Ngjela: Pashai shqiptar që do ndëshkohet nga BE
Nga Spartak Ngjela
Hapja e negociatave në 28 qershor midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, rrëzon korrupsionin e karakterit neoosman në Shqipëri. Ka 27 vjet që në Shqipëri sundon koncepti i pashait osman. Kjo është arsyeja që perëndimorët, që e kanë hetuar në themel tani çështjen e korrupsionit shqiptar, janë tmerruar nga përmasat e këtij korrupsioni.
Le ta shohim më qartë.
l.
Kush është pashai shqiptar, dhe si krahasohet ai më pashain osman.
Pashai osman ishte një person i emëruar me ferman të sulltanit për të qeverisur një njësi administrative që osmanët e quanin pashallëk dhe që, si njësi, mund t’i kalonte një milionë banorë. Kurse pashai i emëruar, duhej të paguante një tarifë te Sulltani për pashallëkun, dhe këtij pastaj i lindte e drejta që të nxirrte edhe fitimin e vet. Domethënë të rripej populli deri në palcë.
Po sot në Shqipëri? Edhe sot këtu është krejt e njëjta gjë: kryeministri emëron ministrat dhe iu kërkon tarifën e tij; kurse këta pastaj nxjerrin edhe fitimin e tyre.
Janë të shumtë ministrat e tre kryeministrave Berisha, Meta dhe Rama që tani janë të kapur, dhe jo vetëm kaq, por edhe të identifikuar nga hetimet se sa para i kanë dhënë kryeministrit dhe sa kanë marrë për vete. Madje sot amerikanët i kanë të zbardhura edhe konfliktet e brendshme që kanë ndodhur në lidhje me tarifën kryeministrore.
Ja ky është otomanizmi shqiptar që mund të quhet neoosmanizëm.
Por duhet thënë se në Shqipëri, që nga viti 1925 e deri më sot ka sunduar padishahu (domethënë kryeministrat), dhe pashallarët.
Po, si do t’iu vijë fundi pashallarëve neoosmanë të Shqipërisë?
ll.
Koha e solli që Ballkani Perëndimor të jetë në këtë kohë një nga qendrat ku është përqëndruar politika e madhe. Këtu spikat një konflikt midis Rusisë, në një krah, dhe Amerikës e Gjermanisë në krahun tjetër.
Pikërisht në këtë konflikt shfaqet fuqishëm sot bota shqiptare e Ballkanit Perëndimor. Në fakt kjo është risia e kohës për vetë fatin e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre të aneksuara nga shtetet sllavë, sepse edhe interesi amerikan edhe interesi gjerman duan të mbështeten dhe do të mbështeten te shqiptarët.
Por, në të njëjtën kohë, të dy shtetet shqiptarë që duhet të jenë në epiqendër të politikës së re, kanë ngërçin e brendshëm, se lidërshipët e tyre kanë rënë në korrupsion.
Gjatë gjithë historisë 106 vjeçare të shtetit shqiptar, korrupsioni i brendshëm ka qenë i lidhur me aneksimit e territoreve shqiptare nga sllavët, dhe kjo natyrshëm spikat edhe sot. Por tendenca korruptive e lidërshipëve të korruptuar shqiptarë, që si rregull kanë ardhur në pushtet nga Beogradi apo edhe nga Athina, korrupsionin apo vjedhjen e brendëshme me anë të qeverisjes, e kanë lidhur me shitjen e interesit kombëtar. Rasti më i freskët ka qenë Marrëveshja e Detit, që Sali Berisha bëri më 2008 me qeverinë greke.
Të njëjtat shenja dallojnë sot edhe në Kosovë si lidhje organike midis korrupsionit të lidërshipëve të caktuara, me shitjen e interesit kombëtar në Beograd.
Në fakt, ky ka qenë vetë esadizmi.
Por, megjithatë epiqendra e korrupsionit shqiptar sot, gjendet në Shqipëri. Sepse ky korrupsion i instaluar në vitin 1997-1998, ka avancuar për të pushtuar të gjithë aktivitetin shoqëror dhe privat në Shqipëri.
Korrupsioni i Tiranës që është në fakt fiks si sistemi neoosman i pashait, të cilin e analizuam më lart, nuk arrin të kuptojë që sot mund të quhet i likuiduar, dhe vijon të rezistojë.
Pyetja që duhet të ngrihet në këtë rast është kjo? Nëse është likuiduar, si është likuiduar korrupsioni kryeministror në Shqipëri?
lll.
E pra, pse duhet të quhet i likuiduar që sot korrupsioni kryeministror shqiptar?
Këtu duhet theksuar se likuidimi i korrupsionit të lartë në Shqipërinë e sotme, është proces. Kurse duhet të vëmë në vëmendje faktin që ky proces, si aktiviteti politik shqiptar i dy vjetëve të fundit, është dominuar nga forca e politikës amerikane. Me anë të kësaj force u mposht e gjithë rezistenca banale Berisha për të votuar të gjitha ligjet që do t’i duheshin procesit, dhe, po me forcë, nuk u lejua kryeministri aktual që të bënte dredhitë e veta sipas marrëveshjes Rama-Basha.
Marrëveshjes Rama-Basha kundër reformës, amerikanët i futën si forcë ministrin e Brendshëm Xhafaj. Kjo i tronditi të dyja palët, por që të dyja u varrosën me stisjen e çështjes Babalja, që do të mbetet një turp qesharak i korrupsionit shqiptar.
Kjo është arsyeja që procesi i likuidimit të korrupsionit kryeministror shqiptar Berisha-Rama, që është segmenti i fundit i fenomenit të pashait neoosman në Shqipëri, po vijon të ecë drejt fundit të tij si segment kohor.
Po cili do të jetë aspekti konkret i këtij segmenti kohor përfundimtar në likuidimin e korrupsionit kryeministror të pashallëkut neoosman të Tiranës?
Dy janë ingredientët fillestarë të këtij aspekti konkret: hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian më 28 qershor, dhe arrestimi i ministrave të korruptuar të qeverisë aktuale dhe të qeverisë Berisha.
Në fakt kjo është arsyeja e pastër që i jep formën përfundimtare procesit që ka nisur në Shqipëri kundër korrupsionit kryeministror. Por gjithçka e merr forcën nga hapja e negociatave, proces ky që u luftua shumë nga korrupsioni shqiptar.
Por ishte pikërisht kjo luftë që duket se e ka sjellë çështjen të ngritur kështu nga perëndimorët: fakti që politika perëndimore është kundër korrupsionit shqiptar, dhe korrupsioni shqiptar është kundër negociatave – negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të hapen më 28 qershor 2018.
Fundi i korrupsionit shqiptar është i sigurt.