Një analizë gjysmake për ti bërë alibi një fitoreje të arnuar
Nga Albi Cela –
Një shkrim i publikuar nga analisti dhe profesori Blendi Kajsiu ditën e sotme në gazetën Panorama, titulluar “Blerja e votës si Alibi për humbjen e opozitës”, ishte një tjetër tentativë për të sfumuar panoramën e plotë të manipulimit të sistemit zgjedhor e rrjedhimisht rezultatit rezultatit të këtyre zgjedhjeve, që profesori merr guzimin ti quajë “humbje e qartë” për frontin opozitar, duke mos guxuar të analizojë paqartësinë e fitores së pozitës.
Analiza, nëse mund ta quajmë të tillë, sillet vetëm rreth fenomenit të deformimit të vullnetit të qytetarëve nëpërmjet krimit dhe blerjes së votës. Unë e quajta fenomen, por profesori ka zgjedhur ta quajë “fabul”. Duke mos dashur ta paragjykoj, po e konsideroj thjesht naivitet, e jo keqdashje. Shpresoj… Por shumë element të tjerë, kush më pak e kush më shumë, kanë ndikuar dhe profesori, e dikush që ka “common sense” arrin ta kuptojë. Gjithsesi, për të mos i dhënë shkas oponenencave gjysmake që presin në rradhë për të hedhur pluhur syve, po i qëndroj vetëm elementit të shit-blerjes dhe përfshirjes së krimit në zgjedhje.
Argumenti fillon me po të njëjtën këngë, “Saliu, Saliu, Saliu…” dhe hipotezën sygjestionuese e ironizuese që nëse nuk do të kishte shit-blerje shqiptarët do të kishin preferuar në shumicë krimin e trio-s Basha-Berisha-Meta. Kjo, thjesht sepse nuk përtypim dot Kryeministrin Rama? E vërtëtë që nuk e përtypim, por pse duhet doemos që alternativa për ndryshim, përballë një qeveria me rekorde negative, të lidhet pikërisht me individët në fjalë? Përse mos të thuhet që po të mos kishte përfshirje të krimit, sot mund të kishim një qeveri me figura si Agroni, Tomori, Flutura e Belindi, dhe një parlament me kandidatë të pavarur si Boikeni, Iliazi dhe Kreshniku?
Por, ajo cka më tërhoqi më shumë vëmendjen, ose më saktë më preku nervin, ishte teza e parashtuar që: “Nëse blerja e votës do të përcaktonte rezultatin e zgjedhjeve, harta elektorale do të ishte ndryshe”. Pse? Sepse sipas autorit, krimi i lidhur me pushtetin do të synonte zonat veriore ku varfëria është më e madhe, krimi lulëzon (përmendet vetëm Shkodra) dhe blerja e votës detyrimisht bëhet më e thjeshtë.
Së pari le të marrim numrat. Qarqet në të cilat opozita ka fituar janë katër. Shkodra, Kukësi, Lezha dhe Dibra. Në total këto qarqe prodhojnë 26 mandate, nga të cilat opozita ka marrë 15. Pjesa tjetër e mandative të mbetura, 114, janë të gjitha në zonat e fituara nga partia në pushtet. Shtrohet pyetja, pse duhet të investohesh në “bastione të djathta” të cilat kanë aq pak peshë në parlament, kur mund të marrësh më shumë në krahun tjetër? Mandatet në pushtet partia në pushtet i kishte aty, por lufta zhvillohej në qarqet e tjera, ku opozita zhvilloi fushatë më intensive sepse e dinte ku duhet të luanin numrat.
Pastaj, çne Shkodra bastion i djathtë këto zgjedhje, kur rezultati, nëse vendosim mënjanë Lëvizjen Socialiste për Integrim”, ka dalë 5+1 me 5? Unë nuk shoh humbje të pushtetit në Shkodër. Përkundrazi.
Së dyti, mbi varfërinë. Logjika e autorit qëndron që veriu dhe zonat e saj rurale janë më të varfra dhe detyrimisht krimi do të investojë për blerje votash aty. Ndërsa Tirana, Durrësi e Vlora, qytete me zhvillim më të lartë ekonomik, nuk e lejojnë depërtimin e krimit. Që veriu është i varfër biem dakort. Kjo a nuk i faturohet qeverisë? Nejse. Kthehemi tek qytetet e zhvilluara. Ky nivel ekonomik, në këto qytete, është i shtrirë në mënyrë të barabartë? Pra, zonat rreth Tiranës, Durrësit e Vlorës qenkan po aq të pasura sa qendrat e këtyre qyteteve? Mjafton të shkosh pak kilomentra larg qendrës së Tiranës, në secilin drejtim, për të kuptuar sa të varfëra janë këto zona.
Raportet ndërkombëtare tregojnë që korrupsioni dhe investimi i parave të pista po ndodh pikërisht në këto zona të “zhvilluara” ekonomikisht. Pra, me logjikë të ftohtë, a nuk duhet të ketë më shumë lek të hedhur pikërisht në këto zona të cilat janë jo vetëm të varfra por edhe pëshojnë më shumë sesa ato në veri?
Janë akoma të freskëta ngjarjet e Dibrës në 2016 dhe të Durrësit në 2017. Ajo e Elbasanit e para pak ditëve, gjithashtu tregon qartë sesi krimi ka qënë prezent në këto zgjedhje. Përsëri do thuhet që nuk ka patur peshë në rezultat. Mos të harrojmë që policia luajti cic-mic, njëherë duke thënë nuk ka karta pastaj që paska pasur karta në makinë. Kur kjo ndodh në një qytet dhe mbulohet nga policia, pse nuk mund të jetë një fenomen i cili ka ndodhur dhe në qarqe të tjera?
Përfshirja e krimit, sëbashku me elementët e tjerë që unë dhe shumë si unë, i lëxojmë si indicie të pastra të një manipulimi, a nuk përbëjnë një tablo të një fitoreje të arnuar?