Ngritja e Isa Mustafës në Kosovë
Kryeministri i ri ka marrë një rrugë të gjarpëruar që nga koha si një lider i ri komunist deri te shef i qeverisë, ku do të testohet më së miri vizioni i tij i tregut të lirë për Kosovën.
Pas gjashtë muajsh krizë politike, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dolën nga zyra e Presidentes Atifete Jahjaga tre javë më parë, duke lajmëruar se kishin rënë dakord për të formuar një qeveri me Mustafën si Kryeministër.
Kosova mori frymë e lehtësuar që kriza mori fund, ndërsa liderët ndërkombëtarë e mirëpritën marrëveshjen.
Por pati pak entuziazëm për faktin se ish-kryekomuar i Prishtinës do të drejtojë qeverinë e re.
Madje edhe në partinë e tij, Ligën Demokratike të Kosovës, LDK, lajmi nuk prit aq mirë. Në të gjithë zyrat e LDK-së në vend u shfaqën shpejt fletushka që e përshkruanin 63-vjeçarin si një dhelpër që ndiqte një kolltuk të varur në një kallam peshkimi.
Një marrëveshje me PDK-në u pa si tradhti në sytë e shumë mbështetësve të LDK, disa prej të cilëve kishin ende kundërshti për ngritjen e Mustafës në rolin e kryetarit të partisë.
Mustafa kishte braktisur koalicionin e opozitës që formoi me tre parti të tjera pas zgjedhjeve të qershorit.
Për gjashtë muaj, koalicioni, i ashtuquajtur VLAN, e pengoi Hashim Thaçin dhe Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, të formonte një qeveri të re. Megjithatë, partitë nuk ia dolën të formojnë qeveri të tyren, pjesërisht për shkak të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese dhe pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjes mes liderëve të partive.
Për Mustafën, futja në shtratin e PDK-së së Thaçit ofronte shpërblime më të mëdha. Në koalicionin VLAN, ai kishte rënë dakord të bëhej i vetmi kryetar parlamenti, ndërsa Ramush Haradinaj do të bëhej Kryeministër.
Pak sharm
Mustafa vetë shprehu pak emocion pas zgjedhjes së tij në postin më të lartë të qeverisë. Në një deklaratë në Facebook, ai tha vetëm se marrëveshja ishte bërë ‘duke marrë parasysh situatën me të cilën përballet vendi”.
Ai ka shprehur një mungesë të ngjashme emocionesh edhe katër vite më parë, kur u zgjodh kryetar i LDK. “Vetëm Mustafa nuk ka shprehur aspak emocion,” shkroi e përditshmja Express në atë kohë.
Sharmi nuk është një cilësi e Mustafës. “Sensi i humorit nuk është cilësia e tij më e mirë, por unë mendoj se kjo ndodh ngaqë ai është shumë serioz dhe i vendosur,” tha Ilmi Uka, një banor i Prapashticës, fshat jashtë Prishtinës ku Mustafa ka lindur.
Çfarë nuk e plotëson me sharm, Mustafa e ka shlyer me durim dhe dredhi politike, në një karrierë që nisi në fillim të viteve ’80 si një yll në ngritje në Partinë Komuniste në Jugosllavi, gjë që e ka çuar atë tani në zyrën e Kryeministrit në Kosovë.
Rini komuniste
Muhamet Mustafa, një profesor ekonomiksi në Institutin Riinvest dhe një mik prej kohësh i Mustafës, kujton Kryeministrin në vitet 1970, kur ai ishte një yll në ngritje në Ligën Komuniste të Jugosllavisë që qeveriste në atë kohë.
“Ne punuam së bashku në Ligën e Socialistëve të Rinj të Kosovës. Mustafa na u bashku kur ishte një asistent profesor në Fakultetin e Ekonomiksit në Universitetin e Prishtinës, ku ai ishte emëruar studenti më i mirë,” rikujton Muhamet Mustafa, i cili nuk ka lidhje me Kryeministrin pavarësisht mbiemrit.
Isa Mustafa ishte pjesë e lidershipit të rinisë së organizatës dhe punonte për të rritur pjesëmarrjen e studentëve, sipas Muhamet Mustafës
Më vonë, Isa Mustafa u zgjodh për të përfaqësuar degën rinore të partisë në Kosovë në nivel jugosllav. “Ne deshëm dikë që do të konkurronte me anëtarët nga republikat e tjera në një nivel të barabartë,” tha Muhamet Mustafa.
