Një fjalë kyçe dhe dy precedentë, që mund të vlejnë sa një fitore për Shqipërinë
Nga Dritan Zela*
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (Court of Arbitration for Sport ose CAS), para së cilës është tashmë çështja e ndeshjes Serbi-Shqipëri e vlefshme për Kampionatin Europian të Futbollit (2014-2016), është një gjykatë sportive e pavaruar nga UEFA dhe çdo organizatë tjetër sportive. Çështjet që po merr tashmë në shqyrtim CAS-i janë vetëm këto me poshtë pasi, si nga ana jonë ashtu edhe e federatës serbe të futbollit, nuk ka patur protesta dhe procedimet të cilat janë në shqyrtim janë hapur nga vetë UEFA.
Procedim kundër Fedaratës së Futbolllit të Shqipërisë (FShF): Refuzimi për të luajtur (Neni 27(1) Rregullorja e Kompeticionit të UEFA-s) dhe shfaqja e një baneri të palejueshëm (Neni 16(2e) i Rregullores së Disiplinës të UEFA-s)
Procedim kundër Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS): Hedhja/Ndezja e fishekzjarreve dhe e objekteve të tjera të hedhura me forcë (Neni 16(2b & c), probleme me turmat e tifozëve (Neni 16(2h)), organizim i pamjaftueshëm (Neni 16(1)), përdorimi i lazerave (Neni 16(2d)), të gjitha nene të Rregullores së Disiplinës të UEFA-s.
Pa dashur të hyj në analizën e fakteve, pasi nuk mundem dot t’i di me saktësi si i jashtëm, do të përpiqem të analizoj çështjen nga ana juridike. Analiza është pak teknike por e tillë është edhe çështja. Pavarësisht disa gjërave që nga ana taktike mund të ishin bërë më mirë nga ekipi dhe stafi ynë për të siguruar fitoren qe gjate shqyrtimet ne komisionet e disiplines ne UEFA, mendoj që në përsëri kemi hapësira ligjore që të arrijmë të paktën në riluajtjen e ndeshjes.
Në këtë analizë do të shyrtohet vetëm pjesa e parë e procedimit të UEFA-s kundër FSHF-së, pasi për pjesën e dytë, përgjegjësia është qartazi e FSHF-së, në bazë të rregulloreve dhe direktivave të UEFA-s. Përgjegjësia për banerat e palejueshëm është e tillë që është strikte – pra pavarësisht nëse provohet ose jo neglizhenca nga ana e FSHF-së dhe pavarësisht nësë provohet ose jo nëse baneri u hodh nga një përkrahës i ekipit shqiptar, për sa kohë që përmbajtja e banerit ishte në favor të përkrahësve të ekipit shqiptar përgjegjësia mbetet e FSHF-së. Për më tepër, kjo shkelje nuk ndikon në rezultat dhe është vetëm me gjobë dhe pa interes për çështjen e rezultatit të ndeshjes.
Rregullorja e Kampionatit Europian të Futbollit të UEFA-s (2014-2016) thotë: “Neni 27: Refuzimi për të luajtur dhe raste të ngjashme. 27.01. Nëse një federatë refuzon që të luajë ose është përgjegjëse për një ndeshje që nuk zhvillohet ose që nuk zhvillohet deri në fund, Komisioni i Disiplinës dhe i Kontrollit të UEFA-s merr një vendim në lidhje me çështjen.” Për më tepër, Neni 47.01 i po kësaj rregulloreje thotë se “Nenet e Rregullores së Disiplinës të UEFA-s zbatohen për të gjitha shkeljet disiplinore që kryhen nga federatat, zyrtarët, anëtarët, apo individë të tjerë që ushtrojnë një funksion në emër të federatës në një ndeshje, me përjashtim të rasteve kur rregullorja aktuale e përcakton ndryshe”
Kjo do thotë që Rregullorja e Disiplinës të UEFA-s është kontrolluese në rastin e shkeljeve dhe procedimeve disiplinore. Rregullorja e Disiplinës të UEFA-s ka një nen shumë interesant që, po të kuptohet mirë, mund të shfrytëzohet në favorin tonë në gjyqin që po zhvillohet në CAS.
