Ngushtohet “laku” për ministrin Beqaj, tani sulmohet edhe nga brenda qeverisë

 

Edhe gazeta “Shekulli” e deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima duket se ka vënë “në rreth të kuq” ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Në faqe të parë të kësaj gazete për ditën e mërkurë është vendosur një titull i madh “Tetë denoncime për mjekët” duke i rënë “kambanës së alarmit” për ministrin e linjës. Ilir Beqaj ndodhet kohët e fundit në një furtunë kritikash dhe jo vetëm nga opozita apo kundërshtarët. Tashmë atë po e sulmojnë edhe të vetët. Pa lënë mënjanë debatin e madh për testimin e mjekëve që ka hasur në kundërshtime të forta (dhe që me shumë gjasa do të dështojë), kur nuk mungojnë ankesat e qytetarëve për mungesa ilaçesh dhe shërbimit, pas skandalit të videos së të rinjve në QSUT, tashmë kanë dalë në dritë afera të tjera. Ndaj tij vijnë akuza për korrupsion dhe konflikt interesi.

Konflikt interesi ne importin e barnave?

Përveç titullit në faqe të parë “Shekulli” ka vënë në dispozicion rrëfimet e qytetarëve kundër sistemit shëndetësor duke drejtuar gishtin edhe ndaj ministrit. “Duhet ngrit zëri edhe t’i thonë ministrit të Shëndetësisë? Me çfarë po i mjekojnë pacientët?” – thotë një prej denoncuesve i cituar nga shekulli. Porsa u përket ilaçeve ishte drejtoresha e Farmacise se QSUT, Nervina Sinani që u akuzua fillimisht nga Arian Galdini për mosdhënie të barit të quajtur Avastinë. Ai hodhi dyshime se ilaçi i dhënë prej saj nuk kishte bërë asnjë efekt tek i afërmi i tij i sëmurë. Ajo që del në dritë tashmë është se Nervina Sinani është mbesa Kastriot Zotos, kryetar i shoqatës së importuesve të barnave si dhe një prej grosistëve më të mëdhenj të ilaçeve nga jashtë. A është ky një konflikt interesi? 

Tenderi për helikopterin

E para që vuri në shënjestër ministrin Beqaj ishte gazeta “Dita”, një e përditshme pranë qeverisë e cila hodhi dyshime për tenderin e blerjes së një helikopteri. Më  27 janar ministri Beqaj shfaqej në faqe të parë të kësaj gazete me kokë të lidhur dhe me siguri që pas fakteve për një tender të dyshuar si të manipuluar ai duhet të ketë shumë dhimbje koke. Nën titullin "Hije skandali mbi ministrin Beqaj", ka zbuluar një aferë që bie era korrupsion të ministrit të Shëndetësisë. Bëhet fjalë për nje tender për blerjen e një helikopteri me vlerë afro 4 milion euro, për të cilin Dita referon fakte se fituesi ishte paracaktuar. "Ministria e Shëndetësisë… ka përcaktuar parametra të atilla që mund t’i përshtateshin vetëm mjetit të piketuar apo të rënë dakord që më parë. E thënë shkurt, tenderi duket një maskim “ligjor” për një blerje të drejtpërdrejtë dhe të paracaktuar. Një helikopter akull i ri nuk vjen dot për 30 ditë; ndërkohë që detaji “i pafajshëm” se mjeti mund të jetë edhe “paksa” i përdorur me deri 50 orë fluturimi (!), duket se e vë gishtin direkt mbi mjetin që duhet blerë. Kritere të tilla kaq specifike në një tender të hapur mbajnë erë më të rëndë se tualetet e spitaleve.", shkruajti Dita duke iu referuar ankesave të dy firmave të tjera të mirënjohura që u skualifikuan nga gara dhe që kanë denoncuar në ambasadat përkatëse, atë amerikane dhe atë italiane hilet që sipas tyre ministria ka bërë në këtë tender. Në bazë të këtyre ankesave qëndron fakti se ministria e Ilir Beqajt e kishte paracaktuar me kohë fituesin duke vënë parametra që i plotësonte vetëm njëra kompani, “Airbus Helicopter”, që fitoi edhe tenderin.

Afera me chek up-in

Në fillim të janarit, një tjetër gazetë që i ka dhënë mbështetje mazhorancës së re të pas 23 qershorit, Tema, ka patur një varg shkrimesh kritike për punën e ministrit Beqaj. Madje Mero Baze, në një editorial të nënshkruar prej tij linte të kuptohej qartë se ministria ishte përfshirë në tendera klientelistë. Prej tri javësh, kompania "Marketing& Distribution" ka lidhur një kontratë me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të bërë kontrollin shëndetësor falas, check-up, për grupmoshat 40- 65 vjeç. Falas është fjala, sepse rreth 730 milion lekë do të dalin përsëri nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Por kjo është diçka tjetër. Ajo që ngre dyshime për një skandal në financimin e këtij shërbimi, ka të bëjë me kompaninë e përzgjedhur për ta kryer atë. Ministria do t'i japë afro 6 milion euro kompanisë "Marketing& Distribution", në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi, që kjo të kryejë shërbimin e kontrollit shëndetësor. Nushi njihet për afërsinë e saj me kryeministrin Rama dhe vetëm kjo mund të shpjegojë faktin se si ka mundësi që një kompani që nuk është marrë kurrë me shërbime të ngjashme, të fitojë një tender specifik si ai i kontrollit shëndetësor. Biznesi i Nushit ka qenë i njohur deri para pak kohësh për importin e cigare të Philip Morris në Shqipëri dhe tani për importin e pijeve alkoolike. Dy artikuj që jo vetëm nuk lidhen me shëndetin, por siç shkruajnë edhe në etiketat e tyre e dëmtojnë seriozisht atë. Kompania e Vilma Nushit dha çmimin më të shtrenjtë në tender dhe përsëri fitoi. Do të ishte më e drejtë që qeveria t'i shpërblejë bizneset pranë saj duke ua dhënë direkt paratë nga buxheti i shtetit në formë shpërblimi, se sa të lodhet të shpikë ide si check-up falas për t'i justifikuar ato. Ose të gjejë kompaninë e duhur për tenderin e duhur. Se t'i japësh kontrollin shëndetësor një biznesi që është marrë që në krijim me import duhani, alkooli, shitje kartash rimbushëse e riparim telefonash, është njëlloj si t'i japësh një klinike stomatologjike tenderin e rikonstruksionit të kryeministrisë.

A rrezikon ministri Beqaj?

A përbëjnë skandal për kryeministrin Rama këto faktë të publikuara në media apo jo, kjo mbetet për t'u parë, por fakti se shtypi pranë tij ka vënë në shënjestër Beqajn është një tregues se punët për ministrin nuk janë mirë. Vetë kryeministri Rama ka deklaruar se një ministër i tij do të shkarkohej vetëm në rast të ndonjë skandali. A janë skandale këto që u renditën më lart për mikun e vjetër të kryeministrit Rama? Duket se laku rreth ministrit të gjatë po ngushtohet.

SHKARKO APP