Ai përfaqësoi rininë e Kosovës në funeralin plot shkëlqim të presidentit të përjetshëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, një nder i madh në atë kohë.
Në 1984, ai u bë lider i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës, një pozicion që e mbajti për katër vite. Teksa Jugosllavia filloi të s
hpërbëhej, anëtarët e Ligës së Komunistëve të Kosovës filluan të përjetonin presion të madh për të treguar besnikërinë ndaj Serbisë. Shumë u përjashtuan nga partia ngaqë nuk ia dolën, dhe u akuzuan për veprime antishtetërore.
Vite të dyshimta
Mustafa ia doli të qëndrojë në parti. Kundërshtarët e tij e dënuan pozicionin që ai mori në dhjetor 1989, ku u bë Sekretari për Zhvillimin, Shkencën dhe Informacionin në qeverinë provinciale të Kosovës nën Jusuf Zejnullahun.
Kjo ishte shumë e debatuar sepse ndodhi pasi Serbia, nën qeverisjen e Sllobodan Millosheviçit, ia mori Kosovës autonominë e gjerë që kishte shijuar sipas kushtetutës 1974.
Mustafa dhe shqiptarë të tjerë që vazhduan të shërbejnë në qeveri u quajtën lolo të serbëve të cilët punonin kundër interesave të komunitetit të tyre.
Muhamet Mustafa e sheh këtë ndryshe. “Politikanët shqiptarë në atë kohë ishin në presion ekstrem nga Serbia, veçanërisht nga qarqet shoviniste dhe ishte mirë që disa qëndruan në politikë për t’u përpjekur të shpëtonin atë që kishte mbetur”, tha ai.
Mustafa dhe kolegët e tij u përpoqën të mbronin të drejtat e mbetura të asamblesë së Kosovës. Në korrik 1990, asambleja refuzoi të pranonte ndryshimet e reja të kushtetutës Jugosllave. Në përgjigje, qeveria serbe deklaroi masa të jashtëzakonshme dhe siguroi një mandat arresti për Mustafën që u largua nga shteti.
Ai e kaloi kohën mes Gjermanisë, Zvicrës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë viteve 1990, ekspertiza e tij ekonomike hyri në lojë kur u bë Ministër i Ekonomiksit dhe Financës në qeverinë në mërgim të Kosovës, të themeluar nga Ibrahim Rugova nën Bujar Bukoshin.
Në intervistat që ai dha në atë kohë, Mustafa tha se ai mendoi se qeveria në mërgim do të zgjaste vetëm disa muaj, jo nëntë vite. Ndërkohë, ai ngriti një sistem që financoi qeverinë paralele të Bukoshit, bazuar në një taksë që mblidhej nga shqiptarët në Kosovë dhe jashtë.
Paratë e taksave financuan veprimtaritë derisa lufta ajrore e NATO-s me Serbinë e përmbysi regjimin e kësaj të fundit në Kosovë në 1999. Kundërshtarët e Mustafës, megjithatë, thonë se është e dyshimtë që ai nuk i publikoi kurrë llogaritë e fondit, që mendohet se arriti në rreth 100 milionë marka gjermane.
Rruga drejt kryesisë së partisë
Pasi lufta në Kosovë përfundoi, Mustafa u kthye në shtëpi, hoqi dorë nga politika dhe mori detyrën e profesorit në Universitetin e Prishtinës, ku dha mësim makroekonomi.
Në 2006, megjithatë, një mik i vjetër, Fatmir Sejdiu, i kërkoi ndihmë. Sejdiu ishte zgjedhur së fundmi President i Kosovës dhe kishte nevojë për një këshilltar ekonomik.
Sipas Sejdiut, Mustafa nuk ishte i interesuar për politikën në atë kohë, por ra dakord ‘vetëm për t’i bërë një nder një miku të vjetër’.
Në atë kohë, Mustafa nuk ishte një anëtar i LDK së Sejdiut. Por Sejdiu thotë se ai e vlerësonte eksperiencën e Mustafës si një ekonomist dhe rolin që kishte marrë në qeverinë në mërgim. Sejdiu shpejt e promovoi Mustafën. “Pasi ishte këshilltari im për një vit, e kandidova atë si kryetar i Prishtinës,” kujton Sejdiu.