Rregullorja e Disiplinës të UEFA-s thotë:
Kapitulli II – Shkeljet
Neni 11 – Principet e përgjithshme të sjelljes
Një thyerje e këtyre principeve (parimeve të përgjithshme të sjelljes) quhet kur kushdo që:
h) fajësisht shkakton që ndeshja të ndërpritet apo të abandonohet, ose që fajësishtështë përgjegjës për ndërprerjen ose abandonimin;
(origjinalisht ne anglisht, si gjuha kryesore zyrtare e UEFA-s, sepse është thelbësore: (h) who culpably causes a match to be interrupted or abandoned, or is responsible for its interruption or abandonment)
Pa patur në dorë dokumentat e nënshkruara nga ekipi ynë, pa qenë prezent në situatën që u zhvillua në korridoret e stadiumit në ato momente ku u vendos gjithçka, duke u nisur nga ato çfarë kemi dëgjuar nga drejtuesit dhe lojtarët tanë dhe zhvillimet e deritashme, unë do ta marr të mirëqenë faktin që ekipi/stafi shqiptar refuzoi për të dalë në fushën e lojës, pavarësisht disa problemeve në komunikim me arbitrin.
Por që të dënosh dikë (ekip/klub/federatë) me shkelje për ndërprerje apo abandonim të ndeshjes duhet me patjetër që ekipi/klubi/federata të jetë fajësisht shkaktar(e) dhe jo thjesht shkaktar(e) e abandonimit të ndeshjes! Fjala ‘culpably’ nuk është vënë aty kot por ka një kuptim juridik të caktuar. Fatkeqësisht, ajo nuk është e përcaktuar se çfarë do të thotë në këtë rregullore apo në rregullore të tjera të UEFA-s, por Neni 5 i Rregullores së Disiplinës të UEFA-s thotë se “Komisionet e Disiplinës i bazojnë vendimet e tyre në Statutet, rregulloret, direktivat dhe vendimet e UEFA-s, si edhe Ligjet e Lojës, ligjet zvicerane dhe çdo ligj tjetër që autoritetet kompetente disiplinore konsiderojnë të zbatueshme”. Për më tepër, CAS-i, me statut, kur ka boshllëqe ligjore në rregulloret e marrëveshjet midis subjekteve që shkojnë para tij, zbaton ligjet zvicerane.
Pra, në këtë rast, Kodi Penal Zviceran, në radhë të parë, do të duhet të jetë ai kontrolluesi në rastet kur ka boshllëk ligjor në rregulloret, direktivat, vendimet e UEFA-s dhe FIFA-s në përcaktimin ligjor të kuptimit të fjalës “culpably” apo “culpability” (“fajësisht” apo “fajësi”) që është kyç në këtë rast dhe përcakton gjithçka. Parashtrimi im është që ekipi/stafi ynë vërtetë shkaktoi abandonimin e ndeshjes por nuk e shkaktoi këtë në mënyrë të fajshme dhe kjo është shumë thelbësore dhe, besoj, mbrojtja jonë e vetme në bazë të ligjit!
“Mens rea”, që në latinisht do të thotë “mendje e qëllimshme”, shihet si një nga elementet e nevojshëm në legjislacionet e vendeve demokratike për të përcaktuar fajësinë. Testi standard në “Common Law” i fajësisë, në mënyrë konçize, kapet nga fraza latine “actus reus non facit reum nisi mens sit rea”, që do të thotë “akti nuk është i fajshëm (culpable) për sa kohë që mendja nuk është e fajshme”. Në vendet demokratike që kanë një proces të rregullt ligjor gjykimi (“due process”), për tu quajtur fajtor duhet të ketë një akt të fajshëm të shoqëruar, sipas rastit, me një nivel të caktuar fajësie të mendjes. Si rregull, nuk mund të jepet fajësi një personi që thjesht kryen aktin në mungesë të një mendjeje që është edhe ajo në faj. I vetmi përjashtim është në rastet e përgjegjësisë strikte (“strict liability”) që, siç e shpjegoj më poshtë, zbatohet vetëm në rastin e shkeljeve për të cilat akuzohet FSS-ja dhe për rastin e shkeljes së dytë për të cilën akuzohet FSHF-ja.
