Një Burrë Shteti

Nga Dr. Edmond Stojku/Popujt e vuajtur janë mësuar të shohin sesi ngjarjet prodhojnë lidership. Në rastin e Ilir Metës është e kundërta: lidership-i është ai që udhëheq drejt ngjarjesh. Dhe kjo në historinë Shqiptare ndodh ndoshta për herë të parë. Reforma në drejtësi, një prej arritjeve më të rëndësishme të politikës Shqiptare në këtë dekadë, ishte vetëm dëshmia e fundit e këtij konstatimi.

Pozita e Ilir Metës si garant i stabilitetit politik të vendit ka njohur sot një ngritje të re: ai është garant i reformave dhe i progresit në standardin institucional të funksionimit të shtetit. Kur Fatos Nano hodhi në vitin 1998 idenë e tij “të lëshojmë pushtet për të bërë shtet”, Ilir Meta ndodhej pranë tij. Nano këtë e bëri vetëm me fjalë. Ilir Meta po e bën me vepra.

Ai hyri në jetën e vendit në moshën 20 vjeçare nga dera e vogël e veprimtarit politik, që mori përsipër të ngrejë për herë të parë një strukturë rinore brenda një partie politike, deri atëherë të paragjykuar si partia e baballarëve. PS-ja ende nuk ishte e ndarë qartë nga e shkuara e saj puniste dhe garant i këtij procesi mund të ishin vetëm të rinjtë e saj. Ilir Meta, në kohën më të vështirë për socialistët, ju tregoi atyre rrugën e integrimit europian. Ai i udhëhoqi ata në ndërveprimin politik me Internacionalen Socialiste dhe shpalosi në mjedisin europian cilësitë e një lideri të besueshëm. Falë kontributit dhe imazhit të Forumit Eurosocialist drejtuar nga Ilir Meta, Partia Socialiste në opozitë u bë pjesë e strukturave social-demokrate dhe socialiste europiane. Ajo fitoi në mjedisin ndërkombëtar atë hapësirë që në Shqipëri nuk e kishte legjitimuar dot ende.

Në vitin 2000 diplomacia amerikane do t’a quante atë Burrë Shteti, ndërsa ai vizitoi Uashingtonin dhe riktheu plotësisht në normalitet marrëdhëniet e lëkundura të vendit me SHBA për shkak të qeverisjes së mëparshme. Refuzimi prej tij i koncensioneve politike ndaj drejtuesve të lartë të PS-së i kushtoi Ilir Metës pozitën e kryeministrit (1999-2000), por ai preferoi të ruante integritetin moral.

Ajo që ai arriti të prodhonte në pak muaj ishte dëshmia e besimit se Shqipëria bëhet. Në periudhën e z.Meta vendi rriti në nivele të reja aftësinë e përthithjes së fondeve të huaja të alokuara për zhvillimin sektorial dhe një numër projektesh zhvillimore, sidomos në infrastrukturë nisën dhe u përfunduan. Publiku kuptoi se vullneti politik vlen më shumë se sa fondet për të garantuar një kthesë në qeverisje.

Në raport me politikën e jashtme, gjithashtu Ilir Meta aftësoi një pozitë të lakmueshme për vendin, i cili arriti të bëhet pjesë e Paktit të Stabilitetit ndërsa vendi rikonfirmoi pozitat e garantuesit të paqes e stabilitetit. Një koncept i ri i marrëdhënieve politike me Serbinë i dha Shqipërisë një rol, i cili ishte mbështetja më e mirë e avancimit të procesit të integrimit europian dhe e përfshirjes së tij në disa axhenda rajonale.

Pozitat e z.Meta që prej vitit 2004 kur ai themeloi Lëvizjes socialiste për integrim kanë njohur vetëm fuqizim. Ai hyri në politikë jo si lojtar ideologjik, por si një homos politicus me një mision përbashkues. Ai identifikoi konfliktin politik si fatkeqësinë më të madhe të këtij vendi në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, institucional e social. Ai vendosi të zbusë këtë konflikt. Në fakt më shumë sesa në rrafshet praktike të jetës së dy partive të mëdha, efekti i LSI-së si zbutës i dualitetit politik të dy poleve historike është ndjerë tek publiku. Kjo shpjegon rritjen numerike të LSI, përballë një logjike që ende e ndërton komunikimin politik si luftë dhe shërbimin institucional e përdor si shpërblim “spahinjsh”.

Në fakt, ajo që z.Meta dhe formacioni i tij politik kanë sendërtuar në Shqipëri është vizioni i zhvillimit në paqe. Shqiptarët ose i shohin udhëheqësit e tyre si heronj (dhe i duan në piedestale qysh se janë gjallë) ose i shohin ata si viktima të dhunës dhe martirë të kauzave të pamundura. Të dyja këto orientime psikologjike shoqërore prodhojnë epikë emotive dhe forcim të duelit në terren.  Politikanë edhe me reputacion, në momente para-elektorale, kanë marrë pozicione agresive dhe kanë bërë deklarata të ashpra thjesht për t’ju përshtatur optikës epike dhe luftarake të publikut të ngushtë militant, duke tentuar edhe angazhimin emocional të pjesës tjetër të publikut mbështetës.

Kjo nuk ka ndodhur me z.Meta. Ai ka dëshmuar normalitetin si linjë komunikimi, parimet si vizion vendimmarrës, objektivat e tij kurrë nuk kanë mbështetur “Orën Zero” dhe as bindjen se “Historia fillon me mua”. Ai ka induktuar në vend ndjesinë se normaliteti dhe zhvillimi gradual janë përgjigja më e mirë ndaj të ardhmes. Ai ka dëshmuar me prova se dialogu dhe kapërcimi i interesit të ngushtë personal janë sjellja më e mirë politike, që rrit një parti dhe lidership-in e saj në sytë e publikut.

Ai ka dëshmuar përgjegjshmëri institucionale të paluhatshme gjatë të gjithë periudhës, si kur ka qeverisur dikastere të veçantë, qeverinë shqiptare në tërësi, Kuvendin gjatë këtyre tre viteve apo LSI-në. Ai ka dëshmuar se institucionet qeverisin,  jo individët. Ai ka dëshmuar se ligji qeveris,  jo vullneti personal. Dhe në fund ai dëshmoi se pozitat politike nuk vlejnë pa legjitimitet moral.

Në debatin e fundit, për reformën në drejtësi ai ishte mbrojtësi më i mirë i nevojës për konsensus me opozitën,  për t’i dhënë jetë reformës, jo vetëm një votë kaluese. Ai e mbrojti procesin me fatin e tij politik. Politikanin e mban në politikë vota, jo posti.

SHKARKO APP