Një arbitër moral për dekriminalizimin

Nga Mero Baze

Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë duket se po çel një epokë të re të komunikimit me autoritetet shqiptare, por dhe opinionin publik. Brenda javës ai ka bërë disa gjeste publike, të cilat askush nuk ka guxuar t’i bëjë më parë.

Së pari, reagoi ndaj përjashtimit të Tom Doshit nga Partia Socialiste me një shpejtësi dhe qartësi, që nuk linte asnjë dilemë për qëndrimin e SHBA-ve rreth kësaj çështjeje. Deklarata, jo vetëm mbështeste largimin e tij, por i rekomandonte PD-së të njëjtën gjë për persona të ngjashëm, si dhe inkurajonte drejtësinë të vepronte shpejt.

Gjesti i dytë i tij, ishte ndaj Berishës. Ndërsa u nis për një takim të fiksuar në orën 14:00 tek selia e PD-së në SHQUP, ai e ndryshoi atë sapo arriti tek porta e SHQUP-it dhe pa se Berisha kishte bllokuar derën duke dhënë konferencë shtypi, me qëllim që të merrte një foto me të. Lulzim Basha u detyrua të dalë nga selia e SHQUP-it dhe të shkojë në një qendër biznesi aty afër, për të zhvilluar takimin me atë dhe ambasadoren e BE-së në Tiranë.

Gjesti i tretë ishte sot, kur pas disa paralajmërimeve, që disa deputetë duhet të hiqeshin nga lista e Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA, refuzoi të zhvillohej kjo mbledhje.

Edhe ambasadorët e tjerë të SHBA-së në Tiranë kanë qenë aktiv dhe kanë bërë beteja diplomatike për të bindur pushtetin dhe opozitën të jenë në drejtimin e duhur të Uashingtonit, por gjeste të tilla kaq specifike dhe të pakeqpërdorshme po shfaqen për herë të parë në politikën e SHBA-ve në Tiranë.

Ky është një lajm i mirë, pasi do të marrë fund periudha e keqpërdorimit të çdo deklarate të SHBA-së, ku secila palë gjente fjalinë pro saj dhe e keqpërdorte. Mbi të gjitha, nëse kjo praktikë pune konsolidohet, do të kemi një rezultat konkret për atë që quhet proces dekriminalizimi në Shqipëri.

Për hirë të së vërtetës, SHBA së paku nga viti 1997 ka bërë gjithnjë rekomandime për liderët politikë, për të lënë jashtë listave të tyre persona të inkriminuar. Por, politikanët tanë jo gjithmonë kanë qenë të dëgjueshëm në këtë pikë.

Veçanërisht prej vitit 2005 rekomandimet kanë qenë me emra konkretë. Fatos Nano mund të dëshmojë për kë i kanë rekomanduar të heq nga listat e deputetëve në vitin 2005. Republikanët dhe PD-ja po ashtu. Lista ka qenë e përsëritur në vitin 2009 dhe 2013, ndërsa Wikilekas ka dhe një listë akoma më të sinqertë, që Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ia rekomandonte Uashingtonit si listë politikanësh të përzier me krimin dhe korrupsionin. Kjo e fundit fillon me Lulzim Bashën.

Sali Berisha, Edi Rama, Fatos Nano dhe Ilir Meta kanë gjetur gjithmonë nga një arsye për të bërë sikur nuk e kanë mendjen çfarë u kanë rekomanduar për të futur në lista.

Tani nëse SHBA do të vazhdojë të mbajë këto qëndrime që po mban Ambasadori Donald Lu, ka për të luajtur një rol historik në këtë çështje, pasi ka për të shërbyer si një institucion moral për të verifikuar vullnetin e liderve politikë shqiptarë për dekriminalizimin. Dhe është mirë ta fillojë qysh këtë muaj, kur po shpallen kandidatët për Kryetarë Bashkie në 61 njësi vendore. Është mirë ta thonë publikisht, që SHBA nuk mbështet kandidimin e këtij x apo y personi në zgjedhje. Nuk ka arsye të na japin shpjegime se dhe nuk na duhen. Na duhet një arbitër moral në këtë kënetë ku jemi zhytur, për të testuar nëse njerëzit besojnë më shumë tek listat okulte të liderve tanë, apo tek listat e spastruara nga Perëndimi.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP