Një dimension i ri i terrorizmit
Sulmi hacker ndaj televizionit francez TV5 Monde është një rast i qartë i terrorizmit kibernetik. Duhet të përgatitemi mirë ndaj sulmeve të tilla pasuese, sepse rreziku madje do të shtohet…
Nga Matthias von Hein
Botëkuptimi i të ashtuquajturit "Shteti Islamik" (IS) është i prapambetur e mesjetar. Por për fat të keq, nuk janë të tilla metodat e terroristëve xhihadistë. Kjo për faktin se hapësirën kibernetike terroristët e IS prej kohësh e kanë zbuluar si fushë beteje. Megjithatë, në të, ata deri më sot kanë realizuar kryesisht betejat propagandistike: me video të prodhuara në mënyrë të sofistikuar, me revista të shkëlqyeshme online, me shembujt e rrjeteve sociale.
Sulme terroriste nga rrjeti
Tani sulmi i të vetëquajturit "Cyber-Kalifats" ndaj televizionit francez TV5 Monde shënon një shkallë të re të terrorizmit kibernetik. Sepse bëhet fjalë për terrorizëm kibernetik: Një përkufizim, që përdoret edhe nga Zyra Federale e Kriminalistikës e përshkruan terrorizmin kibernetik si "përdorimi i kapaciteteve kibernetike, për të realizuar operacione militante me efekt dominancën, cenimin apo shkatërrimin dhe për të instrumentalizuar frikën përmes dhunës ose kërcënimit me dhunë, në mënyrë që të arrihet një shndërrim politik". Aksioni ishte gjithsesi shkatërrimtar. Dukshëm i shokuar foli drejtori i televizionit Yves Bigot duke u shprehur për një sulm mjaft të rëndë kibernetik. Të njëmbëdhjetë kanalet e televizionit u bllokuan njëkohësisht, llogaritë e Facebook-ut dhe të Twitter-it u bllokuan gjithashtu. Duket se teknika e prodhimit vazhdon të jetë e trazuar. Edhe disa orë pas sulmit TV5 Monde ka mundur të transmetojë vetëm kronika të prodhuara më parë. Madje edhe kërcënimet ndaj ushtarëve francezë përkojnë me përkufizimin e terrorizmit.
Ky incident nuk vjen papritur. Zyra Federale e Kriminalistikës qysh vitin e kaluar kishte paralajmëruar në një analizë të brendshme për kërcënimet prej hapësirës kibernetike. Edhe Agjencia Policore e BE-së, Europol, në shtator 2014 në një analizë të rreziqeve tërhiqte vëmendjen ndaj rrezikut të terrorizmit kibernetik. E pra s'është habi: kur nga çdo cep i botës me një ekip të vogël specialistësh mund të bësh dëme të mëdha në vende mjaft të largëta, gjë që ka trajtën e strategjisë së përshtatshme për zhvillimin e një lufte asimetrike.
"Cyber-Kalifat" qysh në mes të janarit tërhoqi vëmendjen me një sulm disi paqeder duke bllokuar për 30 minuta llogaritë e Youtube dhe Twitter të komandës qendrore të SHBA-së, që është përgjegjëse për luftën në Siri dhe në Irak. Megjithatë ky incident shkaktoi trazira brenda trupave të SHBA-së për faktin, se në faqet e bllokuara u publikuan informacione private lidhur me ushtarët e SHBA-së dhe të afërmve të tyre. Sulmi i tanishëm ndaj TV5 ishte shumë më kompleks – dhe më me efekt. Islamistët duket se kanë mësuar më shumë.
Rreziqet po shtohen edhe më shumë
Problemi është se: sa më shumë afrohen bota virtuale dhe ajo reale, aq më i madh bëhet rreziku në hapësirën kibernetike prej kriminelëve ose terroristëve. Në dhjetor të vitit të kaluar Koreja e Jugut njoftoi për një sulm hacker ndaj një centrali bërthamor. Edhe raporti i fundit vjetor i Entit Federal për Sigurinë në Teknikën e Informacionit përmban detaje të rëndësishme: në të raportohet për shkatërrimin e një furrnalte si pasojë e një sulmi hacker. Dëme reale në botën reale, të shkaktuara prej manipulimeve në zerot dhe njëshat, që po depërtojnë gjithnjë e më shumë në këtë botë. Çfarë mund të ndodhë nëse një rafineri, një kompleks i madh kimik është në shënjestër të një sulmi? Apo nëse në shënjestër vihen të ashtuquajturat "infrastruktura kritike" si furnizimi me energji dhe me ujë apo teknika e komandimit të qarkullimit? Të tillë skenarë askush nuk do t'i imagjinojë.
Dhe: bota jonë nuk po bëhet edhe më e sigurt. Shkalla tjetër e revolucionit industrial, projekti "Industri 4.0" synon futjen plotësisht në rrjet të teknikës së prodhimit. Kjo do t'i gëzojë aventurierët digjitalë, sepse kësisoj shtohen edhe më shumë shanset e tyre për të shkaktuar shkatërrime e madje edhe katastrofa.
Çfarë është terrorizmi kibernetik
Në shoqërinë aktuale, varësia nga teknologjia kompjuterike është ne rritje e sipër dhe ka marrë një zhvillim të hovshëm. Digjitalizimi i proceseve të punës në të gjitha sferat e jetës shoqëroro-ekonomike në kohët e sotme është një fenomen i vërtetë dhe në avancim e sipër. Zhvillimi i tregtisë botërore gjithnjë e më shumë anon nga zhvillimi i teknologjive të kompjuterit dhe internetit. Në zhvillim të vazhdueshëm të kësaj industrie, është bërë një ndjeshmëri e veçantë ndaj shfrytëzimit të kompjuterëve për krime të ndryshme kompjuterike dhe terrorizëm kompjuterik. Në bazë të studimeve të kryera, janë arritur përkufizime të ndryshme të terrorizmit edhe përmes internetit. Kuptimi primar që mund t'i atribuohet terrorizmit kompjuterik është etimologji që origjinën e ka nga idetë e themeluara në hapësirën kompjuterike dhe të terrorizmit.
Terrorizmi kompjuterik është një sulm që synon pikën e ndërprerjes midis botës materiale apo botës së konsiderueshme dhe botës virtuale. Në epokën e tanishme, integrimi i botës virtuale dhe teknologjike me botën që ne e jetojmë, është shumë e qartë se ka mjetet e përbashkëta. Kjo tendencë, në fakt është bërë, si kornizë për krijimin e shumë agjencive dhe organizatave për mbrojtje nga terrorizmi kompjuterik. Për këtë arsye, ato janë bërë objekt i sulmeve të terrorizmit kompjuterik. Krejt kjo është për shkak të faktit se qëllimi për shkatërrimin e sistemit që funksionon, mund të bëjë realizimin e qëllimeve të autorëve me më pak përpjekje dhe me më pak shpenzime.