Një botë me të papritura dhe drithërima në 2015-ën
Frida Ghitis
Një vit më parë, kush do ta kish menduar se luftëtarë brutalë do të kishin pushtuar pjesë të Sirisë dhe Irakut, duke detyruar SHBA që të rifutet në “grindjet” e Lindjes së Mesme? Kush do ta kishte parashikuar se Rusia do të pushtonte dhe aneksonte Krimenë, një pjesë e Ukrainës e njohur ligjërisht, apo që një virus vdekjeprurës do të përhapte panik në SHBA dhe do të shkatërronte pjesë të Afrikës.
Ja një parashikim që mund ta bëjmë me 100% siguri: 2015-a do të sjellë surpriza të mëdha. Vitin që kaloi pati shumë të tilla, kjo dihet, shumica e tyre ishin jo të mirëpritura, ndërkohë që të tjera lanë në hije drama të mëdha të cilat do të shpalosen në muajt e ardhshëm.
1. Një frikë e madhe për Hillary Clintonin. Al Gore dikur bënte shaka dhe thoshte se “dikur kam qenë presidenti i ardhshëm i SHBA”. Po kështu, Hillary Clintoni e ka mbajtur titullin e kandidates favorite për zgjedhjet e 2016-ës për një kohë kaq të gjatë, saqë ajo dhe Partia Demokratike duken rrezikshëm të papërgatitur përballë shfaqjes së mundshme të një sfidanti të besueshëm brenda partisë. Eshtë shumë e mundur që një kandidat për zgjedhjet primare brenda Partisë Demokratike të shfaqet dhe të rrokë imagjinatën e publikut.
Pas disa vitesh në qendër të vëmendjes së publikut, Hillary përballet me një detyrë pothuajse të pamundur, nëse dëshiron të shfaqet “e freskët” dhe “e re”. Kjo krijon një hapje për një rival të mundshëm. Një demokrat karizmatik dhe që sjell risi mund të frymëzojë shumë votues të rinj. Kjo do ta godiste Hillarynë dhe mbështetësit e saj më të ngushtë, si dhe do të mbillte panik brenda establishmentit të demokratëve, të cilët tashmë i kanë dhënë mbështetjen asaj. Megjithatë, pavarësisht risqeve, ajo mbetet kandidatja me më shumë shanse për t’u bërë presidente e ardhshme e SHBA.
2. Demokracia (ose ajo çfarë ka mbetur prej saj) vdes në Rusi. Pavarësisht gjithë autoritarizmit që ka shfaqur, Presidenti rus, Vladimir Putin mbetet një udhëheqës i zgjedhur në një demokraci me shumë të meta. Ky mund të jetë viti kur demokracia në Rusi do të japë shpirt, nën drejtimin e Putinit. Rënia e çmimeve të naftës ka filluar tashmë të krisë themelet e begatisë ruse. Rënia ekonomike – që është një recesion – me siguri do ta tkurrë mbështetjen për presidentin.
Rënia e standarteve të jetesës do të shkaktojë një reagim që do vijë duke u shtuar, ndërkohë që do të shtohet represioni, për shkak se Putini do të dojë të mbajë fort pushtetin, duke fajësuar forcat e jashtme dhe akuzuar kritikët e tij se janë agjentë të huaj, apo kriminelë të rëndomtë. Opozita do të ndihet e sulmuar, por e forcuar. Lustra e hollë që ndan autokracinë demokratike nga diktatura gjithashtu do të prishet.
3. Revolucioni në Venezuelë lëkundet dhe timonin në Amerikën Latine e marrin centristët, që do forcojnë lidhjet me SHBA. Ka vetëm një arsye që Chavistët e Venezuelës të jenë mirënjohës: Të paktën udhëheqësi i tyre që e kanë idhull, Hugo Chavez, nuk është këtu për të parë shembjen e padenjë të revolucionit të tij. Venezuela, ndoshta ekonomia e menaxhuar më keq, kish nisur të merrte tatëpjetën që përpara se të ardhurat nga eksportet e naftës u përgjysmuan. Pasardhësi i Chavezit, Presidenti Nicolas Maduro çuditërisht ka fajësuar SHBA për problemet e tij. Por ekonomia e tij, e varur e gjitha nga nafta nuk kishte asnjë shans.
Venezuela nisi një revolucion socialist në Amerikën Latine, por modeli ka rezultuar një dështim. Në vend që të ndiqnin udhëheqjen e saj, qeveri centriste dhe të qendrës së majtë, që synojnë begatinë përmes një përzierjeje të reformave sociale agresive, tashmë kanë dalë në pararojë. Dhe tani, kur marrëdhëniet mes SHBA dhe Kubës kanë marrë një kthesë të re, Amerika Latine dhe SHBA pritet të forcojnë lidhjet mes tyre.
4. ISIS i shtyn myslimanët të afrohen me Perëndimin. Eshtë një fakt shqetësues dhe i rrezikshëm, që ngjitja e të ashtuquajturit Shtet Islamik ka tërhequr shumë myslimanë përreth botës. Por ka edhe një tjetër efekt anësor, një që nuk do u sjellë gëzim udhëheqësve të ISIS. Ndërkohë që ideologjia ultraradikale dhe taktikat e grupit militant kanë radikalizuar pikëpamjet në disa segmente, ata kanë alarmuar gjithashtu shumëkënd mes shumicës së myslimanëve, që janë tashmë të revoltuar prej taktikave të tij brutale dhe objektivave ekstremë.
Padyshim që ISIS do të donte të shihte vizionin e vet të kalifatit pan-Islamik të mbështetet nga myslimanët përreth botës. Në vend të kësaj, pamjet e prerjes së kokave, argumentet e tij pro skllavërisë së grave dhe për një rikthim në zakonet e shekullit 17 do të detyrojnë shumë myslimanë, sidomos të rinjtë, që të identifikohen më shumë me modernitetin dhe të mbrojnë lirinë e tyre personale. Paradoksalisht, ISIS do i afrojë më shumë myslimanët dhe perëndimin.
5. Ngjitja e Indisë, më në fund. India, demokracia më e madhe e botës, është dëshpëruar tek ka parë fqinjët e saj në Kinë që shijojnë frytet e begatisë. Dy vendet e vetëm të botës me një popullsi që kalon një miliardë frymë kanë patur një konkurrencë të heshtur. Ndërkohë që ekonomia e centralizuar e Kinës është rritur me ritme të mëdhenj, India ka mbetur prapa, e zhytur në korrupsion dhe ideologjikisht ka mbetur në vend. Kjo pritet të ndryshojë.
Ironikisht, ishte Kina e sunduar prej komunistëve që rezultoi më e prirur për ekonominë e tregut, ndërkohë që India ruajti politikat proteksioniste dhe mbeti dyshuese ndaj investitorëve të huaj. Por tani, një qeveri e re po mirëpret, madje u “vardiset” investitorëve të huaj – përfshirë ata nga Kina – dhe po heq dorë nga politika e jashtme e “mosreshtimit”, duke ftuar madje edhe Obamën si “Kryemysafir” në Ditën e Republikës së Indisë në janar, hera e parë që një presidenti amerikan i bëhet ky nderim.
Do të jetë një fillim i duhur për 2015-ën, që do të hedhë themelet për një vit ku shpresojmë që surprizat pozitive të jenë më të shumta se ato negative. Shenjat janë inkurajuese. /cnn/( bota.al)