Kodi Penal i Zvicrës, Neni 12 (Qëllimi dhe Neglizhenca, Përcaktimet)
Përveçse kur ligji e shpreh ndryshe, një person është përgjegjës ligjërisht për një krim apo kundravajtje ligjore vetëm kur ai e kryen atë me dashje.
Një person kryen një krim apo kundravajtje ligjore me dashje nëse ai e kryen aktinduke e ditur plotësisht se çfarë po bën dhe në përputhje me dëshirën/vullnetin e tij. Një person vepron me dashje që nga momenti që ai e kupton si të mundshëm bërjen e aktit dhe e pranon atë.
Një person kryen një krim apo kundravajtje ligjore në mënyrë neglizhente nëse ai nuk konsideron apo nuk merr parasysh pasojat e sjelljes së tij për shkak të mungesës së fajshme të kujdesit. Një mungesë kujdesi është e fajshme (culpable) nëse personi nuk ushtron kujdesin që ai duhet të tregonte në bazë të rrethanave dhe në përputhje me aftësitë e tij personale.
Argumenti I
Neni 12 i Kodit Penal të Zvicrës përcakton se nuk mund të jesh përgjegjës për një krim apo kundravajtje ligjore, nëse nuk ke vepruar me dashje, pra kërkohet si element edhe ‘dëshira’, veç ‘njohurive’ të personit për aktin. Nëse ne provojme lehtësisht me fakte në terren, që ekipi/stafi ynë vërtetë mund të kishin njohuri për aktin e refuzimit që po bënin por ai akt nuk u krye me dëshirën apo vullnetin e tyre por me detyrim, pasi jeta e lojtarëve ishte në rrezik apo sepse ekipi/stafi me të vërtetë besuan se jeta e tyre ishte në rrezik, pavarësisht qasjes së arbitrit që situata ishte ndën kontroll. Nëse kjo provohet me fakte, atëherë ekipi, në bazë të Rregullores Displinore të UEFA-s, nuk mund të quhet se shkatoi ndërprerjen e lojës në mënyrë të fajshme. Për pasojë, elememti i “dashjes” apo “qëllimshmërisë” së aktit, e për pasojë edhe “fajësia” bie.
Argumenti II
Paragrafi 3 i Nenit 12 flet për neglizhencën, një element tjetër përbërës i fajshmërisë/fajësisë të një akti në ligjet e shumë vendeve të tjera. Megjithëse Kodi Penal Zviceran e përcakton se çfarë është, ai përcaktohet si element shtesë i fajësisë, por jo si element përbërës i saj. Neglizhenca quhet e fajshme (culpable) vetëm nëse personi nuk ushtron kujdesin që duhet të tregonte në bazë të rrethanave dhe në përputhje me aftesitë e tij personale. Përsëri, nëse ne provojme lehtësisht me fakte në terren, që ekipi/stafi nuk është se refuzoi daljen në fushë në mënyrë neglizhente, duke injoruar dhe duke mos ushtruar kujdesin e duhur ndaj respektimit të rregulloreve të lojës, por ishte i detyruar në bazë të rrethanave të dhunës së paparë, agresivitetit të tifozëve, lojtarëve të ekipit kundërshtar e madje edhe të vetë stafit të sigurisë së stadiumit dhe në mungesë të sigurisë nga forcat e rendit, pra kishte një mungesë totale besimi ndaj ruajtjes sësigurisë personale të jetës dhe integritetit fizik nga ekipi pritës dhe vetë ata që ishin të ngarkuar me ruajtjen e sigurisë fizike të tyre dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, atëherë bie edhe elementi i neglizhencës, edhe në rast se e marrim si element përbërës të ‘fajesisë’. Çdo qasje tjetër nga Gjykata që ekipi/stafi nuk ushtruan kujdesin e duhur që duhet të tregonin ndaj rregulloreve të lojës kur refuzuan të dilnin në fushë, duke patur parasysh rrethanat shumë agravuese dhe kërcësuese që u krijuan, është e pabazuar në fakte. Për rrjedhojë, edhe elementi i neglizhencës, qoftë si element përbërës apo shtesë i fajësisë, bie e për pasojë bie edhe ‘fajësia’ dhe, për pasojë, nuk ka shkelje displinore!
