Një dekan shkon të bëjë shurrën!

Nga Artan Fuga

Ore, ju talleni, por unë vërtet jam i shqetësuar nga ai lajmi me një dekan. Një fakt pa shumë peshë në dukje, por tregon sesa është prioritare reforma në arsimin e lartë. Lajmet në media thonë se ai i gjori nuk shkonte dot as në nevojtore gjatë orarit të punës pa lejen e punonjësve të burimeve njerëzore.

Cfarë lajmi na ofrojnë gazetarët! Mirë dekani, por këta çunat e gocat tona çfarë dreqin kanë! Tre lajme ishin dje të rêndësishme që tronditën botën: Netanjahu në Izrael rifiton zgjedhjet. Rusët kremtojnë njëvjetorin e marrjes të Krimesë. Rektori mbyll dekanin dhe nuk e lejon të shkojë të bëjë çiçin pa leje. Imagjinoni. Dekani duhej të bënte ujtë e hollë. E mbante sa e mbante dhe pastaj nuk duronte më. Cfarë të bënte? Kishte disa zgjidhje.

Zgjidhja e parë, ta bënte në një vazo lulesh. Por, informacioni i mediave sot thotë se ai në zyrë nuk kishte më asgjë pra as vazo lulesh. Por, edhe po ta bënte gjithmonë në një vazo lulesh, në fund lulja do të thahej, edhe palmë po të ishte, sepse do të kishte koncentrim acidi urik, dhe çfarë acidi, të një njeriu të stresuar.

Zgjidhja e dytë, ta bënte në ndonjë shishe ose kanoçe koka – kola që ta hidhte drejt e nga dritarja në det, kripë për kripë, ose ta merrte me vete në ora 16°° kur të dilte nga ngujimi. Sepse thuhet që dhe në kafe nuk mund të shkonte si kolegët që shkokan në kafe në orarin e punës. Por, edhe ky problem sepse shishja para se të ishte bosh duhej zbrasur, e kush e pi gjithë atë ujë ose koka-kola!!!

E imagjinoj dekanin e shkretë që duke ecur përkulur dhe shtrënguar kofshët fort trokiste me forcë te zyra e personelit dhe i drejtohet vajzës që qendron ulur aty: Majlinda, a mund të shkoj pak të derdh ujin e hollë? Nuk kam shumë punë, ja nja pesë minuta. Majlinda, a Rebeka, i jepte leje me kokë dhe me përbuzje i thoshte : Ik, ore bëje, po si shumë shpesh e bën, mos je gjë me prostat? Dekani largohej i turpëruar dhe pasi bënte operacionet e zakonshme në kësi rastesh, hapte dyqanin, kryente nevojën fiziologjike, bënte ca veprime të tjera për të mos bërë me pika pantallonat, e mbyllte dyqanin, lante duart, kthehej edhe një herë te zyra e burimeve njerzore :

Svetllana, e mbarova unë, në zyrë po kthehem! Falemnderit  Sofika e zyrës të burimeve njerëzore nuk ja hidhte më sytë fare, po si nëpër dhëmbë i thoshte : Me vrap në zyrë e mos dil më ! Ja u lirove tani! Sapo dekani tërhiqte derën i pezmatuar, Drita, punonjëse e personelit, e ngarkuar posaçërisht për këtë punë, nxirrrte një rregjistër të vjetër, e hapte në faqen 91 dhe shkruante :

Proces-Verbal

(Top sekret)

Ora 12 e 33 minuta. Dekani derdhi ujët e hollë. Vajti dhe u kthye për 2 minuta e 13 sekonda. Eshtë hera e katërt që nga ora 8°° që pretendon se i bëhet çiçi… Nuk e di nëse simulon, ka cistit apo duhet të bëjë analizat e prostatës…Asgjë e veçantë për t'u shënuar. Si duket është i stresuar dhe ka frikë se përndryshe nuk ka si shpjegohet kjo inkontinencë. Strategjia e rektorit për ta bërë të vuajë po aplikohet me sukses dhe po jep rezultate. Firma : Drita Hysenbardhi.

Dhe ditë rridhnin…

(Ngjashmëritë me persona dhe institucione konkrete janë krejt të rastit)

SHKARKO APP