Një arrest absurd që solli një tragjedi

Nga Gjergj Erebara*

Nuk është e drejtë që qeveria të konsiderohet fajtore për vdekjen e Qamil Zelës, njeriut që vari veten në burgun e Rrogozhinës më 28 dhjetor 2014 pasi qe arrestuar “i dyshuar” për veprën penale të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike dhe gjendej në burg me masën e sigurisë “arrest me burg”. Por unë e konsideroj qeverinë fajtore për arrestimin e tij si dhe për masën e sigurisë krejtësisht të paarsyeshme “arrest me burg”.

E konsideroj qeverinë fajtore për krijimin e një klime terrori ndaj të varfërve, për arrestime “me urdhër nga lart” të të pafuqishmëve, të cilat janë shumë larg të qenit arrestime me synimin e zbatimit të ligjit. Ata janë arrestime të fukarenjve dhe të pambrojturve në një kohë që hajdutët e vërtetë të vendit, qofshin ata në qeverisje apo në opozitë janë të lirë dhe të pacënueshëm.

Qamil Zela rezulton se qe vjedhësi “i zakonshëm” i energjisë elektrike. Më falni, jo tamam vjedhës. Policia ka identifikuar dy dyqane nën pronësinë e tij, të lidhura me sahatin e familjes së tij. Dmth, energjia paguhet, ose regjistrohet si borxh. Por sipas policit që kreu arrestimin e këtij krimineli, ai kryen “vjedhje” për shkak se energjia që i faturohet biznesit, është më e shtrenjtë se sa ajo që i faturohet familjeve. Link dokumenti. Ky është një konkluzion jo shumë i qartë matematikor.

Për energjinë e konsumuar nga dy bizneset e tij, të cilat qenë, një fast food dhe një sallë interneti në qytetin e Lushnjës, i ndjeri duhej të paguante 12.2 lekë për kWh energji elektrike të konsumuar. Kliko këtu për të parë tarifat aktuale. Ndërsa si familjar, duket se ka paguar 7.7 lekë për kWh për 300 kWh-të e para dhe 13.5 lekë për kWh për konsumin mbi 300 kWh. Duke supozuar se 300 kWh është konsumi normal i familjes së të ndjerit ndërsa pjesa tjetër është konsumi i dyqaneve, atëherë ka gjasa që në fakt, Qamili duhej të futej në burg pse ka paguar më shtrenjtë energjinë elektrike dhe jo më lirë. Ai ka paguar 13.5 lekë për kWh në vend që të paguante 12.2 lekë.

Shkurt, logjika e përfitimit të tij përmes lidhjes së energjisë nga sahati i familjes së vet te bizneset e veta “për të paguar më lirë”, siç ka konkluduar polici që e arrestoi, nuk është shumë e fortë.

Sipas policisë, i ndjeri është arrestuar më 28 tetor të këtij viti. Gjykata e Lushnjës, më 30 tetor, e ka certifikuar si të vlefshëm arrestimin e tij “në flagrancë” dhe ka marrë masën e sigurisë “arrest me burg”. Link.

Tani, arresti me burg është një masë që teorikisht merret kur bëhet fjalë për një kriminel të rrezikshëm. Një njeri që mund të arratiset nëse ndiqet në gjendje të lirë, mund të frikësojë dëshmitarët, mund të manipulojë provat e të tjera. Këto nuk duket se hyjnë në rastin e Qamilit, babai i tre fëmijëve, i cili rezulton se është pagues i energjisë elektrike, por nuk e ka paguar atë si “biznes” por si “familje”.

Ai pati qëndruar sakaq plot dy muaj në burg para se të vriste veten. Nuk dihet se për çfarë arsye nuk e ka apeluar vendimin e masës së sigurisë, nuk dihet se pse nuk luftoi për të bërë të qartë se qe arrestuar për një situatë kaq absurde.

Me logjikën e arrestimit të Qamil Zelës, çdo pronar apartamenti në Tiranë që aktualisht është dhënë me qira për zyrë dhe çdo qiramarrës për zyrë i një apartamenti duhet të shpallet hajdut pasi përdor energji “biznesi” me kontratë familjeje.

Fakti është që kur urdhri për arrestime dhe për zbatim ligji vjen nga lart, rezultati nuk mund të jetë i ndryshëm. Zbatimi i ligjit do të bëhet një situatë kafkeske, ku qytetari është gjithmonë i kapur në shkelje dhe i dënueshëm.

Për këtë është fajtor qeveria.

*BIRN

SHKARKO APP