Neni 12 konkludon edhe analizën në lidhje me përcaktimin ligjor të “fajësisë” (culpability) por, disa nene të tjera në vijim e plotësojnë kuadrin ligjor dhe janë të zbatueshme në këtë rast, duke e parë situatën në totalitet dhe në ndërthurje me Nenin 12 të Kodit Penal Zviceran.
Argumenti III
Kodi Penal i Zvicrës, Neni 13. (Gabimi i fakteve)
Nëse personi vepron ndën besimin e gabuar ndaj rrethanave, gjykata duhet ta gjykojë aktin e tij në përputhje me rrethanat ashtu siç i besoi personi në fjalë që ato të jenë.
Nëse personi në fjalë mund të kishte shmangur gabimin (të kuptuarit gabim të rrethanave) po të kishte ushtruar kujdesin e duhur, ai është përgjegjës ligjërisht për aktin e tij neglizhent vetëm nëse akti i kryer me neglizhencë përcaktohet si shkelje.
Siç shihet, edhe në këtë rast, Kodi Penal Zviceran na jep një dritare më tepër mbrojtjeje. CAS-i, edhe sikur të gjykojë se situata nuk ishte aq e rrezikshme për jetën apo integritetin fizik të lojtarëve, duhet ta gjykojë çështjen me sytë e lojtarëve dhe të stafit tonë të tmerruar në atë moment (faktet). Për më tepër, lojtarët/stafi ynë, me kufizimet që kishin në vlerësimin e situatës, sepse nuk ishin ekipi pritës dhe nuk ishin ata përgjegjës për sigurinë dhe organizimin e ndeshjes, nuk mund të akuzohen se nuk ushtruan kujdesin e duhur në vlerësimin e situatës; mbas asaj që ndodhi në fushë, ku jeta dhe integriteti fizik i lojtarëve ishte në rrezik dhe një stadium i tërë ishte gati të shpërthente në fushë në incidentin tjetër më të vogël, jo thjesht se rrezikoheshin nga një goditje me çakmak apo fishekzjarr siç ndodhi në ndeshjen Mali i Zi-Rusi, lojtarët/stafi morën vendimin më të kujdesshëm të mundshëm, në bazë të rrethanave që u krijuan, e për pasojë duhet të gjykohen madje, jo vetëm ashtu siç ishte objektivisht situata – e agravaur dhe kërcënuese – por ashtu siç, në fakt, besuan lojtarët/stafi ynë të ishte situata në atë moment, pra e parë me sytë e tyre dhe jo sot nga komoditeti i një vendi të sigurt(provat).
Argumenti IV
Kodi Penal i Zvicrës, Neni 15 (Vetëmbrojtja legjitime)
Çdo person që është sulmuar në mënyrë të paligjshme ose që kërcënohet nga një sulm eminent, personi i sulmuar dhe çdo person tjetër kanë të drejtë të shmangin sulmin me mënyra/mjete të arsyeshme për situatën.
Kodi Penal i Zvicrës, Neni 16 (Vetëmbrojtja në rrethana lehtësuese)
Nëse një person, duke mbrojtur vetveten, tejkalon limitet e vetëmbrojtjes siç përcaktohet në Nenin 15, dhe duke bërë këtë gjë kryen një shkelje, gjykata duhet të zvogëlojë dënimin për këtë shkelje.