Mustafa e fitoi garën, duke mundur kandidatin e PDK, Fatmir Limaj. Ai vazhdoi të shërbente si kryekomunar i Prishtinës për dy mandate, derisa kryekomunari aktual, Shpend Ahmeti, i Vetëvendosjes, e mundi në një balotazh në nëntor 2013.
Në drejtimin e Mustafës, Prishtina pa përmirësime të dukshme në infrastrukturë, me rrugë më të mira dhe më shumë semaforë. Ai udhëhoqi rinovimin e Bulevardit Nënë Tereza. Por pati edhe ndërtime të paligjshme.
Ka pretendime se rreth 20,000 ndërtime paleje u ngritën gjatë drejtimit të tij. Probleme pati edhe me nepotizmin në administrimin e komunës.
Njëkohësisht, kryetari përmirësoi profilin e tij brenda LDK, e cila po mundohej për drejtim pasi themeluesi i saj, Rugova, vdiq nga kanceri në 2006. Si një mik intelektual dhe si veteran i luftës paqësore ndaj Serbisë, Sejdiu u shfaq si një pasardhës natyral i Rugovës.
Megjithatë, në 2007, LDK pësoi një mundje poshtëruese në zgjedhjet kombëtare, duke humbur 16 vende në parlament, ku kishte qenë partia më e madhe dhe ishte eklipsuar nga PDK-ja e Thaçit.
Dy partitë do të formonin më pas një koalicion qeverisës por ishin kombinim i çuditshëm – LDK si parti e inteligjentëve qytetarë, ndërsa PDK e nisur nga veteranët e UÇK-së kryesisht nga Kosova rurale.
Koalicioni filloi mirë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008, por mbeti i brishtë.
Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese vendosi që Sejdiu nuk mund të ishte President i Kosovës dhe kryetar partie në të njëjtën kohë.
Ai dha dorëheqjen si President, një post me fuqi të kufizuara, me një sy nga zyra e Kryeministrit, e zënë nga Thaçi. Shpejt pas kësaj, LDK u tërhoq nga koalicioni dhe qeveria ra.
Ndërkohë, Sejdiu u përball me sfida për lidershipin e partisë. Ai nuk e priste nga miku i tij, Mustafa. “Në një takim privat me të e pyeta direkt: ‘Po planifikon të kandidosh për kryetar partie?’ Ai u betua se nuk do ta bënte kurrë këtë dhe se nuk do të kandidonte kurrë kundër meje,” tha Sejdiu.
Por, “Ai shfrytëzoi të parin rast që i doli për të kthyer njerëzit kundër meje dhe për të ndarë anëtarësinë e LDK,” shtoi Sejdiu.
Në nëntor 2010, pasi qeveria ra, LDK-ja zgjodhi me shumicë Mustafën si liderin e saj të ri. “Ju ftoj të gjithëve ju që jeni pjesë e LDK ta mbështesni, ta ndërtoni, të punoni dhe të bashkërendoni punët, në mënyrë që ta kthejmë elektoratin në familjen e LDK-së,” i tha Mustafa mbështetësve.
Mandati i Mustafës si lider i LDK nuk rezultoi në ringjalljen dramatike të fatit të partisë. Në zgjedhjet e 2011, ajo fitoi vetëm dy vende më shumë në parlament, dhe katër të tjera në zgjedhjet e fundit të qershorit.
Në 2013, Mustafa pësoi një mundje poshtëruese në Prishtinë, kur humbi garën për kryekomunar në një qytet që ka qenë bastion i LDK-së. Ai kishte thënë se do t’i fitonte zgjedhjet me duart në xhepa.
Prishja e Koalicionit
Pas zgjedhjeve të 8 qershorit, dukej se PDK-ja, pavarësisht se fitoi shumicën e votave, do të mbahej larg qeverisë.
LDK-ja, së bashku me Aleancën për të Ardhmen e Kosovës, AAK, Lëvizjen për Vetëvendosje dhe partinë e shkëputur nga PDK, Nisma, përfaqësonin shumicën në parlament dhe u bashkuan kundër PDK-së.
