë mbijetesën e saj.
Më kë do të bëjë luftë ky Aleksandër Vuçiç: me Amerikën? Është i trembur prandaj bërtet.
Ende nuk e di ky derëzi që padroni i tij Milosheviç, në luftë kundër Amerikës, rezistoi vetëm 50 ditë?
Po pse, e harroi ky që Kosova është e shkëputur nga Serbia me forcë nga fuqitë e mëdha perëndimore? Po pse, Kosovën shqiptare në vitin 1913, vetë e mori Serbia, apo ia dhanë me forcë fuqitë e mëdha? Ia dhanë me forcë fuqitë e mëdha europiane.
Kurse Tani, po ato ia morën për të vendosur në vend padrejtësinë shekullore antishqiptare.
Atëherë, cila është kjo luftë që do të bëjë Vuçiç? Është pa dyshim, lufta me mullinjtë e erës, se luftën me Naton dhe Amerikën e ka humbur në 50 ditë: është e ditur tashmë se Milosheviçi i tij u dorëzua vetëm me bombardime.
Sot e gjithë politika amerikane e di si të provuar që shteti serb është formuar me një krim antishqiptar. Kurse amerikanët me presidentin e tyre Bill Klinton e ndërprenë procesin kriminal antishqiptar serb pas 150 vjetësh.
Po kryeministri shqiptar i di këto që vete e flet edhe ky si Vuçiçi? Po ku pyetet për kryeministrin shqiptar sot! Shqipëria sot drejtohet nga një kryeministër mendjeshkurtër që urren shqiptarët, dhe flet si hallemadhi Vuçiç.
Gjithsesi, e ka gjetur vendin ky palaço panairesh, do ta shihni.
ll.
Arsyeja tjetër që mbyll gjithçka është kjo: nëse vërtet ky Vuçiçi mendon se tremb ndokënd, është fëminor, se ata që kanë çliruar Kosovën, nuk tremben dot nga një fuqi aq e vogël sa ajo e Serbisë. Dhe, nëse pastaj mendon se ka ndërruar politika amerikane, dhe nuk është më kundër krimit serb antishqiptar, është mendjeshkurtër si edhe kryeministri shqiptar.
Po anëtarësimi që i është afruar me kusht Serbisë nga Bashkimi Europian, politika serbe, me cilën arsye politike mendon ta kalojë pa realizuar kushtin?
Po sot dihet botërisht që kushti është pavarësia e Kosovës. Si do ta arrijë këtë Vuçiçi, me luftë?
Kjo rrëzon gjithçka. Rruga e Serbisë është vetëm kjo: ose pavarësia e kosovës dhe anëtarësimi i saj në BE për të dalë nga kriza ekonomike që po e fundos; ose shpërbërja tërësore e Serbisë. Kjo është gjendja.
Prandaj shqiptarët është mirë të qeshin edhe me Vuçiçin, por edhe me Thaçin që matet të flasë dhe nuk po flet dot.
Ajo që kërkon Vuçiçi është kapitullimi i Amerikës dhe jo kapitullimit i Hashim Thaçit. Ja kapitulloi Thaçi, pse ky e ka në dorë sovranitetin e Kosovës.
Pyetja kryesore që ngrihet në këtë çështje, është kjo: kush e ka në dorë sot sovranitetin e Kosovës? Atë e ka USA dhe Bashkimi Europian. Dhe këta, vërtet mendoni se do t’i nënshtrohen Rusisë kundër procesit proshqiptar? Ky në fakt tani dihet që është një proces që e ka nisur politika amerikanë në Ballkanin Perëndimor kundër një shteti kriminal si Serbia. Kjo nuk mund të ndodhë.
Pikërisht këtë tha dhe kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, dje nga Durrësi. Dhe shumë mirë që e kërcënoi Serbinë pikërisht nga Durrësi, se Durrësi ka qenë gjithmonë ëndërra e saj kriminale.
lll.
Nënshtrimi i politikës serbe për njohjen e Kosovës, është e vetmja garanci që ky shtet i jep politikës amerikane e sidomos asaj gjermanë, se Serbia si shtet po heq dorë nga karakteri i vet kriminal antishqiptar. Nëse nuk heq dorë, shumë më keq për të do të jetë. Kosova e shqiptarëve është, ka tash 19 vjet.
Për faktin që ruajtësit e sovranitetit të Kosovës janë Amerika dhe Bashkimi Europian, dhe jo Thaçi, asgjë nuk mund të vijë nga vullneti i Hashim Thaçit, e le më i Edi Ramës që s’e përfill kush.
Prandaj duhet të theksojmë që politika patriotike në Prishtinë sot nuk ka përse të shqetësohet për territoret, ato janë territoret e vendosur që në vitin 1974. Edhe lufta ndërkombëtar e Natos për ato territore është bërë.
Sovraniteti është territorial, dhe ai nuk disponohet nga askush që është individ. Natoja që e ka fituar nuk ka fare mundësi që ta lëshojë drejtësinë historike të cilën e ka vendosur vetë me luftë.
Po si mendon Aleksandër Vuçiç, Amerika do të kapitullojë në një luftë të fituar se kërcënohet nga shigjetarët e Aleksandër Vuçiçit?
O presidenti i vobegtë serb: pse me një fishek do t’i hapësh ti luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ?
Politika amerikane, nuk mund të heqë dorë nga procesi që ka nisur që në vitin 1993 kundër karakterit kriminal serbo-rus të shtetit serb në Ballkanin Perëndimor. Po të ndodhte kjo, duhej të mendonim se Amerika ka humbur luftën me Rusinë në politikën e saj konstante për Ballkanin Perëndimor. Po, a mund të ndodhë kjo në një kohë kur Rusia është sot një shtet i telikosur nga lodhja?
Po Franca, a mund ta garantojë krimin serb antishqiptar që ky të vijojë rrugën e tij të vjetër? Hapur, kjo politikë franceze nuk mund të zhvillohet dot në asnjë lloj mënyre.
Po, a e dini se sa është borxhi francez kundrejt Gjermanisë sot? Është aq i madh, sa borxh i grek të duket si një pakogjë.
Përfundimisht, asnjë forcë nuk e ndalon dot sot pavarësinë territoriale të Kosovës. Nëse Vuçiç përpëlitet dhe kërcënon, këtë e bën nga inercia kriminale që e karakterizon si politikë shtetin serb. Serbia sot është përballë këtij fakti historik: ose të lëshojë pavarësinë e Kosovës, ose të shpërbëhet.
Po Aleksandër Vuçiç, a e din këtë? Sigurisht që e di.