Nëse një person, duke mbrojtur vetveten, tejkalon limitet e vetëmbrojtjes si pasojë e një paniku apo eksitimi të falshëm si kundërveprim ndaj sulmit, ai nuk ka kryer shkelje.
Neni 15 legjitimon aktin e refuzimit të daljes në fushë si një akt vetëmbrojtjeje legjitim. Dalja në fushë, siç edhe e kërkoi arbitri, ishte baraz me lejimin e nje sulmi ose të rrezikut të një sulmi eminent të paligjshëm ndaj lojtarëve, madje ndaj jetës dhe integritetit fizik, dhe refuzimi i daljes në fushë është baraz me shmangien e këtij sulmi eminent si mënyrën e vetme të arsyeshme, në bazë të rrethanave të krijuara.
Neni 16 e përforcon legjitimitetin e veprimit të ekipit tonë. Neni 16/1 flet se, edhe në rast se refuzimi ynë si reagim ndaj asaj që ndodhi në fushë, ka qenë në tejkalim të limiteve (sido që të përcaktohen ato), komisionet disiplinore të UEFA-s do duhej që të mos e dënonin ekipin njëlloj sikur të mos kishte ndodhur gjë në fushë dhe refuzimi për të hyrë në fushë të kishte qenë për hiçmosgjë. Stadiumi ishte gati të shpërthente, aty u rrahën lojtarë nga tifozë, lojtarët rezervë te ekipit kundërshtar dhe madje nga vetë stafi i sigurisë, atmosfera ishte shumë armiqësore me kore dhe parrulla jo vetëm raciste por që shprehnin një urretjtje për të vrarë, dhe kjo nuk mund të injorohet dhe Shqipërisë ti hiqen 3 pikë duke u dënuar njësoj sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Kodi e kerkon taksativisht që, edhe sikur me refuzimin të jenë tejkalur limitet e vetëmbrotjes, dënimi duhet të jetë më i vogël, p.sh. ndeshja të riluhet, sepse nuk ka dënim tjetër më të vogël nga dënimi standard për sa i perket rezultatit. Për më tepër, Neni 16/2 shprehet se, edhe nëse refuzimi për të dalë në ndeshje konsiderohet një tejkalim i limiteve (sido që të përcaktohen ato), nëse ajo është bërë në panik dhe trysni të jashtëzakonshme (provat), ky tejkalim (pra refuzimi për të luajtur) nuk mund të quhet shkelje!
Argumenti V
Kodi Penal i Zvicrës, Neni 17 (Akt legjitim në situatë nevoje)
Çdo person që kryen një akt që është i dënueshëm penalisht por me qëllim që të ruajë një interes ligjor të tijën apo të dikujt tjetër nga një rrezik imediat dhe jo i shmangshëm, vepron ligjërisht nëse duke bërë këtë ai mbron interesa me vlerë më të lartë.
Kodi Penal i Zvicrës, Neni 18 (Akt në rrethana lehtësuese dhe në situatë nevoje)
Çdo person që kryen një akt që është i dënueshëm penalisht por me qëllim që të ruaje vetveten apo dikë tjetër nga një rrezik imediat dhe, ne ate moment, jo i shmangshëm ndaj jetës, gjymtyrëve, lirisë, nderit, pasurisë apo interesave të tjera me vlerë të lartë, ai merr një dënim të reduktuar nëse ka një pritshmëri të arsyeshme që ai edhe mundej ti abandononte interesat në fjalë të vëna në rrezik.
Nëse personi në fjalë nuk mundej, gjykuar në mënyrë të arsyeshme, ti abandonte interesat në fjalë të vëna në rrezik, ai nuk ka kryer shkelje.