Një marrëveshje koalicioni parashikoi që Ramush Haradinaj të bëhej Kryeministër, ndonëse partia e tij ishte e treta për nga madhësia në bllok.
Haradinaj më parë kishte shërbyer si kryeministër për 100 ditë përpara se të dorëzohej në Hagë për t’u përballë me akuzat për krime lufte për të cilat u lirua më pas.
Mustafa ra dakord për postin e kryetarit të parlamentit, duke qenë i vetëdijshëm se ndonëse LDK ishte partia më e madhe në bllok, ai vetë nuk shihej se kishte brumë kryeministror.
Por marrëveshja u prish nga Gjykata Kushtetuese, që anuloi zgjedhjen e Mustafës si kryetar dhe urdhëroi që vetëm PDK-ja si parti fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e shkuara, kishte të drejtën të kandidonte kryetarin e parlamentit.
Edhe atëherë, LDK-ja qëndroi e vendosur kundër PDK-së, me deputetin Ismet Beqiri që deklaroi se partia nuk do të formojë kurrë një qeveri me PDK-në.
Teksa muajt kaluan, blloku opozitar nuk ia doli të bjerë dakord rishikuar marrëveshjen e koalicionit. Mustafa këmbënguli vazhdimisht të bëhej kryeministri i ri në rrethanat e reja, gjë që Haradinaj nuk e pranoi.
Teksa presioni ndërkombëtar u shtua që Kosova të formojë një qeveri të re, PDK-ja dhe LDK-ja u kthyen së bashku, pasi Thaçi ra dakord të bëhej zëvendës kryeministër dhe ministër i jashtëm duke i lënë Mustafës drejtimin e qeverisë.
Vizioni i tregut të lirë
Me përjashtim të Vetëvendosjes, partitë kryesore të Kosovës nuk kanë artikuluar filozofi të qarta politike ose ekonomike. Fushatat e tyre vërtiten rreth të njëjtave premtimeve praktike – të krijojnë më shumë vende pune dhe anëtarësimit në BE, për shembull.
Megjithatë, kur Mustafa foli në parlament për herë të parë si Kryeministër, ai shpalosi një vizion se ishte i vendosur ideologjikisht dhe mbështetës ndaj parimeve të tregut të lirë.
“Ne do të krijojmë një treg të lirë dhe të hapur. Punësimi dhe rritja e mirëqenies sociale do të bazohen në iniciativën private dhe një treg konkurrues do të sigurojë begati ekonomike,” tha Mustafa për deputetët.
Ai gjithashtu hodhi poshtë një premtim për rritjen e pagave që ishte në paketën e parë të ligjeve që do kaloheshin në parlament si pjesë e buxhetit të 2015, duke thyer premtimin elektoral të Thaçit se do rriste pagat e sektorit publik me 100 për qind. Mustafa ka thënë se pagat do rriten vetëm në linjë me rritjen ekonomike.
Për të zhvilluar sektorin privat, Mustafa ka thënë se do të zvogëlojë taksat në biznesin e vogël dhe të mesëm dhe do të zhvendosë peshën e TVSH-së së mbledhur në kufi me TVSH-në e të ardhurave të brendshme.
“Qeveria do të punojë shumë të arrijë një rritje ekonomike të qëndrueshme, që do të sigurojë stabilitet makroekonomik, fiskal dhe social,” me qëllimin e minimalizimit të deficitit tregtar”, tha Mustafa.
Agron Demi, që drejton institutin Gap, thotë se teksa Mustafa është një ekonomist, ai po i hyn një territori të pashkelur. “Është e vështirë të masës aftësinë e tij si një ekonomist gjatë kohës si kryekomunar sepse komunat nuk kanë shumë kompetenca në këtë zonë,” theksoi ai.
Nëse ai do të marrë shumë mbështetje për vizionet e tij kjo është e paqartë. Shtatë deputetë të LDK-së nuk votuan për të si Kryeministër, për të cilën ai i qortoi ata gjatë fjalimit të parë.
Është edhe çështja e PDK-së. Ndërsa Thaçi po bën zyrtarisht një hap pas si zëvendës i Mustafës, PDK-ja do të ketë shtatë deputetë më shumë në parlament sesa LDK, duke ngritur dyshime sesa shumë pushtet do të ketë në të vërtetë Kryeministri i ri.
BIRN