Nis një epokë e re për vendin
Votimi i sotshëm, që i hapë rrugë Tribunalit Special, dhe zhvillimet deri në këtë votim, kanë treguar qartë se Kosova më shumë se sa nga një qeverisje e dobët, lëngon nga një opozitë e dobët, e pastrategji, e pashpresë dhe e pa të ardhme.
Partia Demokratike e Kosovës më në fund i siguroi votat e duhura për hapjen e rrugës për themelimin e Dhomave të Posaçme të Tribunalit Special. Ose mund të thuhet edhe kështu: PDK i dha fund teatrit të themeluar nga kreu i saj, se gjoja nuk i kishin këto vota. Pra, PDK i kishte këto vota që në krye të herës, por që vendosi t'i bëjë publike sot – në një seancë komike. Në këtë mënyrë Kosova, më në fund, i dërgon një sinjal të qartë komunitetit ndërkombëtar se dëshiron të bashkëpunojë me drejtësinë, për t'i zbardhur të gjitha dyshimet e ngritura për krime të luftës.
Është e kotë që tash ne të analizojmë nëse kishte ose jo këso lloj krimesh, ose nëse lufta e UÇK'së ishte e drejtë ose jo. Këtë tash ia kemi lënë drejtësisë ndërkombëtare. E rëndësishme është që të gjithë personat e dyshimtë, e që më gjasë mund të ketë shumë, dhe që më gjasë do të janë persona të rëndësishëm, të përgatitën në mënyrën më të mirë për t'i hedhur poshtë dyshimet e ngritura kundër tyre, ose në të kundërtën të përballën me dënimet.
Por çfarë na mësoi kjo seancë? Dhe jo vetëm kjo seancë, por çfarë po na mëson kjo legjislaturë? Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të mbetet faktori kyç politik në vend, edhe përkundër faktit se është pikërisht ky subjekt politik që ka përgjegjësinë më të madhe për krejt parregullësitë në vend. Ky subjekt, dhe Kryetari i saj, Hashim Thaçi, ndonëse më të rrezikuarit prej goditjeve eventuale të Tribunalit, ndonëse duke kalkuluar deri në fund, e arritën ta tejkalonin vetvetën. Arritën të dërgojnë mesazhin, edhe tek qytetarët e vendit, por edhe të bashkësia ndërkombëtare, se është pikërisht PDK, dhe Hashim Thaçi, zëri i arsyeshëm në Republikën e Kosovës. Se pa ta, askush nuk mund të llogarisë në sjellje normale. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Kryetarin e saj, Kryeministrin Isa Mustafa, të gjithë këta muaj ishin dëshmitarë të sigurtë se sa jorelevant janë për vendin.
Ata mund të kanë luajtur rol konstruktiv, por ky konstruktivitet i tyre ishte i kotë. Ishte i pafuqishëm. Pak a shumë sikur shikuesit e një ndeshje të futbollit, që sillen mirë gjatë ndeshjes. Por ata thjeshtë nuk janë në fushë të lojës. Për pjesën tjetër të spektrit politik më së miri do të ishte të mos flitej fare. Kemi të bëjmë me një opozitë të pashpresë. Kjo u pa edhe sot, gjatë gjithë ditës. Është saktësisht kjo opozitë, që e bën të duket mirë Koalicionin qeverisës. Është Lëvizja Vetëvendosje ajo që e bën Hashim Thacin të duket i domosdoshëm për nevojën e vendit që të ecën përpara. Askush nuk mund ta paramendojë, posaçërisht bashkësia ndërkombëtare, se çfarë do të ndodhte me vendin, ose më kënd do të bisedonin në Kosovë për çështje serioze, sikur Qeveria të udhëhiqej nga opozita, saktësisht nga Vetëvendosja.
Opozita në Kosovë është e vetmja në Evropën Juglindore që në vazhdimësi, kur është në pyetje bashkëpunimi konstruktiv me Bashkimin Evropian, është për disa katramë më destruktive se sa vet Qeveria e vendit. Votimi i sotshëm, që i hapë rrugë Tribunalit Special, dhe zhvillimet deri në këtë votim, kanë treguar qartë se Kosova më shumë se sa nga një qeverisje e dobët, po vuan nga një opozitë e dobët, fataliste, e pashpresë dhe e pa të ardhme. Tribunali Special, tashmë ka krijuar edhe rrethana speciale për politikën në Kosovë.