Sipas Nenit 17, një akt, siç ishte refuzimi për të dalë në fushë, që kryhet vetëm e vetëm për të ruajtuar jetën dhe integritetin fizik të lojtarëve nga një rrezik imediat dhe i pashmangshëm, siç ishte vazhdimi i lojës ndën atë situatë (faktet), një interes ligjor i Zvicrës, ndën ligjet e së cilës eventualisht luhet edhe ndeshja, por edhe i të gjithë njerëzimit, që prevalon mbi çdo lloj interesi tjetër, e legjitimon veprimin e ekipit/stafit për të mos dalë në fushë ndën ato rrethana. Për më tepër, edhe interesa të tilla si nderi dhe liria, sipas Nenit 18, konsiderohen interesa të larta dhe, mund të argumentohet që, përveçse jetës dhe integritetit fizik të lojtarëve/stafit, në rrezik ishte edhe liria dhe nderi i ekipit dhe, madje, i një kombi, po të kihen parasysh fyerjet, koret dhe pankartat raciste dhe të urrejtjes që pa fillur ndeshja dhe gjatë ndeshjes, mbulimi i flamurit tonë kombëtar nga autoritet serbe, i detyruar për tu shfaqur gjatë ndeshjes, që të mos bëhej pre e dhunës, etj.(provat). Të gjitha këto faktorë shtesë, për shkak të nevojës për të ruajtur një vlerë më të lartë, do duhet të merren parasysh në legjitimimin e veprimit të ekipit/stafit për të mos dalë në fushë dhe, për pasojë, që të mos quhet shkelje disiplinore.
Neni 18 e përforcon legjitimitetin e veprimit të ekipit tonë. Neni 18/1 flet se, edhe në rast se refuzimi ynë, si reagim ndaj asaj që ndodhi në fushë, ka qenë i tillë që ekipi/stafi, në mënyrë të arsyeshme, mund të abandononte mbrotjen e interesave të larta të vëna në rrezik (jetën, integritetin fizik, nderin, lirinë), pra mund të dilte në fushë pavarësisht rrezikut për to, UEFA do të duhej që të mos e denojë ekipin tonë njëlloj sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe refuzimi të kishte ndodhur për hiçmosgjë. Kodi e kërkon taksativisht që dënimi të jetë më i vogël (p.sh., ndeshja të riluhet), edhe nëse mosdalja në fushë për të mbrojtur jetën, integritetin fizik, nderin apo lirinë, ndën nje mënyrë gjykimi të arsyeshëm, mund të ishte shmangur (p.sh., duke presupozuar që ishte një pritshmëri e arsyeshme që ekipi/stafi ynë duhej të kishte menduar që, pavarësisht asaj që ndodhi, për sa kohë që arbitri e konsideronte të sigurtë situatën, për sa kohë që stafi i FSS-së përbetohej se e kishte situatën ndën kontroll, se këtej e tutje nuk do të ndodhnin më incidente apo që, edhe në rast se ndodhnin, jeta apo integriteti fizik nuk do të vihej në rrezik sepse do të mundej të ndërpritej ndeshja menjëherë dhe ekipi/stafi ynë të futeshin në një vend të sigurt). Për më tepër, Neni 18/2 shprehet se, nëse refuzimi për të dalë në fushë gjykohet se ishte i bazuar në një frikë të arsyeshme për rrezikun imediat dhe të pashmangshëm ndaj jetës, integritetit fizik, nderit apo lirisë, ekipi/stafi ynë, edhe për këtë arsye, nuk ka shkaktuar fajësisht abandonimin e ndeshjes (faktet).
Neni 5 i Rregullores së Disiplinës i referohet edhe ligjeve të tjera ku komisionet disiplinore mund të bazohen. Ligjet e disa vendeve të tjera demokratike, po marr shembullin e SHBA-së dhe Kanadasë, bazohen po në këto përcaktime të fajësisë (“culpability”) si ligjet zvicerane. Kodi Penal Model (MPC) ka qenë me shumë ndikim në SHBA dhe Kanada në qartësimin e përcaktimit të fajësisë (culpability). MPC-ja, po ashtu, përcakton nivelet e fajësisë bazuar në qëllimin (purposely), njohuritë (knowingly),moskokçarjen (recklessly) dhe neglizhencën (negligently), ndërkohë që Kodi Penal Zviceran grupon si elementë përbërës të fajësisë si “njohuritë” dhe “qëllimin” së bashku ndën termin “dashje” ndërsa “neglizhencën” dhe “moskokçarjen” i grupon së bashku por i përcakton si elementë shtesë por jo përbërës të fajësisë.
Është parim universal që, nëse një nen mund të interpretohet në dy mënyra, mënyra më e favorshme për të akuzuarin duhet të adoptohet. Përgjegjësia strikte (strict liability), që është niveli më i ashpër i përgjegjësisë ligjore, ku personi i përfshirë në këtë sjellje dhe gjendja e tij mendore nuk merren parasysh, ku mjafton që veprimi të jetë kryer, është i zbatueshëm në rastin e invazionit të fushës, hedhjes së objekteve, etj. e shprehur në mënyrë eksplicite nga Neni 16, pika 2 e Rregullores së Disiplinës të UEFA-s. Për sa kohë që, në rastin e refuzimit për të luajtur, kjo shkelje nuk është përmendur si subjekt i përgjegjësisë strikte, përkundrazi termi që përdoret është “fajësi” (“culpability”), që do të thotë se kjo shkelje është subjekt i parimit të “mens rea” (“mendje e fajshme”) dhe jo parimit të përgjegjësisë strikte (“strict liability”).
Në fund do të jap dy precedentë që shkojnë pro kauzës tonë.
Precedenti I: Precedenti “Boninsegna ose “Ndeshja e Kanoçes” (“Partita della lattina”), ku bëhet fjalë për një ndeshje të UEFA Champions League të sezonit 1971-1972, në Muncengladbah, midis Borussia-s vendase dhe Inter-it të Milanos. Në ’29, një lojtar i Inter-it, Boninsegna, u godit me një kanoçe coca-cola nga një tifoz i Borussia-s. Ndeshja vazhdoi mbas një ndërprerje të vogël, lojtari i goditur u zëvendësua, dhe Interi u mund 7:1. Në betejën ligjore që u zhvillua më pas, u konsiderua që përgjegjësia e klubeve/federatave të futbollit për sjelljen e tifozëve të tyre është strikte, pra pavarësisht nëse akti ndodhi si rezultat i neglizhencës ose jo në organizim të federatës/klubit pritës dhe ndeshja u përsërit në një vend neutral dhe Interi barazoi duke u kualifikuar. Ky është një precedent që, ashtu si edhe rregullorja aktuale e disiplinës e thotë qartazi, përgjegjësia e federatës serbe për aktet për të cilat akuzohet është strikte dhe ndeshja, si minimum, duhet të riluhet, pavarësisht sanksioneve të tjera me heqje pikësh, dënime fushe apo gjoba.
Precedenti II: Rrufetë marrin 10 jetë njerëzish dhe shkaktojnë 125 spitalizime në vit në Kanada, ku Toronto ka numrin e dytë më të madh të tyre. Në korrik 2008, në një ndeshje futbolli vajzash në Toronto, ne ’17 ndeshja ishte 2:0 për ekipin mik kur filloi fortuna dhe rrufeja ra aty afër. Arbitri pezulloi ndeshjen dhe mbas 15 minutash, duke gjykuar që konditat ishin të sigurta për të luajtur, kërkoi që ndeshja të rifillonte. Trajneri i ekipit pritës vendosi që të mos e fuste ekipin në lojë sepse nuk i konsideronte kushtet të sigurta dhe kështu arbitri abandonoi ndeshjen. Furtuna vazhdoi dhe, me sa u mor vesh më vonë, një djalë ishte vrarë nga rrufeja në një park aty afër po atë ditë. Sipas Federatës së Futbollit të Torontos dhe rregulloreve të FIFA-s, arbitri përcakton nëse konditat janë të sigurta për të ndalur, pezulluar apo filluar lojën dhe askush nuk mund të veprojë në kundërshtim me vendimin e tij, si i vemti person i pavarur. Refuzimi për të mos bërë siç urdhëron arbitri është një shkelje disiplinore. Federata e Futbollit e Torontos, pa hyrë në detajet e çështjes, gjeti se në këtë rast trajneri kishte vepruar drejt për të ruajtur jetën e lojtareve dhe pra nuk kishte kryer shkelje disiplinore, pavarësisht se në kundërshtim me vendimin e arbitrit për të vazhduar lojën.
Megjithëse precedenti i dytë nuk është ligjërisht taksativ për UEFA-n, pasi bëhet fjalë për një federatë të një shoqate tjetër futbolli, CAS-i ka të gjitha hapësirat ligjore brenda rregulloreve të UEFA-s për ta konsideruar këtë në vendimmarrjen e tij sepse është një element më tepër për të mos e cilësur si shkelje disiplinore refuzimin e ekipit tonë për të vazhduar ndeshjen.
Si përfundim, mendoj se, duke u bazuar në situatën shumë agravuese të ndeshjes, në faktin që refuzimi i Shqipërisë për të luajtur duhet të vlerësohet, jo në bazë të përgjegjësisë strikte, por në bazë të parimit të “mens rea”, pra të gjetjes ose jo të “fajësisë” së ekipit/stafit të Shqipërisë, që qartazi e përcakton si të tillë Kapitulli II, Neni 11, pika 2/h e Rregullores Disiplinore të UEFA-s dhe ligjet zvicerane dhe praktika e vendeve më demokratike. Ekipi ynë mundet të ketë shkaktuar abandonimin e ndeshjes por jo në mënyrë fajësore, sepse nuk e ka bërë atë me dashje apo qoftë edhe në mënyrë neglizhente. Ndërkohë, përgjegjësia e Federatës Serbe të Futbollit, në bazë të Nenit 16, pika 2 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s, është përgjegjësi strikte e saj. Po ashtu, të dy precedentet e përmedur flasin pikërisht pro këtyre dy qasjeve.
Në këto kushte, mendoj se CAS-i duhet që të vendosë ose a) të riluajë ndeshjen në një fushë asnjanëse ose pa tifoza, me opsionin e dënimit të ekipit të Serbisë me heqje pikësh për dështimin e federatës së tyre në menaxhimin e sigurisë së ndeshjes, dhe kjo e përsëritur pasi ndeshja U21 Serbi-Angli me 2012 pati të njejtat problematika, madje këtë radhë më të rënda ose, b) t’i japë direkt fitoren Shqipërisë, rast që e shoh më pak të mundshëm. Rasti i parë është më avantazhues për Serbinë sepse të paktën ka një shans që Shqipëria të mos krijojë një avantazh më të madh me të ndërsa, në rastin e dytë, përveç golaverazhit më të mirë, Shqipëria do të shkeputej me tre pikë më shumë seç është tani nga të gjitha ekipet. Rasti ku c) ndeshja riluhet në një fushë asnjanëse ose pa tifozë, ndërkohë që Serbia nuk dënohet me pikë por me forma të tjera, e shoh si rastin e dytë më të mundshëm, opsioni më i mirë i mundshëm për Serbinë dhe një opsion për ne që, në rast fitoreje, është më i mirë por, në rast humbjeje, është më i keq se situata aktuale.
Po e mbyll me besimin, siç thotë edhe Abraham Lincoln-i: “Le të kemi besim që e drejta bën fuqinë; dhe, me atë besim, le të guxojmë, deri në fund, të bëjmë detyrën tonë siç e kuptojmë atë” (Let’s have faith that right makes might; and in that faith let us, to the end, dare to do our duty as we understand it)
*(Ph.D., Arizona State University)- Professor of Mathematics & U.S. Fulbright Scholar (SHBA) (Përfaqësuesi Ligjor i K.F. Tiranës në gjyqin e vitit 2005 në UEFA kundër CSKA-së së Sofjes, Federatës Bullgare të Futbollit & UEFA-s).